Kryeministri Edi Rama kishte të ftuara sot në podkastin “FLASIM – Episodi 3, Sezoni 6” dy motra kineaste shqiptare nga Vlora, Vilma dhe Greta, të cilat jetojnë dhe veprojnë në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku merren me prodhimin e filmave.
Gjatë bisedës, Rama vlerësoi historinë e tyre si një shembull pozitiv të energjisë krijuese të shqiptarëve jashtë vendit, duke theksuar se ato kanë arritur ta shndërrojnë pasionin për artin dhe filmin në një burim frymëzimi dhe energjie pozitive.
Vilma dhe Greta sipas Kryeministrit, ruajnë me krenari identitetin e tyre kulturor, ndërkohë që janë të integruara dhe aktive në industrinë kinematografike amerikane.
Dy motrat kanë prodhuar deri më tani katër filma dhe bashkëpunojnë me platformën “Amazon Prime” në Shtetet e Bashkuara, duke shënuar një tjetër sukses të diasporës shqiptare në fushën e industrisë kreative dhe kinematografisë. Ato kanë fituar gjithashtu çmime në disa festivale kinematografike ndërkombëtare.
Gjatë podkastit u bë e ditur se Vilma dhe Greta ndodhen aktualisht në Shqipëri për përgatitjen e një filmi artistik mbi jetën e Nënë Terezës.
“Kemi një skenar interesant, të bazuar në jetën e saj. Shumë njerëz mendojnë se Nënë Tereza është nga India apo Italia dhe jo nga Shqipëria. Ne duam të tregojmë se si u formua ajo si Nënë Tereza, duke u fokusuar te fëmijëria dhe rrënjët e saj”, u shprehën ato.
Sipas kineasteve, po shqyrtohen disa lokacione për xhirime, përfshirë Shkupin dhe Shkodrën, duke vlerësuar veçanërisht arkitekturën e vjetër të Shkodrës, e cila ruan ngjashmëri me periudhën e Perandorisë Osmane dhe përmban ende banesa tradicionale të kohës.
Rama theksoi se histori të tilla janë dëshmi e potencialit të shqiptarëve kudo që ndodhen dhe e rolit të rëndësishëm që diaspora luan në promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë







