Në një lidhe direkte nga Davosi në “Top Story” me Grida Dumën, presidentja e Kosoves Vjosa Osmani ndau detajet nga ceremonia e “Bordit të Paqes” si dhe foli për bisedën e saj me presidentin amerikan, Donald Trump.
E pyetur se çfarë u tha në bisedën që ajo pati me presidentin amerikan Donald Trump, Osmani tha se kreu i Shtëpisë së Bardhë i përcolli një mesazh për Kosovën dhe shtoi se ishte një bisedë shumë pozitive që nisi në samitin e OKB në shtator.
“Ishte një bisedë shumë pozitive për Kosovën dhe për qytetarët e saj, ka qenë një bisedë që ka filluar në samitin e OKB-në Nju Jork më 28 shtator” – tha ajo.
Osmani sqaroi se pse e përfaqësoi ajo Kosovën dhe jo kryeministri, Albin Kurti duke shprehur se kushtetuta e Kosovës parasheh që politikën e jashtme e udhëheq presidenti, megjithatë ajo theksoi se aderimi i Kosovës në Bordin e Paqes ishte fitore edhe për të edhe për kryeministrin.
“Sepse kështu e parasheh Kushtetuta e Kosovës, sepse tek ne presidentja e udhëheq politikën e jashtme, edhe kryeministri është këtu në Davos, por ne i kemi detyrat e ndara. Megjithatë, sukseset i kemi të përbashkëta” – tha Osmani.
Ajo u pyet dhe pse ishte ulur pranë presidentit Trump dhe pse zgjodhi ngjyrën e kuqe në veshje.
“Ishin rregulla të përcaktuara nga SHBA edhe e uljes dhe e nënshkrimit, çdo rregull protokolli është caktuar nga Shtëpia e Bardhë. Sa i përket ngjyrës së kuqe në veshje, është ngjyra ime e preferuar Grida, një ngjyrë që e dua shumë” – tha Osmani.
Ajo tha se kryeministri Rama ishte një ndër të parët të ftuar personalisht nga presidenti amerikan Donald Trump. Megjithatë ajo tha se nuk e di arsyen e saktë se pse Rama nuk ishte prezent.
“Unë e di që kryeministri Rama ka qenë i ftuar sepse ka qenë një ndër të ftuarit e parë si shtet themelues. Dua ta falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë kësaj periudhe. Pse nuk ka arritur të udhëtojë kryeministri, besoj duhet të pyesni atë sepse orët e fundit nuk është se kemi komunikuar, por e di që ka qenë i ftuar”, u shpreh presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. /







