HomeEkonomiE-Albania bllokon aktivitetin e bizneseve, prej një jave SelfCare s'punon, askush nuk...

E-Albania bllokon aktivitetin e bizneseve, prej një jave SelfCare s’punon, askush nuk përgjigjet. Reagon kreu i Tatimeve Binaj

Advertismentspot_img

Ka më shumë se një javë që aktiviteti i bizneseve është i bllokuar, pasi një platformë e rëndësishme, sistemi self-care, që funksionon përmes e-Albania nuk punon.

Edhe më parë ky sistem ka pasur probleme, por herë pas here aksesohej. Po ka disa ditë që ai është tërësisht jo funksional dhe ankesat e bizneseve kanë rënë në vesh të shurdhër. Edhe Monitor, që po e trajton këtë problem prej një jave ka pyetur disa herë pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), që menaxhon platformën, por përgjigja ka qenë :”Sistemi është në rregull”.

“Monitor” ka mësuar se ka pasur probleme me tenderin e mirëmbajtjes dhe një valë dorëheqjesh ka përfshirë AKSHI-n, ndërkohë që dhe SPAK ka nisur zyrtarisht hetimet për tendenat që janë dhënë nga ky institucion në vite. “Punonjësit e AKSHI po japin masivisht dorëheqjen nga detyra për ndjekjen e kontratave”, i tha “Monitor” një burim.

Profesionistë kanë vërshuar me email-e ankesash në adresat e institucioneve zyrtare.

“Prej më shumë se një jave po hasim vështirësi në aksesimin e platformës SelfCare, pasi kjo platformë nuk lejon kryerjen e asnjë veprimi funksional dhe shfaqet vetëm në formë statike, siç paraqitet në foton bashkëlidhur. Si pasojë, procesi i fiskalizimit të faturave te shitjes, deklaratave doganore etj nga ana jonë është i pamundur, duke na penguar në përmbushjen e detyrimeve ligjore në përputhje me Ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar.

Në mbështetje të nenit 26 të Ligjit nr. 87/2019, dhe të VKM nr. 431, datë 03.06.2020, “Për Platformën Qendrore të Faturave”, si organe të ngarkuara me ligj, ju lutemi të merrni masat e nevojshme për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj problematike, me qëllim garantimin e përmbushjes së detyrimeve tona ligjore”, thuhet në një ankesë që bizneset i kanë drejtuar institucioneve.

Kjo situatë po ndodh megjithëse investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta në 6 vitet e fundit.

Në vitin 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë që jepeshin në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në 4 vjet, ose gati 500 mln euro. po në dekadën e fundit, administrata është shtuar me 20 mijë persona, për të arritur në 184 mijë punonjës, por sërish bizneset nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre!

Shqipëria mund të jetë madje një rast unik ku bizneset i “luten” qeverisë që tí lërë të punojnë e në këtë mënyrë të paguajnë taksat!

Janë të shumta bizneset, ekonomistët dhe kontabilistët që prej mëse një jave raportojnë me shqetësim se aktiviteti i tyre për transmetimin e të dhënave të faturave të fiskalizuara dhe deklaratave doganore është i bllokuar, për shkak të mosfunksionimit të sistemit SelfCare që përdoret nëpërmjet e-Albania.

Për shumë biznese, sistemi rezultoi i bllokuar edhe sot në orët e para të mëngjesit.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, i pyetur nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp për mosfunksionimin e sistemit të fiskalizimit, tha se për të dhënat që nuk arrihen të raportohen nga bizneset mund të mblidhen për t’i raportuar në një kohë të dytë.

“Paraprakisht, doja të shpjegoja që sistemet tona janë nga më të avancuarat dhe ne jemi në zhvillim të tyre të vazhdueshëm, madje duke përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale.

Sigurisht që gjatë punës sonë, ka momente që sisteme krijojnë probleme, kjo ndodh kudo dhe ato adresohen nga strukturat e IT-së me përgjegjësi maksimale për të ndihmuar bizneset në punën e tyre.

Kur ndodhin këto problematika, bizneset kanë mundësi, që të dhënat që nuk janë në gjendje t’i raportojnë në sistemin e fiskalizimit, t’i mbledhin dhe t’i raportojnë në një kohë të dytë”.

Binaj për SelfCare: Sistemet tona, nga më të avancuarat; Bizneset t’i dorëzojnë në një kohë të dytë

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, në sqarimin e tij gjatë konferencës për shtyp nuk dha afat për periudhën e dytë të raportimit të të dhënave

Profesionistë kanë vërshuar me email-e ankesash në adresat e institucioneve zyrtare ku kërkojnë “masat e nevojshme për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj problematike, me qëllim garantimin e përmbushjes së detyrimeve tona ligjore”, theksohej ndër të tjera në një ankesë që bizneset i kanë drejtuar institucioneve.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular