HomePolitike"21 Janari", Rama: Krim shtetëror, drejtësia i ngjan një breshke që lutet...

“21 Janari”, Rama: Krim shtetëror, drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë. Berisha: U rrethova në zyrë, nuk i kisha borxh kujt

Advertismentspot_img

Kjo e mërkurë shënon 15 vite nga vrasja e 4 personave më 21 janar të 2011-ës teksa protestonin para Kryeministrisë.

Kryeministri Edi Rama e konsideron 21 Janarin si krimin shtetëror më të pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare. Ai thekson se 4 protestuesit e vrarë nuk prehen dot të qetë nga mungesa e drejtësisë për ta, e cila sikurse nënvizon Rama “i ngjan një breshke që lutet për harresë”.

Në përfundim të postimit të tij në rrjetin social Facebook Rama shpreh bindjen se drejtësia për 21 Janarin sado të vonojë, nuk do të harrohet.

“Mirëmëngjesi dhe sot, në 15-vjetorin e një krimi shtetëror të pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare, kur katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë, me bindjen që sado të vonojë drejtësia për 21 janarin nuk do të harrojë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi 21 janarin e 15 viteve më parë, ku katër qytetarë humbën jetën pas një proteste në bulevardin para kryeministrisë që asokohe drejtohej nga ai. Berisha u shpreh se ai u rrethua në zyrë atë ditë dhe se gjithçka ndodhi pas një kurthi me falsifikime nga Rama. Ai theksoi se nuk ishte frikacak që t’ia mbathte dhe qëndroi në krye të detyrës pasi nuk kishte bërë asgjë gabim.

“Sali Berisha u rrethua në zyrë. Në qoftë se bëhet një kurth i tillë përgjegjësia ime pse Edi Rama falsifikon në mënyrën më të pafytyrë, më kriminale dokumente për të akuzuar një tjetër, cila është përgjegjësia ime? Përgjegjësia ime se kisha trajtuar me standardet më demokratike 752 protesta të opozitën në të katër anët e vendit. Përgjegjësia ime se hidhnin gurë dhe plumba? Ato janë të dokumentuara, plumbat dhe revolat e tyre. Janë të dokumentuara drejt kryeministrit që ishte në detyrë. Nuk blindoja dyer unë. Blind isha vetë. Nuk lëshoja zyrën unë. Nuk bëja këtë frikacak që ia mbath. Isha në të drejtën time unë, nuk i kisha borxh kujt. Kisha zhvilluar zgjedhjet, që plotësuan standardet kryesore të zgjedhjeve të lira. Unë isha në zyrë, punoja. Edhe në atë orë punoja. Hajde më thanë të evadojmë. Jo nuk evadohem unë thashë, pse do evadohem, jam në punën time”, u shpreh Berisha.

Më 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua nga opozita e asaj kohe përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë ka vendosur më 12 mars 2024 që dosja e 21 janarit të hetohet nga SPAK duke pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave. Për këtë arsye, SPAK ka marrë në pyetje familjarë të viktimave, drejtues të gardës si dhe organizatorë të protestës.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular