HomeAktualitetRregullorja e re, si do të funksionojë kategorizimi dhe certifikimi i strukturave...

Rregullorja e re, si do të funksionojë kategorizimi dhe certifikimi i strukturave akomoduese në turizëm

Advertismentspot_img

Rregullorja e re për strukturat akomoduese, e botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton një procedurë të detajuar dhe të standardizuar për kategorizimin, certifikimin dhe kontrollin e tyre, duke synuar rritjen e formalizimit dhe transparencës në sektorin e turizmit.

Këto struktura grupohen në tri klasa kryesore: klasa 5510, që përfshin hotele dhe struktura të ngjashme si hotele, resorte, qendra kurative, motele, bujtina (B&B), struktura akomoduese të trashëgimisë kulturore dhe dhoma hoteli të shpërndara; klasa 5520, që përfshin akomodime për pushime dhe akomodime kolektive, si hostele, apartamente, blloqe apartamentesh dhe vila; si dhe klasa 5530, që përfshin hapësira për kamping dhe parqe për çadra ose rulota argëtimi.

Bujtinat duhet të përmbushin kritere të qarta për ndërtimin, mirëmbajtjen, pastërtinë dhe sigurinë, duke respektuar stilin tradicional lokal dhe integrimin harmonik në mjedisin përreth. Ndërtesa duhet të jetë e qëndrueshme dhe e sigurt, me ambiente të pastra, të ndriçuara dhe të ajrosura mirë, pajisje funksionale elektrike e hidraulike, si dhe sisteme ventilimi natyral ose mekanik. Dhoma e gjumit duhet të ketë hyrje të pavarur, sipërfaqe minimale të përcaktuara, mobilim bazë funksional, shtretër cilësorë, ndriçim, ngrohje ose ftohje dhe kushte të garantuara sigurie dhe rehatie për klientët gjatë gjithë qëndrimit.

Një element thelbësor është mirëseardhja dhe informimi i vizitorëve: bujtina duhet të disponojë zonë mirëseardhjeje dhe t’u ofrojë klientëve informacion të qartë për aktivitetet që zhvillohen në zonë, atraksionet turistike, kulturore dhe natyrore përreth, si dhe shërbimet që ofrohen. Në rast se ofrohet ushqim, ai duhet të jetë kryesisht tradicional, i përgatitur sipas recetave dhe produkteve vendase, duke respektuar rregullat e higjienës dhe sigurisë ushqimore, në mënyrë që të garantohet një përvojë autentike dhe cilësore për vizitorët.

Procesi i kategorizimit, zhvillohet në tri faza të njëpasnjëshme, ku fillimisht sipërmarrësi turistik kryen vetëdeklarimin përmes portalit unik qeveritar “e-Albania”, duke plotësuar formularin e aplikimit dhe duke ngarkuar dokumentacionin shoqërues të parashikuar në rregullore. Faza e dytë konsiston në shqyrtimin e dokumentacionit nga Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike, ndërsa faza e tretë parashikon verifikimin në terren, rast pas rasti, nga struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e turizmit, vetëm nëse Komisioni e kërkon një proces të tillë.

Vetëdeklarimi, kryhet tërësisht online dhe vendos përgjegjësinë ligjore mbi sipërmarrësin ose individin për vërtetësinë e të dhënave të deklaruara, të cilat mbeten objekt verifikimi sipas rregullave të rregullores. Dokumentacioni i aplikimit, përfshin certifikatën e pronësisë ose dokumente alternative si kartela e pasurisë, certifikata e përdorimit të objektit apo kontrata e qirasë, planimetrinë e strukturës për çdo kat, si dhe foto aktuale të ambienteve të brendshme dhe të jashtme.

Paralelisht, ministria përgjegjëse për turizmin siguron nëpërmjet “e-Albania” dokumente shtesë, përfshirë vërtetimin e regjistrimit në QKB, vërtetimin e gjendjes gjyqësore, vërtetimin për masat e mbrojtjes nga zjarri dhe vërtetimin për kushtet higjieno-sanitare. Përjashtimisht, për strukturat “Dhomë”, “Apartament”, “Vilë” dhe “Bllok apartamentesh”, përmbushja e kërkesave për mbrojtjen nga zjarri dhe kushtet higjieno-sanitare vetëdeklarohet nga individi dhe ngarkohet drejtpërdrejt në sistem.

Komisioni i Standardizimit shqyrton aplikimin brenda 10 ditëve nga data e aplikimit në “e-Albania”. Në rast mangësish, aplikuesi njoftohet brenda 2 ditëve dhe i jepet një afat 10-ditor për plotësimin e tyre. Kur gjatë shqyrtimit konstatohet parregullsi ose lindin dyshime të arsyeshme mbi të dhënat e deklaruara, Komisioni kërkon verifikim në terren, ndërsa grupi i punës paraqet raportin e gjetjeve brenda 5 ditëve nga dita e vizitës. Afati fillestar i shqyrtimit mund të shtyhet në mënyrë të arsyetuar, por jo më shumë se 30 ditë, me njoftim përmes portalit “e-Albania”. Në përfundim, Komisioni merr vendim për lëshimin ose jo të certifikatës së kategorizimit dhe ia përcjell për miratim ministrit, ndërsa njoftimi për tërheqjen e certifikatës ose refuzimin bëhet brenda 5 ditëve pune. Çdo refuzim duhet të jetë i arsyetuar dhe i komunikuar brenda të njëjtit afat 5-ditor.

Certifikata e kategorizimit, përmban emrin e subjektit, NIPT-in, emërtimin dhe adresën e strukturës akomoduese, kategorinë, datën e lëshimit dhe nënshkrimin e ministrit ose personit të autorizuar.

Përjashtimisht, për kategoritë “Dhomë”, “Apartament” dhe “Vilë”, certifikata nuk përmban emrin e subjektit dhe NIPT-in. Ajo gjenerohet online në “e-Albania”, afishohet në recepsion ose zonën e pritjes dhe kategoria vendoset në hyrjen kryesore ose fasadën e strukturës. Çdo certifikatë regjistrohet në Regjistrin Qendror të Turizmit dhe, në rast dhënieje me qira apo shitjeje të strukturës, poseduesi ose blerësi duhet të aplikojë për një certifikatë të re, duke dorëzuar dokumentacionin përkatës. Parashikohet gjithashtu mundësinë e ndryshimit të kategorisë.

Rregullorja parashikon për çdo kategori akomodimi, kushtet minimale dhe hapësirat e nevojshme për ushtrimin e aktivitetit, duke filluar nga orenditë te mjediset e relaxit dhe argëtimit, kushtet higjieno-sanitare, pajisjet e domosdoshme, kutia e ndihmës së shpejtë etj.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular