Një lajm i trishtë ka ardhur pasditen e sotme nga Spitali Universitar i Traumës. Mjekja psikiatre, Kapitene Dr. Arlinda Tomçini, është ndarë nga jeta në moshën 49-vjeçare, duke lënë pas dhimbje të thellë te familjarët, kolegët dhe miqtë e saj.
Doktoresha Tomçini prej më shumë se një dekade, shërbeu me përkushtim, profesionalizëm, në Spitalin Universitar të Traumës, si pjesë e Njësisë Mjekësore Ushtarake.
Kontributi i saj në kujdesin ndaj pacientëve, si dhe roli i saj në bashkëpunim me kolegët e shumtë që kishte, u vlerësuan gjithmonë nga të gjithë ata që patën fatin të njihnin nga afër dhe të punonin me të.
“Spitali Universitar i Traumës shpreh dhimbjen e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të mjekes psikiatre Kapitene Dr. Arlinda Tomçini, e cila u nda nga jeta në moshën 49-vjeçare.
Prej 10 vitesh, Dr. Arlinda Tomcini shërbeu me përkushtim, profesionalizëm dhe humanizëm në Spitalin Universitar të Traumës, si pjesë e Njësisë Mjekësore Ushtarake, duke dhënë një kontribut të çmuar në shërbimin ndaj pacientëve dhe në punën ekipore me kolegët e saj.
Humbja e saj është e madhe për familjen, për komunitetin mjekësor dhe për institucionin tonë. Në këto momente dhimbjeje, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë kolegëve.
Kujtimi dhe vlerat njerëzore e profesionale të Dr. Arlinda Tomçini me gradën Kapitene, do të mbeten gjithmonë pjesë e Spitalit Universitar të Traumës”, thuhet në njoftimin e Spitalit.







