HomeKultureRegjisori francez Dominique Dolmieu: Takimet e mia me Ramën dhe me personalitete...

Regjisori francez Dominique Dolmieu: Takimet e mia me Ramën dhe me personalitete të tjera shqiptare

Advertismentspot_img

Intervistë me artistin, regjisorin dhe botuesin e njohur francez Dominique Dolmieu

Intervistoi: Mentor HOXHA

Me botuesin, artistin dhe regjisorin e njohur francez Dominique Dolmieu u njohëm në Kongresin Vjetor Eurodram – Teatri i Urgjencës (Kongrès Annuel Eurodram – Théàtre de l’urgence që u organizua më 22-26 tetor 2025 në Lyon të Francës nga Réseàu Européen de Traduction Théàatrale (Rrjeti Evropian për përkthimin e Teatrit) në partneritet me Festival Sens Interdits (Shqisat e ndaluara), Universitetin Lumiere Lyon 2, Laboratoire Passages XX-XXI dhe Maison d’Europe et d’Orient (Shtëpia e Evropës dhe Orientit). Në këtë Kongres, isha i ftuar si gazetar bashkë me dy miqtë e mi, Klement Sina (piktor) dhe Dan Bozhlani (shkrimtar) nga miku ynë francez Sébastien Gricourt, përkthyes i shkëlqyer i gjuhës shqipe në Francë dhe anëtar i Komitetit të Eurodram. Në këtë kongres, Sébastieni prezantoi para pjesmarrësve të shumtë Historikun e Teatrit të Kosovës. Teksa pinim një gotë verë në barin e teatrit, ai më prezantoi me Dominique dhe me punën e tij të mrekullueshme në promovimin e teatrit dhe të dramaturgjisë shqiptare në Francë dhe në arenën ndërkombëtare. Për të zbuluar më shumë mbi jetën dhe veprimtarinë e tij krijuese, botuese dhe drejtuese, e ftova për një intervistë, i cili pranoi me shumë kënaqësi.

Përshëndetje Z Dolmieu. Ju falënderoj shumë që pranuat ftesën time për të dhënë një intervistë për shtypin shqiptar. Ju keni një aktivitet të spikatur si botues dhe si drejtues i disa shoqatave dhe projekteve teatrale të rëndësishme në Francë dhe në  skenën ndërkombëtare ku përfshihen edhe dramaturgë të njohur shqiptarë. Keni drejtuar shfaqje nga Eqrem Basha dhe Jeton Neziraj nga Kosova, dhe nga Ilirjan Bezhani, Minush Jero dhe Kasëm Trebeshina nga Shqipëria. Si janë pritur këto shfaqje në Francë?

