dje, më datë 17 janar, u zhvillua mbledhja e Kryesisë së Zgjeruar të Partisë Demokratike, Dega Vlorë, një mbledhje me rëndësi politike dhe organizative. Në këtë mbledhje mora pjesë sëbashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Flamur Noka, si dhe me Koordinatorin për Mbikëqyrjen e Procesit Zgjedhor, z. Aurel Bylykbashi.
Fokusi kryesor i takimit ishte diskutimi i rezymesë së përgjithshme të analizës politike dhe organizative, e zhvilluar nga Partia Demokratike Vlorë në të gjitha njësitë dhe rajonet e saj, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e partisë dhe bazën demokrate në Vlorë. Kjo analizë lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet e 11 majit 2025, duke evidentuar problematikat, sfidat, por edhe potencialet për ringritjen dhe forcimin e Partisë Demokratike në Vlorë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e mbledhjes ishte shqyrtimi i propozimeve të ardhura nga baza e Partisë Demokratike të Vlorës, lidhur me kandidaturat për Kryetar të Degës së PD Vlorë, duke reflektuar frymën e demokracisë së brendshme, transparencës dhe përfshirjes aktive të anëtarësisë.
Gjatë fjalës sime, shpreha mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal për punën e madhe dhe angazhimin serioz të strukturave të PD Vlorë gjatë kësaj periudhe analize, si dhe për takimet e shumta dhe konstruktive të zhvilluara me bazën demokrate, të cilat dëshmojnë për një bazë aktive dhe të vendosur.
Kryetari i PD Vlorë, z. Hysni Sharra, së bashku me koordinatorin për analizën dhe mbikëqyrjen zgjedhore, z. Aurel Bylykbashi, prezantuan një raport të detajuar me pikat kryesore të analizës, të hartuar në përputhje të plotë me udhëzimet e Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ky raport shërben edhe si një bazë për vendimmarrjet e ardhshme politike dhe organizative të degës.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, z. Flamur Noka, falënderoi strukturat e PD Vlorë për punën serioze dhe të përgjegjshme të kryer, analizën objektive dhe procesin korrekt të propozimeve, duke e cilësuar këtë proces si një hap të domosdoshëm për garantimin e një procesi zgjedhor transparent dhe demokratik, në kuadër të zgjedhjes së drejtuesit të ri të PD Vlorë. Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i PDSH-së z.Flamur Noka vuri theks të veçantë në thirrjen për pjesëmarrje masive në protestën kombëtare të datës 24 janar, si një akt qytetar dhe politik kundër keqqeverisjes dhe për mbrojtjen e demokracisë.
Gjatë mbledhjes u zhvilluan diskutime të shumta lidhur me organizimin dhe forcimin e strukturave të Partisë Demokratike, analizën e zgjedhjeve të 11 majit 2025, si dhe hartimin e strategjive të reja organizative dhe politike, që synojnë rikthimin e besimit të qytetarëve dhe rritjen e ndikimit të PD-së në Vlorë.
Në këtë mbledhje morën pjesë anëtarët e Kryesisë së PD Vlorë, anëtarët e grup-seksioneve, sekretarët funksionalë, Kryetari i PD Vlorë, z. Hysni Sharra, Sekretarja e Degës, znj. Nada Mecorapaj, Kryetari i Grupit të Këshilltarëve në Këshillin Bashkiak, z. Atird Hoxha, Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, znj. Alta Azizi Haluci, ish-Kryetari i PD Vlorë, z. Agron Sharra, si dhe Kryetari i Forumit Rinor, z. Cajup Shehaj.







