Nga Bujar Leskaj
Në çdo demokraci funksionale, Kuvendi është zemra e sistemit përfaqësues, institucioni ku pushteti buron nga vota dhe kontrollon ekzekutivin. Në Shqipëri, për fat të keq, prej 13 vitesh po shohim një realitet të zymtë: një kryeministër autokrat që e sheh Kuvendin jo si institucion sovran, por si pengesë, dhe deputetët jo si përfaqësues të popullit, por si zgjatime të vullnetit të tij personal.
Një Kryeministër që urren Kuvendin, urren vetë parimin e përfaqësimit. Urrejtja e Ramës për Parlamentin dhe deputetët është, në thelb, frikë nga kontrolli dhe llogaridhënia. Por pa Kuvend të fortë nuk ka shtet të fortë, dhe pa deputetë të lirë nuk ka demokraci.
- Kuvendi i shndërruar në noter të rëndomtë dhe dekor
Sjellja politike e Edi Ramës ka treguar hapur një përçmim sistematik ndaj Kuvendit. Seancat plenare janë reduktuar në formalitet, debati është zëvendësuar nga monologu, ndërsa vendimmarrja reale ndodh jashtë Kuvendit: në Kryeministri, në zyra të mbyllura, ose në marrëveshje të padeklaruara.
Ligjet miratohen me procedura të përshpejtuara, pa konsultim real, pa respekt për opozitën dhe pothuajse përherë edhe pa debat brenda vetë mazhorancës. Kuvendi nuk është më vendi ku bindja fitohet me argumente, por ku urdhri zbatohet me ngritje kartoni.
Listat e mbyllura, karriera të varura nga kryeministri dhe frika e përjashtimit e kanë kthyer deputetin në një figurë të heshtur, që ekziston vetëm për të legjitimuar vendime të marra diku tjetër. Kuvendi është kthyer në një noter të rëndomtë të pushtetit personal të Ramës.
Rama nuk e fsheh ambicien për të qenë mbi Kuvendin. Ai flet për të me ironi, mungon në seanca të rëndësishme, shmang interpelancat dhe e përdor arrogancën si instrument politik. Kjo sjellje nuk është rastësore; ajo është pjesë e një filozofie pushteti autokratik, që e sheh kontrollin parlamentar si bezdi dhe rrezik.
Sa herë Kuvendi duhet të ushtrojë rolin e tij kushtetues, mbikëqyrjen e qeverisë, reagimi i Ramës është nervozizëm, sulm verbal dhe minimizim i institucionit, deri në zerim të funksionit dhe rëndësisë së tij.
Urrejtja ndaj Kuvendit nuk është thjesht problem stili, por kërcënim për demokracinë. Kur Parlamenti dobësohet, pushteti përqendrohet; kur deputetët heshtin, qytetarët mbeten pa zë; kur debati shuhet, vendimet merren pa llogaridhënie.
Shqipëria po rrëshqet nga demokracia përfaqësuese drejt një modeli të rrezikshëm, ku gjithçka rrotullohet rreth një njeriu të vetëm, ndërsa institucionet shërbejnë si fasadë.
Kuvendi nuk është pronë e Kryeministrit. Ai është pronë e qytetarëve. Dhe çdo përpjekje për ta denigruar dhe nënshtruar atë, është një goditje direkte ndaj demokracisë shqiptare.
- Për Ramën, deputeti i PS-ë është ushtar i rangut të fundit!
Urrejtja e Ramës për deputetët e partisë së vet shfaqet në mënyrën se si ai i trajton ata: pa autonomi, pa zë dhe pa dinjitet institucional. Deputeti i mazhorancës nuk guxon të ketë mendim ndryshe, sepse ndëshkimi dhe linçimi është i menjëhershëm: politik, moral ose mediatik. Për Ramën, deputeti i Partisë Socialiste është ushtar i rangut të fundit!
Në Partinë Socialiste të Edi Ramës, deputeti nuk është më përfaqësues i qytetarëve, as zë me peshë politike, me identitet dhe përgjegjësi publike. Deputeti është reduktuar në një “tetar” të thirrur vetëm për të zbatuar urdhra, për të ngritur kartonin në seancë dhe për të heshtur kur kërkohet debat.
Prej gati dy dekadash, Rama ka ndërtuar një model partie, ku mendimi kritik shihet si tradhti, ndërsa bindja verbale shpërblehet me mbijetesë politike. Deputetët socialistë rrallë flasin, edhe më rrallë kundërshtojnë. Ata nuk përfaqësojnë më zona, komunitete apo interesa konkrete shoqërore, por vetëm vullnetin e kryetarit të sektit në pushtet.
Deputeti i PS-së nuk është më ligjvënës, por ekzekutor politik. Nuk pyetet për ligjet, nuk përfshihet realisht në hartimin e tyre dhe shpesh mëson vendimet madhore nga mediat, njësoj si qytetarët e thjeshtë.
Struktura e Partisë Socialiste sot i ngjan më shumë një zinxhiri komandimi ushtarak, sesa një force politike moderne. Në krye është “komandanti”, më poshtë një rreth i ngushtë besnikësh dhe, në fund, deputetët. Këta të fundit, pa autonomi, pa ndikim dhe pa garanci politike.
Rama i do deputetët e PS-së në Kuvend që të votojnë ligjet e qepura me dorë prej sektit Rama në rrobaqepësinë e madhe të korrupsionit qeveritar 13-vjeçar. Listat e mbyllura, kontrolli absolut mbi karrierën dhe frika e përjashtimit janë faktorë që e kanë kthyer deputetin socialist në figurë të përkohshme, të zëvendësueshme dhe të bindur. Ushtari i rangut të fundit nuk pyet pse. Ai vetëm zbaton urdhërat.
Në këtë realitet, edhe deputeti i mazhorancës trajtohet njësoj si opozita: si zë i panevojshëm, nëse nuk përforcon narrativën e kryeministrit. Kur deputeti shndërrohet në ushtar të fundit të hierarkisë, humb demokracia. Humb përfaqësimi. Humb lidhja mes qytetarit dhe shtetit. Kuvendi kthehet në formalitet, ndërsa pushteti përqendrohet në një dorë të vetme.
Një parti ku deputetët nuk guxojnë të mendojnë nuk mund të qeverisë në mënyrë demokratike. Një kryeministër që i trajton deputetët e vet si konsumatorë urdhrash, nuk ndërton shtet, por kult pushteti.
Mungesat e shpeshta të Ramës në Kuvend, shmangia e interpelancave dhe komunikimi arrogant me deputetët tregojnë qartë përçmimin ndaj rolit të tyre. Kuvendi përdoret si skenë, jo si institucion, ndërsa deputetët si dekor, jo si faktor vendimmarrës.
- Urrejtja e thellë dhe e përhershme për opozitën dhe deputetët e saj
Në çdo demokraci në botë, opozita është shtyllë e domosdoshme e sistemit politik, zëri kritik që kontrollon pushtetin dhe mbron balancën institucionale. Në Shqipëri, nën qeverisjen e autokratit Rama, opozita nuk trajtohet si pjesë legjitime e demokracisë, por si armik për t’u asgjësuar politikisht. Urrejtja e thellë dhe e përhershme e kryeministrit ndaj opozitës dhe deputetëve të saj është shndërruar në një tipar konstant të qeverisjes këta 13 vjet.
Rama nuk e ka parë kurrë opozitën si kundërshtar politik me të cilin përballet në ide dhe programe. Për të, opozita është pengesë që duhet nënçmuar, izoluar dhe diskredituar. Ai e urren atë në mënyrë të plotë, visherale, me të gjitha poret e unit të vet. Gjuha përçmuese, ironia arrogante dhe sulmet personale ndaj deputetëve opozitarë janë kthyer në mjet të përditshëm komunikimi politik të tij.
Në vend të debatit, Rama zgjedh talljen. Në vend të argumentit, fyerjen. Në vend të përballjes parlamentare, delegjitimimin publik.
Rama e përdor Kuvendin si arenë poshtërimi. Seancat plenare janë shndërruar shpesh në skena ku kryeministri përdor pushtetin e tij verbal, për të poshtëruar deputetët e opozitës. Pyetjet parlamentare shmangen, interpelancat relativizohen, ndërsa kërkesat për llogaridhënie trajtohen si provokime të padëshiruara.
Deputetët e opozitës nuk shihen si përfaqësues të qindra mijëra qytetarëve, por si figura pa legjitimitet, të cilëve u mohohet respekti minimal institucional. Urrejtja për opozitën është, në thelb, urrejtje për kontrollin demokratik.
Sjellja e Ramës ndaj opozitës zbulon një problem më të thellë ekzistencial të tij: pamundësinë për të duruar kundërshtimin. Çdo kritikë cilësohet si sulm personal, çdo pyetje si komplot, çdo alternativë si rrezik për pushtetin e tij.
Kjo frymë ka ushqyer polarizimin ekstrem, ka helmuar klimën politike dhe ka varfëruar debatin publik në Shqipëri. Në një ambient të tillë, opozita nuk luftohet me ide, por shtypet me arrogancë pushteti.
xxx
Kur kryeministri urren Kuvendin, urren opozitën dhe përçmon deputetët e vet, dëmtohet dhe rrezikohet rëndë vetë demokracia. Pa opozitë të respektuar, nuk ka Kuvend funksional. Pa deputetë opozitarë të dëgjuar, nuk ka transparencë. Pa debat real, nuk ka vendimmarrje të përgjegjshme.
Shqipëria po jeton një model, ku pushteti kërkon heshtje, jo dialog; nënshtrim, jo përballje; bindje, jo pluralizëm.
Urrejtja e thellë e Ramës për Kuvendin, për opozitën dhe deputetët e saj nuk është thjesht problem stili apo temperamenti politik. Ajo është strategji pushteti, e ndërtuar mbi përjashtimin, përçmimin dhe frikën nga kontrolli parlamentar.
Opozita nuk është armik. Ajo është pjesë e demokracisë. Dhe çdo pushtet që e urren opozitën, në të vërtetë i frikësohet llogaridhënies dhe fundin e ka të pashmangshëm.







