HomeEkonomiKrijohet “Innovation4Albania”, bashkon agjencinë e inovacionit dhe atë për startup-et

Krijohet “Innovation4Albania”, bashkon agjencinë e inovacionit dhe atë për startup-et

Advertismentspot_img

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për organizimin dhe funksionimin e agjencisë së re shtetërore “Innovation4Albania”, e cila do të shërbejë si struktura qendrore për zhvillimin e inovacionit, modernizimin e administratës publike dhe mbështetjen e ekosistemit të startup-eve në Shqipëri.

Agjencia e re do të funksionojë si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për inovacionin, me seli në Tiranë. Ajo do të financohet nga buxheti i shtetit, donacione dhe burime të tjera të ligjshme, ndërsa buxheti i saj do të përbëjë një zë të veçantë në buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Sipas vendimit, “Innovation4Albania” ka si mision nxitjen dhe promovimin e inovacionit, përfshirjen e ekspertizës vendase dhe ndërkombëtare në administratën publike dhe zbatimin e teknologjive të përparuara në shërbimet publike. Paralelisht, agjencia synon të sigurojë mirëfunksionimin dhe zhvillimin e ekosistemit të startup-eve, përmes politikave mbështetëse, programeve financiare dhe bashkëpunimit me aktorë publikë e privatë.

Në fokus të veçantë do të jetë bashkëpunimi me ministritë e linjës dhe institucionet publike për zhvillimin e projekteve inovative, identifikimin e zgjidhjeve të reja për problematika komplekse dhe modernizimin e administratës. Agjencia do të ofrojë gjithashtu shërbimin “startup one stop-shop”, duke asistuar startup-et dhe lehtësuesit gjatë gjithë ciklit të zhvillimit të tyre, nga aplikimi për pasaportën e startup-it deri te përfitimi i skemave mbështetëse.

Një rol kyç në veprimtarinë e saj do të kenë edhe “Njësitë e inovacionit”, të cilat do të funksionojnë pranë ministrive të linjës dhe institucioneve qendrore. Këto njësi do të identifikojnë koncepte dhe procese novatore, do të analizojnë të dhëna për hartimin e politikave dhe do të menaxhojnë projekte pilot, duke zbatuar ciklin e ashtuquajtur të “inovacionit të hapur”, përfshirë sfida GovTech, sandbox-e dhe akseleratorë.

Agjencia do të administrojë Regjistrin e startup-eve dhe lehtësuesve, në bashkëpunim me AKSHI-n, do të mirëmbajë portalin zyrtar startupalbania.gov.al dhe do të raportojë periodikisht mbi ecurinë e ekosistemit shqiptar të startup-eve, si në nivel kombëtar ashtu edhe në krahasim me tregjet ndërkombëtare. Po ashtu, ajo do të monitorojë përdorimin e fondeve publike dhe donatore, do të kryejë disbursimet përkatëse dhe do të ndërmarrë veprime ligjore në rast abuzimesh apo mospërmbushjeje detyrimesh.

Pranë “Innovation4Albania” do të ngrihet edhe Këshilli i Inovacionit, si forum këshillimor dhe bashkërendues mes institucioneve publike, sektorit privat, botës akademike, donatorëve dhe aktorëve të tjerë të ekosistemit. Këshilli do të ketë natyrë këshillimore, pa shpërblim dhe pa mbështetje buxhetore, ndërsa agjencia do të shërbejë si sekretariat teknik i tij.

Në aspektin organizativ, agjencia do të drejtohet nga një Drejtor i Përgjithshëm, i emëruar nga ministri përgjegjës për inovacionin, i mbështetur nga një zëvendësdrejtor. Drejtori i Përgjithshëm duhet të ketë arsim të nivelit master dhe të paktën pesë vite përvojë në pozicione drejtuese, ndërsa marrëdhëniet e punës për drejtuesit dhe punonjësit do të rregullohen nga Kodi i Punës.

Vendimi parashikon gjithashtu bashkimin institucional të dy strukturave ekzistuese: Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës dhe Agjencisë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve. Punonjësit, asetet dhe fondet e dedikuara për inovacionin dhe startup-et do të transferohen te “Innovation4Albania”, ndërsa dy vendimet e mëparshme për këto agjenci shfuqizohen.

Emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm pritet të bëhet brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit, i cili do të zbatohet pas botimit në Fletoren Zyrtare. Qeveria synon që me këtë riorganizim të krijojë një qendër të vetme dhe funksionale për politikat e inovacionit dhe zhvillimin e startup-eve, duke rritur koordinimin institucional dhe efektivitetin e mbështetjes publike në këtë sektor

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular