Shqipëria ka specifikuar kohën e hyrjes në zonën Shengen.
Në Fletoren Zyrtare është botuar Vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e Planit të Veprimit Schengen 2026–2030, dokument që përcakton masat që vendi do të ndërmarrë në katër vitet e ardhshme për përgatitjen drejt anëtarësimit në zonën Schengen.
Plani synon përafrimin e plotë me standardet Schengen, duke u fokusuar në menaxhimin e kufijve të jashtëm, forcimin e sistemit të azilit, politikën e vizave, si dhe rritjen e sigurisë dhe bashkëpunimit policor. Dokumenti parashikon ngritjen e strukturave drejtuese dhe angazhimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse në zbatim.
Sipas Planit të Veprimit, deri në vitin 2030, Shqipëria synon të përmbushë të gjitha kërkesat teknike dhe ligjore të Schengen-it, në përputhje me Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria” në negociatat me Bashkimin Europian.
Plani përfshin masa konkrete për kontrollin kufitar, parandalimin e migracionit të parregullt, luftën kundër krimit ndërkufitar, si dhe përdorimin e sistemeve europiane të informacionit, përfshirë sistemin Schengen dhe atë të hyrje-daljes.
Zbatimi i planit do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa një vlerësim afatmesëm do të kryhet në fund të vitit 2027, dhe vlerësimi përfundimtar në vitin 2030, si pjesë e rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.







