HomeOP EDA jemi në “kilometrin e fundit” apo në rrethin e fundit të...

A jemi në “kilometrin e fundit” apo në rrethin e fundit të ferrit? nga Sidi Hasanaj

Advertismentspot_img

nga Sidi Hasanaj
Në protestën e fundit, Sali Berisha e mbylli fjalën e tij me deklaratën se “jemi në kilometrin e fundit të Edi Ramës”, duke u premtuar mbështetësve se rrëzimi i tij është në fazën finale, në epilog.

Por a kemi vërtet të bëjmë me një pushtet linear , me një sistem që nisi në vitin 2013 dhe sot po shkon drejt fundit natyror? Apo jemi përballë një realiteti shumë më të ndërlikuar?

Sepse gjithnjë e më shumë, Shqipëria nuk ngjan me një vijë që shkon drejt përfundimit, por me një rreth vicioz, ku dy forca kryesore të sistemit e ri-energizojnë njëra-tjetrën, duke prodhuar një rreth ferri politik, ku pushteti riciklohet pa u rrëzuar kurrë realisht.

Por le të bëjmë një analizë të ngjarjeve të fundit për të arritur sa më pranë të vërtetës:

Së pari, Edi Rama është padyshim në pikën më të lartë të neverisë dhe refuzimit nga qytetari shqiptar. Skandalet e korrupsionit, beteja e tij për të mbrojtur Belinda Ballukun përballë SPAK-ut, izolimi në Washington dhe përpjekjet e dëshpëruara për t’i shpëtuar këtij izolimi deri në tentativa për të krijuar ura përmes biznesesh me vajzën e Donald Trump, takime në Izrael dhe trokitje të dëshpëruara në pragje për të dëgjuar dera e Trump, janë politikisht dhe moralisht të neveritshme.

Ky është Edi Rama i Ergys Agasit dhe i skandaleve të AKSHI-t. Rama i Ballukut dhe Veliajt. Rama që kërkon me çdo kusht imunitet nga SPAK-u, duke përdorur pasuritë dhe interesat e Shqipërisë si monedhë shkëmbimi. Por kjo strategji nuk ka për të funksionuar, as Presidenti i SHBA-ve nuk do korruptohet nga i korruptuari i Shqipërisë.

Trajektorja e Ramës është e qartë: ajo shkon drejt greminës politike dhe penale.

Por në këtë trajektore rënieje, a ekziston një forcë që e ringrit Ramën politikisht dhe moralisht, aq sa për ta mbajtur sërish në pushtet? Kush është kjo forcë?

Protesta që e forcoi apo dobësoi Ramën?!

Protesta e së shtunës e PD-së u paraqit si momenti i rrëzimit të Ramës. Por nën mjegullën e fjalimeve banale dhe artikulimit vulgar të mediokritetit të folësve, u artikulua një qëndrim politik shumë i qartë dhe ai doli nga goja e vetë Berishës:

“Edi Ramën nuk do ta rrëzojë as drejtësia dhe as Amerika, por ne demokratët.”

Kjo ishte një kthesë 180 gradë. Fabula katërvjeçare se ardhja e Trump në pushtet dhe rrëzimi i “lobit Soros” do të ishte arma vendimtare për rrëzimin e Ramës, u zhduk brenda një fjalie.

I gjithë investimi politik i Berishës për t’u paraqitur si “aleat i Trump” u shkrinë në ajër, ndërkohë që Edi Rama po shkon në borde ndërkombëtare paqeje me vota edhe të PD-së për t’u takuar pikërisht me atë Trump që Berisha e kishte shitur si pronë politike të tij.

Rezultantja e parë e protestës ishte kjo:

Pas katër vitesh ku demokratëve iu tha se Biden, Soros dhe SHBA ishin pengesat që prodhuan non-gratën e tij, tani u thuhet se as Amerika nuk do ta rrëzojë Ramën, se non-grata nuk do hiqet, dhe se Rama, përkundrazi, do të takojë Trumpin … jo Berisha, ndërkohë që Berisha është i refuzuar jo vetëm nga SHBA e Trumpit, por edhe nga çdo shtet europian dhe çdo ambasador europian në Tiranë.

A e dobësoi kjo qasje Ramën, ky produkt i protestës së Berishës?

Jo aspak! Thjeshtë e forcoi.

Dhe kjo forcë Ramës i erdhi pikërisht nga opozita e udhëhequr nga Sali Berisha.

Sot socialistët e shohin Ramën më të fortë. Opozitarët ndihen më të dekurajuar se kurrë. Rama ka një fije komunikimi me Presidentin Trump (edhe pas kaq shumë skandalesh korrupsioni) dhe Berisha pranoi që do vazhdoi të qëndroi Nongrata nga administrata Trump, njësoj si nga ajo Biden.

Së dyti, Berisha tregoi me akte se tashmë është një lider figurant brenda PD-së. Pas fjalimit përmbyllës, ai u tërhoq në seli, ndërsa drejtimin real të përplasjes me policinë e morën aktorët e vërtetë të PD-së së sotme.

Molotovët, përplasjet dhe dirigjimi i turmës ndodhën nën udhëheqjen e Shkëlzen Berishës, i shoqëruar nga Arjan Ndoja dhe Gjin Gjoni.

Kjo është sot kupola reale e PD-së.

Dhe nga kjo kupolë u artikulua qëndrimi i dytë politik zyrtar:

“SPAK është vegël e Edi Ramës, ne nuk mund të bëjmë kurrsesi gabimin naiv ti besojmë atij.”

Pra qytetarëve u thuhet qartë se as Amerika nuk është shpresë dhe as drejtësia nuk është shpresë për të rrëzuar Edi Ramën.

Por shpresa është një parti e drejtuar nga kupola me Shkëlzen Berisha, Arjan Ndoja dhe Gjin Gjoni, dhe me strukturë poshtë Flamur Nokën, Klevis Balliun dhe Belind Këlliçin.

Po kjo fytyrë e PD-së që e pamë të shtunën, e dobësoi Ramën?

Sërish Jo. Përkundrazi imazhi i tij i zymtë, u ringrit sërish. Si mundej të zbardhej sadopak një imazh skëterrë si i Ramës? Mjaftonte që ti vendosje Shkëlzenin, Ndojën dhe Gjin Gjonin, e në pas Flamurin me Balliun.

Pyetja e fundit është e pashmangshme dhe derivon nga përgjigjet e mësipërme:

Pse Berisha i bën këtë shërbim Ramës? Çfarë fiton?

Berisha e di që nëse nuk fiton dot vendin e parë, por ai mund të fitojë vendin e dytë të përjetshëm…Berisha e di se nëse nuk mbivendoset në opinion publik me zhurmë dhe “dhunë” si opozita e vetme, krijohet një vakum politik që i rrezikon pushtetin e tij real.

Ai dhe Rama janë dy aktorët e vetëm realë të këtij sistemi. Protagonist dhe antagonist të të njëjtit teatër. Secili mbret i pozicionit të vet dhe të dy bashkë mbretër të pushtetit politik, ekonomik dhe institucional në Shqipëri.

Prandaj nuk ka “kilometër të fundit”.

Ka një rreth të fundit të ferrit, ku Rama dhe Berisha ushqejnë njëri-tjetrin për të mos rënë kurrë.

Por Berisha po kryen një krim të madh moral ndaj demokratëve: ai po përdor revoltën e tyre të drejtë ndaj Edi Ramës për të krijuar shpresa të rreme dhe iluzione të fabrikuara.

Niçe thoshte se armiku më i madh i së vërtetës nuk është gënjeshtra, por bindjet. Dhe Berisha po instrumentalizon revoltën opozitare për të ndërtuar bindje të rreme që e mbajnë atë në krye të PD-së.

Pasi krijoi bindjen se Trump do t’ia hiqte non-gratën bindje që u demaskua , pasi krijoi bundjen se Rama do arrestohej si Maduro dhe përsëri u diskretitua, tani po krijon bindjen se pavarësisht gjithçkaje ai është i vetmi lider që mund ta rrëzojë Ramën:

Ai “përplaset” me policinë, përdor molotovë, çon deputetë në komisariate për të çliruar protestuesit nga “qelitë e narko shtetit”, ai “shan” Ramën dhe denoncon aferat e tij, duke u shfaqur si antagonisti i vetëm.

Kjo është maskarada më e madhe e Berishës. Helmi i propagandës së tij. Sepse në finale, ai vetëm sa e forcon dhe e ringrit Ramën, përsëri dhe përsëri.

Ndërkohë Berisha është i refuzuar nga SHBA, Britania dhe tashmë nga çdo shtet europian, ndërsa protestat e tij nuk kanë fytyra qytetare, por udhëhiqen nga Shkëlzeni dhe figura të konsumuara të sistemit.

Një lider opozite që nuk pritet nga askush zyrtar apo politikan në kontinentin Europian, por i duhet të hyjë “vjedhurazi” në Strasburg pas hijes së Albana Vokshit.

Demokratët duhet ta kuptojnë se

Çdo ditë që jeton pa e parë të vërtetën, është një ditë e marrë hua nga vetja jote e ardhshme.

Iluzionet duhen të marrin fund pa druajtje. Se kur njeriu pranon fundin e një iluzioni, shpresa nuk vdes, përkundrazi bëhet më e thellë dhe më reale. Shpresa për të mundur Ramën,, nuk ka pse vrihet, por duhet pastruar nga gënjeshtra.

Gënjeshtra e ka emrin Sali Berisha, bindja e gënjeshtërt është bindja se “Berisha mund të rrëzoj Ramën edhe pse është i izoluar dhe nën akuzë për korrupsion madhor”

E nëse shpresa “Berisha” vdes, demokratët duhet të gjejnë një shpresë ekzistenciale:

Të ecin në rrugën e ndershmërisë, jo në rrugën e Shkëlzenit; të mbështesin drejtësinë, jo ish prokurorë të korruptuar si Ndoja dhe ish gjyqtarë miliarder të sistemit si Gjin Gjoni;

Demokratët duhet të përqafojnë të vërtetën!

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular