Në vendimin e saj, Gjykata ka konstatuar se procedura e ndjekur për zgjedhjen e deputetit Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb nuk ka qenë në harmoni me dispozitat kushtetuese
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka nxjerrë aktgjykim sot në 28 janar lidhur me kërkesën e paraqitur nga Lista Serbe, e cila kishte kundërshtuar mënyrën e votimit të ndarë për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë gjatë seancës konstituive të Kuvendit.
Në vendimin e saj, Gjykata ka konstatuar se procedura e ndjekur për zgjedhjen e deputetit Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb nuk ka qenë në harmoni me dispozitat kushtetuese. Sipas aktgjykimit, mënyra sesi është realizuar ky proces bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit.
Gjykata ka vendosur që kërkesa e Listës Serbe të shpallet e pranueshme me gjashtë vota pro dhe një kundër. Po ashtu, me pesë vota pro dhe dy kundër, është konstatuar se Vendimi i Kuvendit i datës 10 tetor 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, nuk është në përputhje me paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës, në lidhje me dispozitat përkatëse të Rregullores së Kuvendit që rregullojnë procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve. Ndërkohë, Gjykata ka refuzuar unanimisht kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme dhe ka vendosur që aktgjykimi të mos ketë efekt prapaveprues, duke u bazuar në parimin e sigurisë juridike.
Në rrethanat e zhvillimit të seancës konstituive, Kryetari i zgjedhur i Kuvendit kishte kërkuar nga përfaqësuesit e shumicës së deputetëve të komunitetit serb që të propozonin një kandidat që deri në atë moment nuk ishte kandiduar për pozitën e nënkryetarit. Si emër i propozuar ishte përmendur deputeti Nenad Rašić. Megjithatë, për shkak të refuzimit nga shumica e deputetëve të komunitetit serb për ta propozuar këtë kandidat, Kryetari i Kuvendit kishte vlerësuar se po ndodhte një bllokadë e procesit dhe kishte vazhduar me zbatimin e procedurës së shortit, e paraparë në Rregulloren e Kuvendit.
Pas kësaj procedure, u konstatua se kishte mbetur vetëm një kandidat që nuk ishte votuar tri herë radhazi, dhe emri i tij u hodh në votim. Nenad Rašić mori gjithsej 71 vota pro, 9 kundër dhe 24 abstenime, çka bëri që Kryetari i Kuvendit të shpallte zgjedhjen e tij si nënkryetarin e fundit të Kuvendit, duke përmbyllur kështu seancën konstituive që kishte nisur më 15 prill 2025.
Gjykata Kushtetuese, në analizën e saj, theksoi se çështja kryesore për vlerësim ishte nëse procedura e ndjekur për zgjedhjen e Nenad Rašićit si nënkryetar nga komuniteti serb ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Ajo rikujtoi se Kuvendi zgjedh Kryetarin dhe pesë nënkryetarë, ku tre prej tyre propozohen nga grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa dy përfaqësojnë komunitetet joshumicë, përkatësisht komunitetin serb dhe komunitetet e tjera.
Sipas Gjykatës, e drejta për të propozuar kandidatin për nënkryetar nga komunitetet joshumicë u takon deputetëve që përfaqësojnë shumicën brenda atij komuniteti, pasi ata kanë legjitimitetin më të madh demokratik. Ky parim është thelbësor për garantimin e përfaqësimit efektiv të komuniteteve joshumicë në institucionet shtetërore, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese të shtetit.
Aktgjykimi sqaron gjithashtu se mekanizmat e ashtuquajtur debllokues, përfshirë votimin e një kandidati deri në tri herë dhe procedurën e shortit, duhet të përdoren vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe vetëm për të mundësuar funksionalizimin e Kuvendit brenda afateve kushtetuese. Përdorimi i këtyre mekanizmave në mënyrë që shumica parlamentare të përcaktojë përfaqësuesin e një komuniteti joshumicë pa propozimin e vetë atij komuniteti, përbën shkelje të garancive formale të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit.
Në përfundim, Gjykata konstatoi se shumica e deputetëve të komunitetit serb e kishte ushtruar të drejtën e propozimit duke paraqitur gjithsej nëntë kandidatë dhe se zgjedhja e Nenad Rašićit nuk erdhi si rezultat i një propozimi nga kjo shumicë. Për rrjedhojë, u vlerësua se mekanizmat debllokues ishin zbatuar në kundërshtim me qëllimin dhe frymën e tyre. Megjithatë, për shkak të parimit të sigurisë juridike, aktgjykimi nuk prodhon pasoja prapavepruese.







