Mazhoranca socialiste, në mbledhjen e Byrosë, konfirmoi përjashtimin nga Parlamenti të 6 deputetëve të Partisë Demokratike deri më datën 3 mars.
Mbledhja e Byrosë u shoqërua me debate mes shumicës dhe deputetëve të opozitës, të cilët akuzuan Partinë Socialiste për shkelje të rregullores.
“Edi Rama kërkon të marrë peng Parlamentin. Ai nuk pranon që t’i dorëzojë drejtësisë Belindën, Lindën e AKSHI-t, Gysin dhe bandën e hajdutëve që e rrethojnë, sepse e di që gjithçka shkon tek ai. Në vend që të marrë masa për të përjashtuar Belindën, përjashton opozitën. Pra, sot shqiptarët kanë një mundësi që të shohin se në Shqipëri parlamentarizmi është marrë peng”, Flamur Noka, sekretar i pergjithshem i PD.
Deputetët Flamur Noka, Belind Këlliçi, Elda Hoti, Albana Vokshi, Klevis Balliu dhe Fidel Kreka u përjashtuan për shkak se në seancën e 18 dhjetorit, në shenjë proteste ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila po hetohet nga SPAK-u, ndezën flakadanë dhe bllokuan zhvillimin normal të Kuvendit.
Vendimi për përjashtimin e tyre me 30 ditë u mor në mbledhjen e Sekretariatit më datë 23 dhjetor. PD ankimoi vendimin për përjashtim në Byro, e cila sipas rregullores duhej të ishte mbledhur brenda 48 orëve.
Por socialistët e mblodhën Byronë dhe masa ndëshkimore ndaj deputetëve të opozitës nis nga data 20 janar dhe, duke mos llogaritur ditët e pushimit, zgjat deri më 3 mars.
Ndaj, praktikisht deputetët demokratë do të mungojnë në Parlament jo 30 ditë, por dy muaj e gjysmë.







