Ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i dënuari i sigurisë së lartë Mihal Mërkuri, i dënuar me 10 vjet burg për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Mësohet se ai ishte i shtruar në Reanimacionin Qendror, Pavijoni i Kirurgjisë, pasi dy ditë më parë, më datë 18 janar, rreth orës 20:21, i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të hemorragjisë së brendshme.
Sipas një njoftimi nga QSUNT, vdekja i ka ardhur si pasojë e arrestit kardiak dhe hemorragjisë në kokë.
“Sot, rreth orës 04:35, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) ka ndërruar jetë i dënuari i sigurisë së lartë Mihal Pavllo Mërkuri, i shtruar në Reanimacionin Qendror, Pavijoni i Kirurgjisë. Vdekja ka ardhur si pasojë e arrestit kardiak dhe hemorragjisë në kokë.
Mihal Pavllo Mërkuri, i datëlindjes 25.01.1979, lindur dhe banues në Sarandë, ishte i dënuar me 10 vjet burg për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Ai është ekstraduar nga Greqia më datë 20.06.2023 dhe është transferuar në IEVP Burrel më datë 15.02.2025, nga IEVP Korçë.
I ndjeri është shtruar në QSUT më datë 18.01.2026, rreth orës 20:21, dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të hemorragjisë së brendshme (hemoperitoneum). Për rastin po zbatohen të gjitha procedurat e përcaktuara ligjore”, njofton QSUNT.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike dhe në repartin e reanimacionit është shkaktuar kaos.
Disa pamje që qarkullojnë në internet tregojnë momentin e kaosit, ndërsa shihen edhe pacientët të cilët transferohen me barela.







