Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit po përgatitet të vërë në skenë një nga operat më të famshme të Gaetano Donizetti-t, “L’elisir d’amore”.
Kjo opera lirike, e karakterizuar nga komiciteti dhe romantizmi, vjen në datat 11, 12, 13 dhe 14 shkurt. Ngjarjet zhvillohen në një fshat piktoresk bregdetar, ku shpaloset historia e Nemorinos, djaloshi naiv dhe i ndrojtur, i cili beson se një elikzir magjik do ta ndihmojë të fitojë zemrën e Adinës. Muzika e Donizetti-t e shndërron elikzirin në simbol të shpresës dhe dëshirës njerëzore për t’u ndjerë i zgjedhur dhe i dashur.
“L’elisir d’amore” bashkon në skenë emra të spikatur të skenës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, duke sjellë një larmi zërash dhe temperamentesh artistike, të ndarë në dy kaste.
TKOBAP bëri të ditur se, në këtë opera do të jenë edhe emra që janë bërë të njohur ndërkombëtarisht si Enkeleda Kamani dhe Gëzim Myshketa, të cilët i japin këtij produksioni një dimension të gjerë artistik dhe profesional.
Enkeleda Kamani dhe Nina Muho do t’i japin jetë Adinës me finesë vokale dhe ndjeshmëri skenike, duke nxjerrë në pah karakterin e saj të lirë dhe lozonjar. Në rolin e Nemorinos do të jenë Galeano Salas dhe Matteo Mezzaro me emocionin, butësinë dhe sinqeritetin e djaloshit naiv e të dashuruar.
Davide Luciano dhe Artur Vera interpretojnë rolin e Belcores me autoritet dhe prani të fuqishme skenike. Rolin plot ngjyra të Doktor Dulcamarës e mishërojnë Gëzim Myshketa dhe Matteo D’Apolito, me energji, karizëm dhe një sens të mprehtë komik që gjallëron çdo skenë. Ndërsa Ana Tafani dhe Greis Shametaj sjellin Gianettën me freskinë, hijeshinë dhe elegancën që e përfaqëson personazhin e saj, duke plotësuar kështu mozaikun e kësaj komedie lirike e plot jetë.
“L’elisir d’amore” rikthehet në skenën e TKOBAP pas 14 vitesh, me regjinë e Riccardo Canessa-s, dhe skenografi e kostume nga Alfredo Troisi.







