Tre ministra të kabinetit qeveritar, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin Adea Pirdeni, ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatore e Shqipërisë Majlinda Dhuka, si dhe Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Toni Gogu, prezantuan sot paketën e re ligjore në kuadër të fazës së re të negociatave me Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës të saj, ministrja Dhuka, e cilësoi vitin 2026 si një gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar se kjo paketë përmban 12 nisma ligjore që përafrojnë legjislacionin shqiptar me atë europian.
Ministrja Dhuka shpalosi detajet e paketës, ku ndër të tjera përfshihet edhe dekriminalizimi i veprës penale të shpifjes, ndërsa Pirdeni dhe Gogu nënvizuan rëndësinë e reformave për forcimin e shtetit të së drejtës, sundimin e ligjit dhe rritjen e transparencës institucionale.
Dhuka theksoi se mes çeljes dhe mbylljes së negociatave, Shqipëria duhet të japë një test aftësie, si në pikëpamje të vullnetit politik për reforma europiane, ashtu edhe të aftësisë teknike të institucioneve për të zbatuar standardet europiane.
“Praktikisht, ky test aftësie duhet të reflektohet në shërbime dhe në jetën e qytetarëve,” u shpreh ajo, duke shtuar se vendi duhet të përgatitet me një numër të madh reformash që burojnë nga ligji europian, praktikat më të mira të vendeve anëtare dhe udhëzimet e gjykatave europiane.
Ministrja e përshkroi këtë proces si përmbushjen e kushteve të ndërmjetme, një progres që qëndron midis çeljes së negociatave dhe mbylljes së tyre.
“Fusha në të cilën Shqipëria duhet ta japë këtë test aftësie, në qendër të së cilës është vullneti politik i të gjitha forcave dhe aftësia e institucioneve, ka të bëjë me shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit,” tha Dhuka.
Duke prezantuar paketën e re ligjore, ajo u shpreh se “Në vitin 2025 Shqipëria çeli negociata për të gjitha fushatat, për 33 kapituj. Më 17 nëntor çelëm negociatat për 5 kapitujt e fundit, 2026 është vit i rëndësishëm dhe një gur kilometrik në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE, me aspiratën që në vitin 2027 ti kemi arritur përgatitjet ose kushtet për mbylljen e negociatave. Kjo është një punë komplekse, por edhe shumë pozitive sa i përket transformimit europian të vendit, që nga shtetit tek ekonomia, shërbimet për qytetarët, heqja e barrierave mes Shqipërisë dhe BE. Mes çeljes së negociatave edhe mbylljes, Shqipëria duhet të japë një test aftësie si në pikëpamje të vullnetit për reforma europiane, si edhe aftësisë teknike dhe zbatuese të standardit europian në shërbime dhe jetën e qytetarëve. Shqipëria duhet të përgatitet me një numër reformash dhe përmirësimesh.”
Dhuka shtoi se paketa e re ligjore është një dëshmi e këtij vullneti, që sikurse ajo theksoi se “ Lidhen me forcimin e shtetit të së drejtës, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit, zbatimin më të mirë të reformës në drejtësi dhe mbrojtjes nga diskriminimi, mbështetjet për familjen, duke provuar që vendi e ka vullnetin social politik për t’i mbrojtur shtetasit e vet, për t’u ofruar shërbime më të mira të standardit europian. Kjo paketë prej 12 nismash ligjore të rëndësishme ka në përmbajtje 6 projektligje që i janë propozuar Kuvendit nga Këshilli i Ministrave dhe 6 projektligje që janë iniciuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo paketë garanton progres në lidhje me standardin evropian dhe praktikën më të mirë në 3 grupe çështjesh të rëndësishme: luftën kundër krimit të organizuar, barazinë dhe drejtësinë sociale, mbrojtjen e familjes dhe së treti në masat për parandalimin e korrupsionit.”
Kryenegociatorja Dhuka vuri në dukje se “e veçanta e kësaj pakete është se ajo garanton progres në lidhje me standardin europian dhe praktikën më të mirë të vendeve anëtare në 3 grupe çështjesh të rëndësishme. Së pari, në luftën krimit dhe krimit të organizuar; së dyti, në lidhje me barazinë dhe drejtësinë sociale, mbrojtjen e familjes, të nënës dhe të të miturve; së treti, në masat për parandalimin e korrupsionit”.
Më tej Dhuka u shpreh se, “Kjo paketë në zemrën e saj ka një numër përafrimesh me ligjin europian të ligjit shqiptar, duke filluar nga shtatë direktiva në ndryshimet e Kodit Penal, në dy direktiva në projektligjin “Për mbrojtjen nga dhuna”, apo në rregulloren e përafruar plotësisht në projektligjin “Për importin dhe eksportin e armëve”, që garanton parandalimin e trafikut të armëve në Shqipëri”.
Për herë të parë përmes kësaj pakete, vijon ajo, “Shqipëria do të dekriminalizojë plotësisht veprën penale të shpifjes ndaj gazetarëve, duke rritur mbrojtjen ndaj gazetarëve në misionin e tyre të rëndësishëm për fjalën e lirë dhe për lirinë e shprehjes në Shqipëri, duke u garantuar në të njëjtën kohë një mbrojtje të re nga kanosja për shkak të detyrës”, tha Dhuka.







