HomeSociale“Fasting” nën lupën e shkencës, rrezik për zemrën?

“Fasting” nën lupën e shkencës, rrezik për zemrën?

Advertismentspot_img

“Fasting”, një nga dietat më të ndjekura të viteve të fundit, po vihet seriozisht në pikëpyetje nga shkenca. Një studim i ri në shkallë të gjerë sugjeron se kufizimi i ushqimit në më pak se tetë orë në ditë mund të lidhet me një rrezik ndjeshëm më të lartë për vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare.

Sipas studimit, i cili analizoi të dhënat e mbi 19 mijë të rriturve, personat që ushqeheshin brenda një dritareje ditore më të vogël se tetë orë kishin 135% më shumë gjasa të vdisnin nga sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, krahasuar me ata që e shpërndanin ushqimin në 12–14 orë.

“Fasting” nuk përcakton domosdoshmërisht çfarë hahet, por kur hahet. Forma më e zakonshme është modeli 16:8, ku ushqimi konsumohet për tetë orë dhe për 16 orë nuk merret ushqim. Modele të tjera, si dieta 5:2, kufizojnë kaloritë vetëm në ditë të caktuara të javës.

Kjo dietë është promovuar gjerësisht nga figura publike dhe është konsideruar si një mënyrë e thjeshtë për humbje peshe dhe përmirësim të metabolizmit.

Studimi zbuloi se rreziku i shtuar për sëmundje kardiovaskulare mbeti i pranishëm edhe pasi u morën parasysh faktorë si cilësia e dietës, stili i jetesës dhe niveli socio-ekonomik. Rreziku ishte më i lartë tek duhanpirësit, personat me diabet dhe ata me sëmundje ekzistuese të zemrës.

Ndërkohë, lidhja mes agjërimit me ndërprerje dhe vdekshmërisë së përgjithshme (nga të gjitha shkaqet) rezultoi më e dobët dhe jo e qëndrueshme.

Autorët e studimit theksojnë se rezultatet nuk dëshmojnë drejtpërdrejt se agjërimi me ndërprerje shkakton sëmundje të zemrës, por sinjali është mjaft i fortë për të ngritur shqetësime serioze.

“Gjetja më e papritur është se ndjekja për vite me radhë e një dritareje ushqimi më pak se tetë orë lidhet me rrezik më të lartë vdekjeje nga sëmundjet kardiovaskulare”, u shpreh Victor Wenze Zhong, autori kryesor i studimit, epidemiolog në Universitetin e Mjekësisë Shanghai Jiao Tong.

Në një editorial shoqërues, endokrinologu i njohur Anoop Misra thekson se, ndonëse agjërimi me ndërprerje mund të sjellë përfitime si humbje peshe dhe përmirësim të ndjeshmërisë ndaj insulinës, ai nuk është i përshtatshëm për të gjithë.

Sipas tij, personat me diabet, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike rrezikojnë ulje të rrezikshme të sheqerit në gjak, mungesë të lëndëve ushqyese dhe humbje të masës muskulore.

Studiuesit rekomandojnë kujdes dhe personalizim të dietës, bazuar në gjendjen shëndetësore të individit. Fokusimi vetëm te orari i ushqimit, pa marrë parasysh cilësinë e ushqimeve, mund të mos jetë zgjidhja më e mirë për shëndetin afatgjatë.

Mesazhi kryesor, të paktën për momentin, është i qartë: ajo që hahet është po aq e rëndësishme, në mos më shumë, sesa koha kur hahet. Deri në prova më të forta shkencore, ekspertët sugjerojnë të mos ndiqen skema strikte agjërimi për periudha të gjata, sidomos nga personat në rrezik.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular