Të martën, më 27 janar 2026, Muzeu Kombëtar i Letërsisë Rumune në Bukuresht u shndërrua në skenën e një ngjarjeje me peshë simbolike dhe kulturore të veçantë: shqipe u prezantua dhe u diskutua si një korpus i plotë estetik dhe historik, përmes emrave që kanë ndërtuar identitetin e saj modern – Faik Konica, Migjeni, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Mitrush Kuteli, Anton Pashku, Sotir Andoni, Nonda Bulka, Kasëm Trebeshina, Luan Starova, Vath Korreshi dhe shumë të tjerë. Ishte një moment ku kujtesa letrare shqiptare gjeti një hapësirë të denjë dialogu në një institucion të kulturës europiane.
Shkak për këtë takim të elitës intelektuale rumune dhe shqiptare ishte promovimi i vëllimit të parë të antologjisë “Proză albaneză / Prozë shqiptare”, një botim përfaqësues që mban firmën e dy albanologëve të njohur, Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Melonashi-Topçiu. Përzgjedhja e kujdesshme e fragmenteve, përkthimi i tyre në rumanisht dhe shënimet kritike shoqëruese janë fryt i një pune disavjeçare, i konceptuar jo thjesht si akt përkthimi, por si një ndërmjetësim kulturor i qëndrueshëm. I botuar nga Shtëpia Botuese “Asdreni”, nën kujdesin e Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), ky vëllim përfaqëson një etapë kulmore në projektin sistematik të prezantimit të letërsisë shqipe në hapësirën kulturore rumune, përkrah veprave themelore si Historia e Letërsisë Shqipe nga zanafilla deri më sot, shkruar nga Dr.Luan Topçiu dhe fjalorët dygjuhësh të realizuar nga të njëjtët autorë.
Në aktivitet morën pjesë personalitete të jetës akademike, kulturore dhe institucionale, ndër të cilët Dr. Radu-Cosmin Săvulescu, kryetar i ALAR-it, deputeti Bogdan-Alin Stoica, përfaqësues i pakicës shqiptare në Parlamentin e Rumanisë, si dhe Prof. Dr. Ștefan Firică nga Universiteti i Bukureshtit, i cili, në një kumtesë të thelluar dhe të artikuluar me finesë kritike, vuri në dukje afërsitë estetike, tematike dhe historike mes letërsisë shqipe dhe asaj rumune, duke e vendosur këtë antologji në një kontekst më të gjerë ballkanik dhe europian.
Në fjalën e tij, Dr. Luan Topçiu theksoi se antologjia nuk synon të jetë një përmbledhje rastësore tekstesh, por një pasqyrë e historisë të një populli, e lexuar përmes prozës së tij. “Këtu bashkohet ironia moderne e Konicës me revoltën tronditëse të Migjenit; hijeshia rurale e Kutelit dhe Sotir Andonit me ekspresionizmin e Anton Pashkut dhe lirizmin intelektual të Martin Camajt. Nga shkrimi i rafinuar i Ernest Koliqit te surrealizmi onirik i Kasëm Trebeshinës dhe dimensioni historik i Ismail Kadaresë e Vath Koreshit, ky vëllim dëshmon se proza shqipe është një organizëm i gjallë, në dialog të vazhdueshëm me historinë dhe me universalitetin”, u shpreh ai, duke nënvizuar se letërsia mbetet pasqyra më e ndershme e transformimeve shoqërore dhe shpirtërore.
Ngjarja, e realizuar me mbështetjen e Qeverisë së Rumanisë, rikonfirmoi rolin e letërsisë si mjet themelor i ruajtjes së kujtesës dhe identitetit kulturor. Të pranishmit u pajisën me kopje të antologjisë të nënshkruara nga autorët, ndërsa vëllimi pritet të jetë i pranishëm në panairet dhe salonet kryesore të librit në Rumani, duke e forcuar më tej dialogun kulturor shqiptaro-rumun dhe duke hapur një kapitull të ri njohjeje reciproke përmes letërsisë.
Zyra e shtypit ALAR, Bukuresht, janar 2026








