Rafineria merr arin bruto nga minierat e gjithë botës dhe e shndërron në ar të pastër
Sekreti i një suksesi pothuajse shekullor është të mos biesh në sy. Në Castel San Pietro, një qytet me rreth dy mijë banorë në Kantonin Ticino të Zvicrës, një ndërtesë industriale e vogël dhe e thjeshtë fsheh pas pamjes anonime tonelata ari. Pas një gardhi dhe një vije të lehtë me tela me gjemba, ndodhet një nga qendrat më të rëndësishme të industrisë globale të arit, rafineria MKS PAMP.
Çdo vit, në korridoret e kësaj fabrike kalojnë sasi të mëdha metali të çmuar. MKS PAMP është një nga gjashtë rafineritë zvicerane që kanë një rol kyç, marrin arin bruto nga minierat e gjithë botës dhe e shndërrojnë në ar të pastër dhe të shkëlqyeshëm, të njohur në formën e tij finale nga tregjet dhe konsumatorët, shkruan La Republicca.
Aktiviteti është intensifikuar ndjeshëm në javët e fundit, teksa çmimi i arit ka arritur pothuajse çdo ditë nivele rekord, i shtyrë nga tensionet gjeopolitike. Nga kjo rafineri del ari i destinuar për industrinë e bizhuterive, por edhe për banka dhe banka qendrore. Këtu prodhohen gjithashtu lingotat e famshme të arit.
Një lingot standard, që peshon mbi 12 kilogramë, ka një vlerë prej rreth 1.5 milionë eurosh. Vetëm 21 lingota të vendosura mbi një paletë kapin vlerën e më shumë se 31 milionë eurove, një pasuri e jashtëzakonshme e përmbledhur në një hapësirë minimale.
Në fabrikë punojnë rreth 300 persona në tre turne, gjashtë ditë në javë. “Këtu përpunojmë kryesisht ar, argjend dhe metale të grupit të platinit”, shpjegon drejtori menaxhues i impiantit, Phaedon Stamatopoulos. Lënda e parë vjen si nga minierat, në formën e metalit gjysmë të përpunuar, ashtu edhe nga burime dytësore, përfshirë banka, kompani tregtare dhe materiale të ricikluara nga industria e bizhuterive.
Procesi i rafinimit nis nga blloqe prej 150 kilogramësh, të cilat përmes shkrirjes dhe trajtimeve kimike e elektrike shndërrohen në ar pothuajse të pastër. Në fund, ari merr forma të ndryshme, nga lingotat mikroskopike prej një grami, me vlerë rreth 150 euro, deri te lingoti standard.
Industria e përpunimit të arit është jetike për ekonominë zvicerane. Në vitin 2024, pothuajse një e treta e eksporteve të Zvicrës përbëhej nga ari dhe metalet e çmuara, më shumë se industria farmaceutike dhe katër herë më shumë se industria e orëve. Rreth 25 përqind e arit botëror kalon çdo vit përmes Zvicrës.
Rritja e fortë e çmimit të arit ka zgjeruar edhe bazën e investitorëve. Nga një aset i qëndrueshëm dhe mbrojtës, ari është kthyer në një mundësi fitimi me shifra dyshifrore, duke tërhequr gjithnjë e më shumë investitorë të vegjël. Përmes platformës Gold Avenue, e lidhur me MKS PAMP, çdokush mund të blejë edhe një gram ar, ta ruajë në kasafortë ose ta marrë në shtëpi.
Transaksionet janë rritur me 80 përqind vetëm gjatë vitit të fundit, ndërsa 40 përqind e tyre vijnë nga investitorë italianë. Aktualisht, kompania administron rreth 650 milionë euro pasuri në ar për llogari të klientëve të saj, një e treta e të cilëve janë qytetarë italianë.
Pas ndërtesave të padukshme dhe të sigurta të luginave zvicerane, ari vazhdon të mbetet një nga asetet më të fuqishme dhe më të kërkuara në botë.







