HomeAktualitetNga përfitimet te kostot: dilemat e biznesit shqiptar për anëtarësimin në BE

Nga përfitimet te kostot: dilemat e biznesit shqiptar për anëtarësimin në BE

Advertismentspot_img

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian perceptohet gjerësisht nga komuniteti i biznesit si një proces me përfitime të rëndësishme afatgjata, por njëkohësisht shoqërohet me sfida konkrete që lidhen kryesisht me administratën publike, barrën fiskale dhe përshtatjen me standardet Evropiane. Këto janë gjetjet nga anketa e Këshillit të Investimeve në Shqipëri, mbi perceptimet e biznesit për klimën e investimeve dhe integrimin Evropian.

Përfitimet kryesore: standarde, konkurrencë dhe akses në tregje

Bizneset presin që anëtarësimi në BE të sjellë përmirësime të ndjeshme strukturore në mjedisin ekonomik. 20% e të anketuarve e shohin përmirësimin e standardeve të cilësisë si përfitimin kryesor, duke e lidhur drejtpërdrejt me rritjen e besueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve shqiptare.

Një peshë e konsiderueshme i jepet edhe rritjes së konkurrencës së ndershme (17%) dhe qasjes më të lehtë në tregjet e BE-së (17%), ndërsa transparenca dhe shteti më efikas (16%) dhe fondet/grantet për bizneset (16%) renditen gjithashtu ndër përfitimet më të pritshme. Investimet e huaja më të larta përmenden nga 11%, ndërkohë që vetëm 3% e bizneseve deklarojnë se nuk presin përfitime nga anëtarësimi.

Sfida e përshtatjes: administrata, fiskaliteti dhe standardet

Në anën tjetër, bizneset identifikojnë qartë fushat ku procesi i integrimit pritet të jetë më i vështirë. Burokracia dhe procedurat administrative (16%) shihen si pengesa kryesore, të ndjekura nga taksat dhe legjislacioni fiskal (15%).

Po ashtu, cilësia e produkteve dhe standardet e prodhimit (14%) dhe siguria ushqimore dhe standardet sanitare (14%) perceptohen si fusha që kërkojnë investime dhe përshtatje të konsiderueshme. Tregtia dhe konkurrenca me bizneset e BE-së (12%), mbrojtja e mjedisit dhe standardet mjedisore (9%), si dhe teknologjia dhe digjitalizimi (6%), siguria dhe standardet e punës (6%) dhe trajnimi i punonjësve/forca punëtore (6%) plotësojnë hartën e sfidave. Vetëm 3% deklarojnë se nuk e dinë se ku do të jetë më e vështirë përshtatja.

Eksportet: optimizëm i moderuar dhe pritshmëri të përziera

Sa i përket ndikimit në eksport, bizneset shfaqin një optimizëm të kujdesshëm. Vetëm 34% deklarojnë se presin më shumë mundësi eksporti pas anëtarësimit dhe zgjerimit të tregut për produktet e tyre, ndërsa 28% shprehen se nuk e presin këtë ndikim. Një pjesë e konsiderueshme, 32%, mbeten të pasigurt (“ndoshta”), ndërsa 6% deklarojnë se nuk e dinë.

Sipas gjetjeve të anketës, sektorët Industria, Tregtia dhe Bujqësia shfaqen më optimistë në lidhje me eksportet, por në tërësi vetëm 3 në 10 biznese presin realisht një rritje të fortë të mundësive eksportuese.

Pritshmëritë afatmesme: rritje dhe zgjerim për gjysmën e bizneseve

Në një horizont 5–10 vjeçar, pritshmëritë në nivel firme janë kryesisht pozitive. 49% e bizneseve e shohin veten me rritje dhe zgjerim pas anëtarësimit në BE. 17% presin më shumë vështirësi për mbijetesë, 14% mendojnë se do të mbeten në të njëjtin nivel, ndërsa 15% shprehen të pasigurt. Vetëm 5% e bizneseve e shohin veten të mbyllur në këtë perspektivë.

Sektorët që shfaqin pritshmëritë më pozitive janë Industria përpunuese, Bujqësia, Pyjet dhe peshkimi, si dhe Transporti dhe magazinimi.

Vlerësimi i përgjithshëm: dominon perceptimi pozitiv

Në vlerësimin e përgjithshëm, 67% e bizneseve e konsiderojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE pozitiv ose shumë pozitiv për aktivitetin e tyre. 21% mbajnë një qëndrim neutral, 5% e vlerësojnë negativ ose shumë negativ, ndërsa 7% deklarojnë se nuk dinë.

Optimizmi është më i theksuar te eksportuesit, kompanitë e mëdha (mbi 10 milion euro xhiro) dhe sektorët Ndërtim, Bujqësi dhe Industri përpunuese.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular