Vendimet përfshijnë largime dhe emërime të reja deputetësh si anëtarë të përhershëm dhe zëvendësues në disa komisione
Kuvendi miratoi sot në 19 janar me votim elektronik dy projektvendime për ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të PS-së.
Vendimet përfshijnë largime dhe emërime të reja deputetësh si anëtarë të përhershëm dhe zëvendësues në disa komisione.
Në seancë ishin të pranishëm 81 deputetë, ndërsa projektvendimet u miratuan me shumicë votash. Ndryshimet prekin komisionet për Nismat Qytetare, Çështjet Ligjore, si dhe Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen.
“Kalojmë për votim elektronik dy projekt-vendimet për ndryshime në anëtarësi në Komisionet e përhershme, siç ka kërkuar kreu i grupit parlamentar i PS-së. Janë 81 deputetë prezentë. Projektvendimi për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr 64 datë 24.09.2025 për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit, pika 1 e vendimit shtohet dhe ndryshohet si më poshtë. Deputetja Erjona Ismaili largohet si anëtare e përhershme nga Komisioni për Nismat Qytetare. Deputetja Aulona Bylykbashi largohet si anëtare e përhershme e Komisionit për Çështjet Ligjore. Deputeti Ani Dyrmishi largohet si anëtar i përhershëm në Komisionin për Çështjet Ligjore, deputeti Sajmir Asalla caktohet anëtar i përhershëm në Komisionin për Nismat Qytetare, duke u larguar si anëtar zëvendësues. Miratohet me 79 vota pro, 0 abstenim dhe 2 kundër.
Kalojmë tek projektvendimi i dytë, projektvendimi për një shtesë dhe ndryshim në vendimin nr 65, datë 25.9.2025, për caktimin e anëtarëve zëvendesues, të përbërë nga komisionet e përhershme të Kuvendit. Pika 1 e vendimit shtohet dhe ndryshohet si më poshtë: deputeti Agron Gaxho caktohet caktohet anëtar zëvendësues në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen, deputeti Sajmir Asalla largohet si anëtar zëvendësues në Komisionin për Nismat Qytetare. Me 81 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër, projektvendimi miratohet”, tha kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
Seanca e sotme nisi me debate, teksa deputetët e PD-së bllokuan Foltoren, ndërsa nuk zgjati më shumë se 30 minuta.







