Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, zhvilloi sot, në Kryesinë e Kuvendit, një takim me Andreas Schieder, raportuesin e Parlamentit Europian për Shqipërinë.
Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit, arritjet për vijimin e reformave, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryetari Peleshi nënvizoi rritjen e rolit të Kuvendit në procesin e anëtarësimit dhe vijimin e negociatave, nëpërmjet përmirësimeve ligjore e strukturore, për rritjen e funksionit legjislativ dhe mbikëqyrjes parlamentare, me fokus të veçantë përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së.
U theksua gjithashtu mbështetja e gjerë popullore dhe nevoja e rëndësia e konsensusit politik e parlamentar dhe marrja e përgjegjësive të përbashkëta për integrimin europian.
Në fokus të diskutimit ishte edhe përparimi në përmbushjen e kritereve të kapitujve 23 dhe 24, liria e medias, forcimi i institucioneve të pavarura dhe ndjekja nga Kuvendi e rekomandimeve të Komisionit Europian për vitin 2025. U vlerësua qasja e bazuar në rezultate dhe rëndësia e zbatimit në praktikë të reformave transformuese.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë, ndërsa raporteri Schieder riafirmoi angazhimin për ta mbështetur këtë avancim, nëpërmjet rritjes së ndërveprimit të Parlamentit Europian me Kuvendin.







