HomeEkonomiHapet thirrja për aplikim për projektet e infrastrukturës së kërkimit shkencor për...

Hapet thirrja për aplikim për projektet e infrastrukturës së kërkimit shkencor për vitin 2026

Advertismentspot_img

Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) ka hapur zyrtarisht thirrjen për aplikim për projektet e infrastrukturës së kërkimit shkencor për vitin 2026, e cila u drejtohet institucioneve publike të arsimit të lartë në vend. Thirrja synon financimin e investimeve konkrete që forcojnë kapacitetet kërkimore të universiteteve, përmes ngritjes apo modernizimit të laboratorëve, blerjes së pajisjeve kërkimore dhe zhvillimit të sistemeve teknologjike inovative.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, e cila theksoi se kjo nismë synon të krijojë një bazë më të fortë infrastrukturore për kërkimin shkencor universitar, në përputhje me standardet europiane dhe konceptin e shkencës së hapur. Sipas saj, investimet do të shërbejnë si për procesin mësimor, ashtu edhe për kërkimin shkencor, duke rritur cilësinë akademike dhe konkurrueshmërinë e institucioneve publike të arsimit të lartë.

Thirrja mbështetet në kuadrin ligjor në fuqi, përfshirë ligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”, si dhe vendimet e Këshillit të Ministrave për krijimin dhe funksionimin e AKKSHI-së dhe modelin e financimit të institucioneve publike të arsimit të lartë. Aplikimi është i hapur për institucionet publike të arsimit të lartë që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre kërkimin shkencor, individualisht ose në partneritet mes tyre.

Projekt-propozimet duhet të parashikojnë ngritjen ose rinovimin e infrastrukturës kërkimore, përfshirë laboratorë, pajisje kryesore kërkimi, arkiva, të dhëna shkencore, sisteme informatike dhe rrjete komunikimi, si dhe çdo infrastrukturë tjetër kërkimore apo inovative me natyrë unike. Një kriter thelbësor është që infrastruktura e re të jetë e aksesueshme edhe për përdorues të jashtëm, duke respektuar parimet e “open science” dhe orientimet strategjike europiane, si ESFRI dhe objektivat e Hapësirës Europiane të Kërkimit (ERA).

Dokumentacioni i aplikimit duhet të dorëzohet sipas formularit standard të PIKSH, i shoqëruar me vendimin e akreditimit të institucionit aplikues, miratimin e titullarit të institucionit, CV-në e drejtuesit të projektit (me gradë minimale “Doktor”), si dhe evidencë për çdo bashkëfinancim të siguruar. Aplikimet duhet të depozitohen në AKKSHI, në dy kopje të shtypura dhe një kopje digjitale (USB/CD), përmes postës zyrtare.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 27 shkurt 2026, ndërsa procesi i vlerësimit parashikohet të përfundojë më 19 mars 2026. Shpallja e projekteve fituese do të bëhet më 27 mars 2026, me nënshkrimin e kontratave të planifikuar për datën 31 mars 2026. Për sqarime të mëtejshme, institucionet e interesuara mund të kontaktojnë Drejtorinë e Programeve Kombëtare pranë AKKSHI-së deri më 20 shkurt 2026. /

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular