Kryeministri Edi Rama u shfaq në Podkastin e tij “Flasim”, episodi tretë i sezonit të gjashtë, ku foli mes të tjerash për 21 Janarin dhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ai e cilësoi javën që po mbyllet si më e trishta, pasi u përkujtua 21 janari, për të cilin nënvizoi se ende nuk është bërë drejtësi dhe duket sikur kjo drejtësi po përqesh familjet e viktimave dhe shqiptarët.
“21 janari erdhi me hijen përqeshëse të drejtësisë. Kjo javë ishte java e trishtë e 21 janarit. Një krim shtetëror që drejtësia e vonon. Data ku u vranë 4 njerëz, 4 burra të pafajshëm. Të gjithë presim drejtësi, kjo është plaga e drejtësisë”.
Gjithashtu ai foli edhe për vitin 2026 dhe objektivat e qeverisë dhe vendit, duke kujtuar veçanërisht mbylljen e negociatave si një sfidë e vendosur nga BE për integrimin.
“Ky është një vit i rëndësishëm në fushën e negociatave në BE. Një vit kyç për përparimin e negociatave. Ky është objektivi kryesor. Po ashtu është një vit i rëndësishëm edhe për buxhetin”, tha kryeministri mes të tjerash në lidhje me aktualitetin politik të javës që u mbyll dhe për vitin 2026.
Episodi i “Flasim”, fjala e Ramës e plotë:
“SHËNIMET E JAVËS
Në nisje të episodit të 3-të, sezoni i 6-të i podkastit “Flasim”, Kryeministri Rama bëri një përmbledhje të ngjarjeve më të rëndësishme të javës:
SHQIPËRIA ANËTARE E BORDIT TË PAQES
Kjo javë nisi me një ftesë që tolloviti Shqipërinë, mund të thuhet tani, një ftesë përtej protokolleve zyrtare dhe me një domethënie shumë të fortë politike, po edhe historike sipas meje për Shqipërinë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump më dërgoi këtë ftesë për t’ju bashkuar atij në Bordin e Paqes, një organizëm i ri ndërkombëtar i themeluar po prej tij dhe për të pranuar që Shqipëria të jetë një vend anëtar themelues i këtij bordi.
Realisht, që ishte një ftesë e mirëseardhur. Por, edhe pse nuk e dyshoja që do kishte zhurmë dhe përpjekje për të bërë tollovi, nuk e mendoja që fantazitë dhe ligësia do të bashkoheshin për t’i dhënë jetë disa teorive dhe përrallave, që duhet të jesh vërtetë rëndë për të mos thënë ndonjë fjalë drejtpërdrejt të saktë, por jo të përshtatshme për këtë podkast që të arrish deri në pikat ku u arrit.
Gjithsesi, ftesa u mirëprit, u pranua, u ratifikua edhe në formën e një projektmarrëveshje, projektligji, në Kuvendin e Shqipërisë dhe Shqipëria si një shtet që ka zgjedhur paqen si busullën e vet të përhershme dhe që ka ditur të kontribuojë në tryeza të rëndësishme ndërkombëtare e pranoi me një PO të fortë, – edhe me votat e atyre, që deri në momentin që votuan, nuk lanë gjë pa thënë, por kjo është një temë krejt tjetër, – përkatësinë në këtë në këtë bord.
DREJTËSIA PËR 21 JANARIN NUK HARRON
Kjo ishte edhe java e trishtë e 21 janarit, 15 vite pas krimit shtetëror, vrasjes së katër burrave të pafajshëm protestues, tërësisht paqësor, me pushkët e shtetit në bulevard dhe përsëri 21 janari erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë.
Kjo mbeti një plagë e hapur, jo thjesht për familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, por kjo mbeti një plagë e hapur për moralin e drejtësisë në Shqipëri dhe për themelet e drejtësisë së shtetit shqiptar.
Ne përsëri u mblodhëm dhe e bëmë ritin e nderimit në kujtim të katër Dëshmorëve të Atdheut në praninë e familjarëve të tyre, të cilët presin, presin, presin drejtësi.
Dhe 21 janari është në llojin e atyre krimeve që unë i kam thënë qysh krye të herës: Janë krime shtetërore për të cilat drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron. Krimet shtetërore duan kohë të zbardhën, por koha nuk i zhbën dot nga kujtesa. dhe nga tryeza e njerëzve të drejtësisë. Uroj, shpresoj që SPAK-u, i cili prej gjashtë vjetësh ka marrë jetë dhe gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur gjatë gjithë kohës inkurajimet më të sinqerta për të shkuar përpara, për të luftuar për të vendosur drejtësinë përfundimisht në binarët e rinj të barazisë para ligjit për të gjithë, – të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim, që është një njollë për drejtësinë shqiptare dhe nuk duhet lejuar që të bëhet njollë, sepse do të jetë e pashlyshme, për vetë SPAK.
2026, VIT KYÇ PËR NEGOCIATAT ME BASHKIMIN EUROPIAN
Ky është një vit kyç për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Është një moment vendimtar për procesin dhe për përparimin e Shqipërisë në rrugën e negociatave. Dhe këtë javë, pikërisht për këtë arsye, është prezantuar edhe paketa e re, me një duzinë nismash ligjore që shkojnë në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës dhe përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian dhe këto janë nisma që përfshijnë fusha thelbësore si; lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, forcimi i institucioneve, dhe nuk janë thjesht detyrime në letër, që natyrisht janë edhe detyrime në kartën e ligjit që burojnë nga negociatat, por janë dhe një investim i mëtejshëm në besimin e qytetarëve dhe në funksionimin e shtetit ligjor.
Ky është një vit kur Shqipëria duhet me patjetër të provojë se është e gatshme, jo vetëm t’i kalojë reformat, por dhe t’i jetësojë ato, duke pasur parasysh që të gjithë çdo ditë, në çdo hap, se ky moment nuk mund të humbet.
SKEMA KOMBËTARE 2026 PËR FERMERËT
Këtë javë ka nisur edhe një tur dëgjesash publike i Ministrit të ri të Bujqësisë, me fermerët në të gjithë vendin, që ka si qëllim hartimin e Skemës Kombëtare të 2026, pra, kanalizimin e të gjithë buxhetit dhe të të gjitha burimeve të financimit të bujqësisë, duke hartëzuar të gjithë hapat së bashku me fermerët dhe duke hapur rrugën e forcimit të të gjitha urave që ne i kemi ngritur me komunitetin sipërmarrës të fshatit, edhe me ata që punojnë si bujq në tokën e tyre përmes dëgjimit të çdo shqetësimi dhe pastaj sintezës mbi idetë.
Është vit shumë i rëndësishëm në aspektin buxhetor dhe në aspektin financiar, sepse potenciali për të disbursuar, jo thjesht fondet e buxhetit fillestar, por një volum shumë më të madh financimi është aty, sepse nuk është vetëm buxheti i shtetit, është linja e kredisë e garantuar nga Banka e Shqipërisë, është nga ana tjetër, AZHBR-ja, është AgroKrediti, është edhe një tjetër injeksion financimi që ne do të bëjmë, përgatitja për të cilën fillon tani, përmes Bankës së re të Zhvillimit, kështu që na duhet me patjetër që të adresojmë nevojat dhe t’i kanalizojmë këto financime, aty ku ka më shumë efikasitet dhe aty ku do të prodhojë më shumë vlerë të shtuar”.







