Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Moldavi, u prit sot në një takim nga Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.
Takimi kokë më kokë dhe, më pas, ai në praninë e delegacioneve përkatëse, u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, sigurinë rajonale, situatën e ndërlikuar gjeopolitike dhe unitetin evropian përballë këtyre sfidave.
“Shqipëria mbështet popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe evropiane, në një kontekst gjeopolitik dhe sigurie mjaft sfidues, të shënuar nga agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus kundër Ukrainës dhe kërcënimet e sigurisë që burojnë prej tij”, u shpreh Presidenti Begaj.
Krerët e dy shteteve rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Edhe në konferencën për shtyp, Presidenti Begaj dhe Presidentja Sandu konfirmuan vullnetin për bashkëpunim në përmbushjen sa më të shpejtë të agjendës evropiane, me synim anëtarësimin në BE përmes progresit të bazuar në meritë dhe reforma.
Presidenti Begaj theksoi se: “Shqipëria beson se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një nga instrumentet më efektive për garantimin e sigurisë, stabilitetit, begatisë dhe paqes së qëndrueshme në Evropë. Shqipëria shpreh mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Moldavisë në Bashkimin Evropian”.

Ndërkohë, Presidenti Begaj shprehu mbështetje ndaj Presidentes Sandu për politikat pro-evropiane në drejtimin e vendit. Ai vlerësoi qëndrimin e Moldavisë përballë ndikimeve keqdashëse, presioneve dhe fushatave dezinformuese, si dhe angazhimin e palëkundur për ndërtimin e një shteti demokratik, si pjesë integrale e familjes evropiane.
Në këtë frymë, ai theksoi se Shqipëria synon thellimin e bashkëpunimit, duke shfrytëzuar mekanizmat e krijuar në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për Integrimin Evropian, të nënshkruar së fundmi.
“Shqipëria qëndron pranë Moldavisë si mike, si partnere dhe si bashkë-aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Së bashku, ne kontribuojmë për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe të bashkuar, të ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, lirisë dhe përgjegjësisë së përbashkët për të ardhmen tonë”, u shpreh Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu angazhimin për intensifikimin e marrëdhënieve në fushat me potencial bashkëpunimi dhe interes të ndërsjellë.
Midis dy vendeve ekzistojnë marrëveshja për tregtinë e lirë, si dhe ajo për mbrojtjen e investimeve dhe shmangien e taksimit të dyfishtë. Sipas Presidentit Begaj, kjo përbën një bazë të mirë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik.
Një vëmendje të veçantë gjatë kësaj vizite, Presidenti Begaj ia kushtoi Kosovës. Presidenti vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Moldavia lidhur me aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe kontributin me trupa në misionin e KFOR-it.
“Në këtë frymë bashkëpunimi, Shqipëria shpreson se Moldavia, kur ta gjykojë të arsyeshme, do të rishqyrtojë edhe çështjen e njohjes së Kosovës. Ne i dimë problemet e brendshme që ekzistojnë, të lidhura me Transnistrinë, por gjithsesi, është një çështje që ne mendojmë se do të sillte paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe besim te demokracia”, deklaroi Presidenti Begaj.
Në agjendën e sotme të Presidentit ishte edhe takimi me një përfaqësi nga Parlamenti i Moldavisë, drejtuar nga kryetari Igor Grosu, me të cilët u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve të dy shteteve, si edhe takimi me përfaqësues të diasporës shqiptare në Moldavi.