Në përgjithësi, këto shfaqje janë pritur mjaft mirë nga publiku parisien. Krijimi i vitit 1992 i dramës së Kasëm Trebeshinës ishte vepra e parë dramatike e vënë në skenë në frëngjisht. Ishte vërtet unike, një histori që dukej se ngrihej nga thellësitë e epokave të errëta të Shqipërisë, sikur vinte nga një botë tjetër. Drama e Minush Jeros në vitin 1998 ishte po aq ekzotike. Turneu pasues që ndërmorëm në Shqipëri mbetet ndër kujtimet e mia më të bukura teatrale. Ishte praktikisht e pakonceptueshme në atë kohë që një trupë franceze të vinte në skenë një dramë nga një autor shqiptar dhe ta bënte turne në Shqipëri. Në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, njerëzit trokisnin në dyer për të hyrë. Kur aktorët thanë fjalët e tyre të para, publiku kuptoi se shfaqja ishte në frëngjisht dhe të gjithë filluan të përkthenin ose shpjegonin se çfarë po ndodhte në skenë. Aktorët në skenë nuk mund ta dëgjonin më njëri-tjetrin. Kur personazhi që përfaqësonte sekretarin e partisë hyri në skenë, gjithë publiku shpërtheu në fishkëllima. Gjatë skenave të konfliktit, njerëzit në rreshtat e parë praktikisht hodhën kartëmonedha në skenë për të vënë bast se kush do të fitonte. Ishte absolutisht danteane. Vepra teatrale e Eqrem Bashës, nga e njëjta periudhë, ishte më shumë një dëshmi, duke na çuar në zemër të luftës jugosllave. Kishte nga ata që tregonin empati dhe nga ata që donin paqe. Këta të fundit janë të njëjtët njerëz që sot pretendojnë se duan paqe në Ukrainë dhe votojnë kundër çdo mbështetjeje për ushtrinë ukrainase, në mënyrë që, për të shmangur luftën, të lejonim Putinin të shkatërronte gjithçka në rrugën e tij. Të njëjtët njerëz, në vitin 1939, me siguri do t’i kishin kërkuar rezistencës të qetësonte gjërat në mënyrë që ne të mund të jetonim në paqe nën Rajhun e Tretë.  Drama e Ilirjan Bezhanit ishte shumë qesharake. Publiku erdhi në shfaqje me bindjen e fortë se këta shqiptarë të varfër meritonin mëshirë. Dhe shfaqja u zhvillua me gjithë humorin shumë therës të Ilirjanit. Më kujtohen reagimet e Ismail Kadaresë; ai u trondit mjaft nga shfaqja e papritur e Lekë Dukagjinit në skenën e fundit! Në fillim hezitova ta vija në skenë këtë dramë, por pastaj e lashë veten të bindesha dhe nuk u pendova. Ishte një gëzim i vërtetë të përmbysja imazhin që ishte kaq i lidhur me shqiptarët. Shfaqja e Jeton Nezirajt në vitin 2016, nuk mundi të zhvillohej siç do të doja. Ajo erdhi në të njëjtën kohë kur partia rajonale e krahut të djathtë kishte filluar të çmontonte punën tonë. Megjithatë, pati disa momente shumë të fuqishme, po mendoj në veçanti për skenën midis personazhit të Faruk Begollit dhe një militanti serb, të luajtur nga Christophe Sigognault dhe Franck Lacroix, e cila është një skenë vërtet e paharrueshme.

Krahas shfaqjeve të larpërmendura, keni botuar në shtëpinë tuaj botuese “L’Espace d’un instant”  vepra nga dramaturgë të njohur shqiptarë ku veçohen Kasëm Trebeshina (La Forêt), Sabri Hamiti (La Mission), Minush Jero (Les Taches Sombres), Jeton Neziraj (Le Projet Handke, Le retour de Karl May, Bordel Balkans, Les Cinq Saisons d’un ennemi du peuple, Vol au – dessus du théàtre du Kosovo, Une pièce de théâtre pour quatre acteurs… Peer Gynt du Kosovo, L’effondrement de la Tour Eiffel), Teki Dervishi (Au seuil de la désolation), Anton Pashku (Fièvre), Ilirjan Bezhani (Les Arnaqueurs), Stefan Çapaliku (Trilogia Albanica) etj.

Nga ana e botimeve (https://parlatges.org/categorie-produit/langue/albanais/), është edhe më keq. Duhet të marrim në konsideratë vendin e përkthimit teatral në Francë. Për botën letrare, ne krijojmë teatër. Për botën e teatrit, ne krijojmë letërsi. Për botën e përkthimit, ne jemi barbarë nga Lindja e Egër, siç e teorizoi në mënyrë kaq brilante Goran Stefanovski. Jeton Neziraj është një shembull pothuajse i përsosur i kësaj situate. Për fat të mirë, ka ende njerëz në Francë që preferojnë teatrin e vërtetë, organik, si festivali Sens Interdits në Lyon ose Théâtre Studio në Alfortville, ndaj masturbimit intelektual. Ne jemi fshatrat galike që i rezistojnë imperializmit anglo-sakson dhe ndihmësve të tyre të përkushtuar dhe servilë.

Si dhe kur filloi bashkëpunimi juaj me shqiptarët?

Ju do të qeshni: ishte një artikull në revistën Marie-Claire, i drejtuar kryesisht lexuesve femra, që përmendte Shqipërinë dhe bunkerët e saj në vitin 1991, si dhe veprën les Taches sombres (Njollat e murrme) të Minush Jeros. Është mjaft e çuditshme, por në të njëjtën kohë mjaft logjike. Ishte e pakonceptueshme – dhe nuk ka ndryshuar realisht për establishmentin teatral francez që shqiptarët e mjerëtë mund të shkruanin drama. Kështu që fillova të bëja disa kërkime dhe më pas hasa në punën absolutisht të jashtëzakonshme të Ömer Kaleshit, e cila më hapi sytë drejt një bote aq të panjohur sa edhe përrallore. Pyeta nëse ishte e mundur të shkoja ta shihja Shqipërinë, dhe përgjigjja ishte gjithmonë, mos shkoni, nuk ka asgjë atje. Vetëm kaq më duhej të ikja me nxitim në Tiranë. Atje takova një piktor të ri, Edi Rama, i cili më prezantoi me Kasëm Trebeshinën. Kisha ardhur duke kërkuar tekstin e “Njollave të murrme”, por skena e fundit mbeti e pakapshme dhe përfundova duke u larguar me “L’Histoire de Ceux qui ne sont plus”, (Historia e atyre që nuk janë më) nga Kasëm Trebeshina. Së fundmi, nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje pa përmendur kujtimin e Jusuf Vrionit dhe Christiane Montécot, të cilët tani mbajnë vendet më të larta në panteonin tim të përkthyesve. Dhe mbi të gjitha, doja të flisja për mikun tim Ndoc Cefën, i cili në atë kohë drejtonte Teatrin Migjeni. Pra, kur Ndoc më tha të vija kur të doja, se trupa ishte në dispozicionin tim, ishte një moment vendimtar në jetën time si artist – që një regjisor teatri thjesht do t’i përgjigjej interesit tim, dëshirës sime për të punuar së bashku. Askush nuk u mashtrua. Isha rreth njëzet vjeç dhe pa asnjë lek. Disa qindra euro që kisha nxjerrë nga ambasada franceze, të paguara në monedhën vendase, i solla në një çantë sportive – të mbushur me kartëmonedha, sigurisht – në një udhëtim ku grabitësit e rrugëve ishin të shumtë.

Keni qenë disa herë në Shqipëri dhe në Kosovë. Cilat janë mbresat e tua nga këto vizita?

Vizitat e mia në Shqipëri dhe në Kosovë i kam pasqyruar në  parathënien e projektit “Voyage en Unmikistan”, (Prill 2004, https://parlatges.org/produit/voyage-en-unmikistan-daniel-lemahieu/), ku janë edhe përshtypjet e mia për shqiptarët. Një tipar i dukshëm që lidh popullin shqiptar dhe popullin francez, është se, i pari provon një mahnitje të papërballueshme ndaj çdo gjëje që lidhet nga afër ose nga larg me Perëndimin, kurse i dyti një magjepsje të jashtëzakonshme kur i ndodh që shëtit në Lindje. Mbi këtë kureshtje reciproke është ndërtuar edhe puna e kompanisë sonë me teatrin shqiptar.

Ç’farë admiron më shumë tek shqiptarët?

Vitalitetin e jashtëzakonshëm dhe dëshirën e tyre për të ecur përpara.

Gjatë punës suaj keni takuar shumë personalitete të larta shqiptare nga fusha e politikës, kulturës, diplomacisë, letërsisë, etj Midis tyre është edhe kryeministri aktual, Edi RamaMund të na zbuloni diçka më shumë për këto takime?

Në Paris, njihem me Luan Ramën, i cili më vonë do të bëhet ambasador i Shqipërisë në Francë, kurse në Bruksel zbuloj Ömer Kaleshin, tabllotë e të cilit kanë një mjeshtëri, një fuqi dhe një qetësi të pakrahasueshme për mua. Më në fund, në Tiranë takoj Edi Ramën, edhe ky piktor dhe kryebashkiak i ardhshëm Tiranës, si dhe Kasëm Trebeshinën, shkrimtari përjetësisht rebel i kulturës shqiptare. Kryeqyteti shqiptar, i dërmuar nga regjimi totalitar, çliron një tension dhe një rrezik të prekshëm, por njëkohësisht edhe një dëshirë të fuqishme dhe të dyanshme për të hyrë në komunikim me të tjerët. Disa muaj më pas, kompania jonë vë në skenë në Ateljenë Pierre Debauche “Historinë e atyre që nuk janë më” të Kasem Trebeshinës, e cila përfaqëson pjesën e parë dramatike shqiptare të realizuar në Francë. Këtu nis edhe një bashkëpunim dhjetëvjeçar realizuar kryesisht me Ndoc Cefën, drejtor i Teatrit “Migjeni” të Shkodrës dhe kryetar i këshillit bashkiak në atë periudhë. Ka ardhur çasti për të vënë në skenë shfaqjen “Me dyer të mbyllura”, gjithmonë në Shkodër, çka shënon edhe fillimin e një marrëdhënieje të ngushtë me skenografin Arben Selimi. Ekipi shqiptar tregon talentin dhe gatishmërinë e vet, ndërsa në zemrat tona nguliten mbrëmjet e kaluara me artistët e Shkodrës: Shpëtim Kelmendi, Gazmend Krasniqi, Ridvan Dibra, Bardhi, Mencur, etj. Të tjera takime të paharrueshme me personalitete të vyera na kanë shoqëruar rrugës, së pari me përkthyesit: Robert Elsie, Jusuf Vrioni, Aleksandër Zotos…. Secili, në mënyrën e vet, u është kushtuar me pasion botëve frankofone dhe shqipfolëse si dhe urave që i lidhin të dy botët. Takim me Minush Jeron, për vënien në skenë të “Njollave të murrme” në Échangeur në Bagnolet. Pjesa ka një subjekt disi të pazakonshëm për pejzazhin teatral francez. Historia e kësaj pjese është aq domethënëse. Aktori kryesor, edhe ai i internuar, përfundon i çmendur. Minushi vjen në Paris me ne, dhe endet në teatër si ndonjë ëngjëll në qiell, nën tingujt e theksit të Vjollca Lukës dhe orkestrës së Luan Borovës. Pas kësaj shfaqjeje, nisim turneun në Shqipëri. Në Shkodër salla vlon si kazan. Aktorët nuk e dëgjojnë dot më njëri-tjetrin. Në skenë plas grindja, pastaj vjen një puthje, salla zhurmon si në demonstratë. Më kap frika se mos shembet dera e regjisë nga trysnia e një publiku të fuqishëm që shtyhet për të parë shfaqjen më nga afër. Ky është edhe kujtimi im më i bukur nga teatri.

Në pranverën e vitit 1998, realiteti dramatik duket se merr ritmin jugosllav me kthimin e luftës në Kosovë. Mustapha Aouar na fton në aktivitetin Petits/Petits / (Të vegjlit/Të vegjlit) në Gare au Théâtre. Me këtë rast i kërkojmë Eqrem Bashës të na shkruajë pjesën Oassis (Oazi), që do të bëhet kështu pjesa e parë kosovare e luajtur në Francë.  Guillaume Robert, atashe kulturor në Zyrën e Francës në Prishtinë dhe njeri terreni, përballet me sfidën dhe u jep jetë përpjekjeve tona për bashkëpunim me Kosovën. Zyra e përfaqësisë franceze në Prishtinë, bëhet sponsori kryesor i “Udhëtimit në Unmikistan”. Unmikistan është një nga shakatë e preferuara të Kosovarëve. Shpjegohet me inicialet e UNMIK, United Nations Mission In Kosovo, vendosur në pasaportat në vend të vendit të tyre, që aq shumë e dëshirojnë. Jeton Neziraj, kryeorganizator me veti të rralla dhe drejtor i Qendrës së arteve vizuale në Prishtinë bëhet partneri ynë që i mungonte projektit. Fetah Bakija, përgjegjës i promovimit kulturor, bën të mundur sponsorizimin edhe nga ana e ministrisë së Kulturës së Kosovës në një kohë rekord. Projekti ynë kishte për synim të organizonte një atelje shkrimi dramatik, të cilën pranoi ta drejtonte, për nderin tonë, Daniel Lemahieu – ish-sekretar i përgjithshëm i Antoine Vitez në Teatrin kombëtar të Chaillot-së, ish-drejtor i Institutit të studimeve teatrale në Sorbonë, ateljetë e të cilit më kanë lënë kujtime të mrekullueshme. Mblidhen kështu në mjediset e Hapësirës kulturore franceze në universitetin e Prishtinës, një pjesë e mirë e autorëve të brezit të ri: Doruntina Basha, Visar Fejzullahu, Mentor Haliti, Jeton Neziraj, Albena Reshitaj… Po ashtu Sabri Hamiti, na përcjell një tekst, si gjithmonë të goditur dhe të lidhur ngushtë me realitetin. Ilirjan Bezhani, dhe dy aktorë nga Shkodra, Gjovalin Gjoni dhe Gjon Kola, të tre ish pjesëtarë në Petits në Europën Lindore i bashkohen grupit. Ilirjan Bezhani është autori i dramës “Mashtruesit”, dhe për mendimin tim një nga komediografët më të mirë në Europë, si dhe autori shqiptar më i luajtur jashtë vendit të tij. Më kujtohet shfaqja e pjesës së tij, ku parizianët vinin me mendje të mëshironin varfërinë e shqiptarëve të shkretë të rënë në kthetrat e kapitalizmit të egër, por dilnin nga dyert e sallës së teatrit me gaz. Sa për Maqedoninë, trazirat në gjirin e Teatrit të kombësive në Shkup – strehë kryesore e teatrove turke dhe shqiptare të Maqedonisë – e pengojnë, për fat të keq, bashkëpunimin me ne. Ateljeja ua hap dyert zbulimeve të ndërsjellta : francezët, shqiptarët, kosovarët. Më tej, vendosim ta përshpejtojmë punën, të bëhemi më të mprehtë, dhe puna merr formë. Danieli zbulon qytetin, bën montazhin e teksteve dhe i plotëson ato me tekstet e veta. Flutura Zeneli na magjeps në hotelin “Iliria”. Përfitojmë nga miqtë e rinj: Eqrem Basha, Selman Jusufi, Selman Lokaj, Bekim Lumi etj. Iliria për ne, do të thotë tashmë shkurt “lirija”.

Si profesor, redaktor dhe studiues i njohur në fushën e shkrimit teatral, cili është mendimi juaj për veprat teatrale shqiptare?

Mendoj se ato janë ende në zhvillim e sipër, por në fund të fundit, kështu janë edhe shkrimet teatrale në tërësi. Ne prezantuam “I am from Albania” të Stefan Capalikut, me protagoniste Emma Andrea, në teatrin tonë parizien, dhe ishte një përvojë shumë e bukur dhe e fuqishme. Megjithatë, shkrimi i tij mbetet mjaft i ndryshëm nga standardet tona. Në Kosovë, Jeton Neziraj është një figurë e rëndësishme, por kryesisht janë prodhimet e tij që bëjnë turne, dhe dramat e tij rrallë vihen në skenë nga regjisorë perëndimorë.

Ç’farë vendi zë dramaturgjia shqiptare në projektet e shumta teatrale që keni realizuar?

Do të doja të përqëndrohesha vetëm te projekti Printemps 2001 (Pranverë 2001) me Gjovalin Gjonin dhe Gjon Kolën. Qëndrova me ta në tokën e askujt midis Turqisë dhe Gjeorgjisë sepse atyre iu refuzua hyrja me pretekstin se ishin shqiptarë, dhe për këtë arsye terroristë të mundshëm. Së bashku, udhëtuam 17,000 kilometra në autobusin e kuq ikonik. Kishte 50 artistë nga 25 kombësi të ndryshme, dhe shumica e pjesëmarrësve ishin shumë më të rinj. Gjovalini dhe Gjoni ishin më të moshuarit tanë; Gjovalini ishte mishërimi i mençurisë, mishërimi i entuziazmit të Gjonit. Dokumentari (https://www.entre2prises.fr/printemps/) për këtë projekt të jashtëzakonshëm duhet të shfaqet në të gjitha shkollat ​​e teatrit në Shqipëri dhe Kosovë. Sekuenca e fundit e filmit, në të cilën Gjovalini rrëfen se si e mori diplomën e aktrimit pas kaq shumë vitesh në kampe përqëndrimi, me regji nga Damien Froidevaux, i lë të palëkundur vetëm ata që kanë një orë në vend të zemrës. Do të doja të përmendja edhe dy persona – përveç partneres sime Céline Barcq – të cilët më kanë mbështetur gjatë gjithë këtyre projekteve: Anne-Marie Autissier, një shtyllë e integrimit evropian, dhe Arben Selimi, miku dhe skenografi im i pazëvendësueshëm.

KUSH ËSHTË DOMINIQUE DOLMIEU

Dominique Dolmieu është regjisor, botues, muzikant, prezantues, profesor dhe kritik arti. Është anëtar i jurisë la Fondation de France (Fondacioni i Francës), President i Jurisë për Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Shkupit në Maqedoni, fitues i Çmimit “Europa Prima” me Pascale Delpech, ekspert në Institutin Ukrainas për Përkthimin e Teatrit, dhe i përfshirë në aktivitete të ndryshme të rrjetit Actes-if, SYNAVI dhe UFISC, veçanërisht në CNPS (Këshilli Kombëtar i Profesioneve të Arteve Performuese). I lindur në 1966 dhe i trajnuar në l’Institut d’Études Théâtrales (Institutin e Studimeve Teatrale), veçanërisht me Daniel Lemahieu dhe Théâtre du Mouvement, në Shkollën e Lartë të Artit Dramatik Pierre Debauche, si dhe në AGECIF (administratë), CFPTS (ndriçim) dhe ISTAR (akustikë). Fillimisht punoi si muzikant, ku pati mundësinë të punonte me Noir Désir dhe Complot Bronsëick, dhe më pas mbajti pozicione të ndryshme në organizata të ndryshme kulturore dhe të arteve interpretuese, duke përfshirë një periudhë të shkurtër si nëpunës civil në Ministrinë e Kulturës së Francës. Nga viti 2022 është lektor në Universitetin Paul-Valéry në Montpellier. Themelues dhe drejtor i shtëpisë botuese L’Espace d’un instant dhe një nga organizatorët e një serie leximesh publike në qendrën kulturore Confluence në Lodève. Ka shkruar tekste për revistën Cassandre dhe për Centre d’études balkaniques de l’INALCO (Qendra për Studime Ballkanike) dhe ka marrë pjesë në projektin “Le Théâtre en Europe aujourd’hui” (Teatri në Evropë Sot) të Konventës Evropiane të Teatrit. Bashkë me Marie-Christine Autant-Mathieu, ka bërë gjithë punën përgatitore për Evropën Lindore për Antologjinë Kritike të Autorëve Dramatikë Evropianë 1945-2000 (Théâtrales, 2007) të Michel Corvin. Është bashkautor, me Marianne Clévy, i Cahier de la Maison Antoine-Vitez: “De l’Adriatique à la mer Noire” (Nga Adriatiku në Detin e Zi), një panoramë e shkrimit teatral nga Ballkani (Climats, 2001); me Virginie Symaniec, “La Montagne des Langues”, (Mali i Gjuhëve), një panoramë e shkrimit teatral nga Kaukazi; me Sedef Ecer dhe Zeynep Su Kasapoğlu, “Un oeil sur le bazar” (Një Vështrim në Pazar), një panoramë e shkrimit teatral turk; me Nataša Govedić dhe Miloš Lazin, “Une parade de cirque”, (Një Paradë Cirku), një panoramë e shkrimit teatral bashkëkohor nga Kroacia; dhe me Neda Nejdana, “De Tchernobyl à la Crimée”, (Nga Çernobili në Krime), një panoramë e shkrimit teatral bashkëkohor nga Ukraina (l’Espace d’un instant, 2009-2019). Me Céline Barcq themeloi Maison d’Europe et d’Orient (Shtëpia e Evropës dhe Orientit). Më pas krijuan projektin ndërkombëtar dhe kolektiv udhëtues “Petits en Europe orientale” (Të vegjlit në Evropën Lindore) dhe ngjarjet Balkanisation générale (Ballkanizimi i Përgjithshëm), vazhdojnë me Antony Smal, për festivalet Sud/Est (Jug/Lindje), “Printemps de Paris” (Pranvera e Parisit), “L’Europe des Théâtres” (Evropa e Teatrove) dhe “Langues de cuisines” (Gjuhët e Kuzhinave). Në 2001 themeluan Rrjetin evropian për përkthimin e teatrit, ku fillimisht, iu dedikua përkthimeve nga gjuhët e Evropës Lindore në frëngjisht. Në 2011 përfshu edhe Evropën Perëndimore, Azinë Qendrore dhe Mesdheun. Eurodram (https://eurodram.org/) bashkon rreth 300 anëtarë, të organizuar në rreth 30 komitete gjuhësore, brenda rajonit të Evropës, Azisë Qendrore dhe Mesdheut. Objektivi i tij kryesor është promovimi i teatrit bashkëkohor në përkthim, tek profesionistët dhe publiku, në një frymë pavarësie, drejtësie dhe diversiteti gjuhësor. Dominique Dolmieu ka prezantuar leksione, lexime, shfaqje në rreth 20 vende evropiane, kryesisht në Ballkan dhe Kaukaz, si dhe në Festivalin e Avignonit, Théâtre de la Ville në Paris, Odéon – Théâtre de l’Europe, Pallatin e Madh të UNESCO-s, Qendrat Kombëtare Dramatike (CDN) të Lille, Lorient, Montbéliard, Montpellier dhe Rouen, Comédie de Genève, Théâtre Prospéro në Montreal etj. Ka marrë pjesë në konferenca mbi të drejtën zakonore shqiptare dhe mbi Kaukazin në Senat dhe në takime me opozitën bjelloruse në Asamblenë Kombëtare. Ka drejtuar shfaqje nga Moussa Akhmadov (Çeçeni), Eqrem Basha dhe Jeton Neziraj (Kosovë), Ilirjan Bezhani, Minush Jero dhe Kasëm Trebeshina (Shqipëri), Milena Bogavac dhe Igor Bojovic (Serbi), Hristo Boytchev (Bullgari), Dejan Dukovski dhe Goran Stefanovski (Maqedoni), Kote Kubaneishvili (Gjeorgji), Xavier de Maistre, Daniel Lemahieu, Jean-Paul Sartre, Matéi Visniec dhe Léon Voitur (Francë), Pavel Priajko (Bjellorusi) dhe Asja Srnec Todorovic (Kroaci) si dhe ka drejtuar disa qindra lexime shfaqjesh nga autorë nga Islanda në Afganistan. Marre nga Fjala.al

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular