“Brenda gjashtëmujorit të parë ju siguroj që do mbyllen disa kapituj”. Kështu u shpreh ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Europian, Ferit Hoxha, gjatë një interviste në Klan News me gazetarin Besard Jacaj. Ai u shpreh se kjo vjen si pjesë e një plani që është dakordësuar me Komisionin Europian.
“Jo vetëm presim mbylljen e ndonjë kapitulli, por presim mbylljen e një numri të konsiderueshëm kapitujsh. Ne kemi një plan pune. Ne nuk po ecim as qorrazi dhe as me dëshirën tonë. Ne po ecim me një plan pune që kemi dakordësuar me KE-në dhe aty janë të përfshirë edhe afatet që mendojmë se janë realistë për mbylljen e kapitujve”, tha Hoxha.
Megjithatë çdo gjë, sqaroi ambasadori do të varet nga ecuria e procesit.
“Gjithmonë në këtë proces do jenë tre komponentë të rëndësishëm, është gjithë pala shqiptare me aktorët e saj, është gjithë Komisioni Europian që negocion në emër të BE-së dhe vendet anëtare që vlerësojnë dhe marrin vendimin”, shtoi ai.
Por a ka ndryshuar qëndrimi i Bashkimit Europian për Shqipërinë në lidhje me planin për zgjerimin? Ambasadori Hoxha tha se asgjë nuk ka ndryshuar, por tashmë jemi në proces pas hapjes së të gjithë grupkapitujve.
“Tani kemi kaluar në procesin tjetër. Ne jemi në një proces që është i veçantë dhe specifik me metodologjinë e re të zgjerimit që ka të bëjë me atë që quhet piketat e ndërmjetme. Ato janë 24 kërkesa specifike të përcaktuara në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare që është mbajtur kur është hapur grupkapitulli i parë dhe gjatë së cilës Shqipëria ka marrë një numër angazhimesh. Këto angazhime duhet të plotësohen në mënyrë që pasi të quhen të plotësuara kënaqshëm dhe kjo do verifikohet nga KE dhe vendet anëtare, atëherë Shqipëria do të fillojë të mbyllë kapitujt. Pra është një etapë e ndërmjetme, jashtëzakonisht e rëndësishme, i cili është duke u bërë”, tha ambasadori.
Ai bëri me dije se gjatë muajit shkurt në Shqipëri do të vijë një delegacion i veçantë i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të PE-së. Sipas Hoxhës, ky delegacion do të takohet me aktorët politikë shqiptarë brenda dhe jashtë parlamentit, me qeverinë si dhe institucionet e tjera për të parë se ku ndodhet Shqipëria në ecurinë e procesit dhe çfarë duhet bërë në vijim.







