Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 30-vjeçar, i identifikuar si Emiljan Nikolli, alias Emiljan Lleshi nga Mamurrasi.
Sipas policisë, gjatë vitit 2025 dhe muajit janar 2026, 30-vjeçari dyshohet se ka kryer 11 vjedhje, prej të cilave 7 nën kërcënimin e armës.
Mes rasteve të dokumentuara janë vjedhje në dy karburante, një dyqan dhe katër taksistë, ku dyshohet se ka përdorur një pistoletë lodër. Po ashtu, ai akuzohet për katër vjedhje të tjera në markete dhe banesa.
Gjithashtu, ndaj tij rëndojnë dyshime se ka djegur pjesërisht një automjet në Tiranë dhe ka kanosur me fjalë ish-vjehrrën e tij. Për këto fakte, ai dyshohet për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kanosja”.
Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi G. D, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
Ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër të shpallur në kërkim, Aurel Luli.
Njoftimi:
Finalizohet faza e dytë e operacionit policor të koduar “Koordinimi”.
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i një serie vjedhjesh nën kërcënimin e armës.
Gjatë vitit 2025 dhe janarit të këtij viti, 30-vjeçari dyshohet se ka kryer 11 vjedhje, ndër to 7 nën kërcënimin e armës.
Gjithashtu, 30-vjeçari dyshohet se ka djegur pjesërisht një automjet në Tiranë dhe ka kanosur me fjalë ish-vjehrrën e tij.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, hetimeve të thelluara për zbardhjen e një sërë vjedhjesh të ndodhura përgjatë vitit 2025 dhe janarit 2026, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, Komisariatit të Policisë Lezhë, Komisariatit të Policisë Mirditë dhe Seksioni i Mbështetjes Operacionale i DVP Lezhë kanë organizuar dhe finalizuar fazën e dytë të operacionit “Koordinimi”.
Si rezultat i fazës së dytë të operacionit, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u bë e mundur kapja në Tiranë e shtetasit Emiljan Nikolli, alias Emiljan Lleshi 30 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kanosja”, si autor i 11 vjedhjeve (dy karburanteve, një dyqani dhe 4 taksistëve nën kërcënimin e armës, ku dyshohet se ka përdorur një pistoletë lodër, si dhe ka kryer edhe 4 vjedhje të tjera, në markete e banesa).
Në momentin e ndalimit, 30-vjeçari ka qenë në shoqërinë e shtetasit G. D., 42 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë, ku gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe aparat celular.
42-vjeçari u procedua penalisht për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit A. L., i dyshuar si bashkëpunëtor i 30-vjeçarit.
Identifikimi i autorëve u bë gjatë fazës së parë të këtij operacioni, të zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës.
Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.







