Nën masa të rrepta sigurie, kryeministri Edi Rama ka takuar në Vlorë vajzën e Presidentit amerikan, Ivanka Trump. Me 80 arkitektë me vete (të huaj dhe vendas), vajza e Presidentit amerikan, Ivanka Trump, ka mbërritur sot në Vlorë. Në një lidhje direkte për Opinion në Tv Klan, gazetarja Greta Haskaj, foli për vizitën e bujshme dhe detajet që ka arritur të mësojë.
Pas takimit, ata kanë darkuar së bashku, ndërsa siç raporton gazetarja e Klan News, Greta Haskaj, Ivanka Trump dhe Rama po udhëtojnë drejt Orikumit me makinë të përbashkët.
Vajza e Presidentit Donald Trump, Ivanka, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë mbërritur këtë të mërkurë në qytetin bregdetar.
Mësohet se vizita e çiftit Trump-Kushner lidhet drejtpërdrejt me investime strategjike në sektorin e turizmit në Shqipëri.
Ata do të zhvillojnë një takim me studio arkitekturore për të diskutuar rreth mënyrës së realizimit të projekteve turistike në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.
Për këto projekte janë ftuar të marrin pjesë mbi 60 studio arkitekturore, vendase dhe ndërkombëtare, të cilat do të prezantojnë ide dhe koncepte zhvillimi me standarde të larta, duke e kthyer jugun e Shqipërisë në një destinacion të turizmit luksoz
Dhëndri i Presidentit amerikan ka marrë statusin e investitorit strategjik vitin e kaluar, pas prezantimit të projektit të tij turistik në ishullin e Sazanit, me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, i cili është përdorur vetëm si bazë ushtarake.
Vlera e investimit parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro. Projekti parashikon “marinë turistike, struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike dhe zona shplodhëse me shërbime në funksion të tyre”.
Duke theksuar se autoritetet kanë qenë shumë të rezervuara për itinerarin e Ivanka Trump në qytetin bregdetar, Haskaj bëri me dije se ajo sapo ka mbërritur në hotelin ku do të akomodet deri të premten, 23 janar.
Në një moment, moderatori i emisionit, Blendi Fevziu, tha se sipas informacioneve të tij në takim me vajzën e kreut të Shtëpisë së Bardhë ka qenë gjithë administrata që lidhet me lejet e territorit në Vlorë.https://www.youtube.com/embed/uorp9E1pLbg?si=-2bukBnHCP9oi_dG
“Ivanka ka mbërritur e shoqëruar me forca të shumta policie, që në hyrje të qytetit e deri në hotelin ku do të akomodohet. E gjithë zona është e mbuluar dhe e rrethuar nga forca policore që po survejojnë gjatë gjithë kohës”, raportoi më tej Haskaj, duke shtuar se kjo gjë ka vështirësuar aksesin e gazetarëve.
Pas takimit tejet diskret me kryeministrin Edi Rama, mësohet se ajo ka shkuar drejt Orikumit.
“Te manastiri i Zvërnecit ka kaluar më shumë kohë, ku ka shkrepur foto dhe ka vizituar kishën. Kjo ka qenë ndalesa kryesore. Zonja Trump ka mbërritur pranë hotelit, në pjesën më elitare të turizmit në Vlorë. Takimi me Ramën është mbajtur në një sallë konferencash në një hotel pranë Ujit të Ftohtë”, tha gazetarja.







