Në ditën e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, në kafenenë e preferuar të tij, pranë parkut të Liqenit të Tiranës, është vendosur një statujë bronzi.
Vendosja e kësaj skulpture përkujtimore ka qenë një nismë e miqve më të afërt të shkrimtarit.
E pranishme ka qenë edhe bashkëshortja e tij, Helena Kadare e cila u shpreh për mediet se, kjo ditë ka një domethënie të veçantë për të.
“Kjo shtatore e mrekullueshme, në ditëlindjen e Ismailit, ishte një ndjenjë që të mbushte zemrën”, tha Helena Kadare, e cila kujton me mall se si Ismaili vinte çdo ditë në këtë vend, së bashku me botuesin e tij, për shëtitje dhe kafe.
Shtatorja është vepër e skulptorit Henri Mimani, i cili është kujdesur që figura e shkrimtarit të njohur të ishte sa më njerëzore.
Deklasifikohet dokumenti i survejimit të Kadaresë
Sot shënohet 90-vjetori i lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe asaj evropiane.
Dokumentet arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit tregojnë se, edhe pse Ismail Kadare nuk u prek drejtpërdrejt nga represioni i regjimit gjatë jetës së tij, madje u vlerësua nga autoritetet zyrtare, ai ishte nën vëzhgim nga strukturat e diktaturës.
Një prej këtyre dokumenteve i përket vitit 1977, periudhë kur u godit i ashtuquajturi “grup armik dhe antiparti” në art dhe kulturë, i kryesuar nga ish-ministri i Kulturës Fadil Paçrami.
Në kuadër të hetimeve, dëshmitë e prodhuara nën frikën për jetën, përfshijnë edhe emrin e Ismail Kadaresë, i cili përmendet si shkrimtar që, sipas gjuhës së kohës, kishte “trajtuar realitetin me sy kritik”, kishte shprehur mendime që “kundërshtonin vijën zyrtare” dhe kishte prodhuar poezi e artikuj të konsideruar “problematikë për ideologjinë”.
Autoriteti i Dosjeve (AIDSSh) ka deklasifikuar dokumentin me shënimin “Për Ismail Kadarenë: Të njoftohet Partia dhe materiali të ruhet”, është dëshmi e mekanizmit të frikës dhe interpretimit ideologjik të krijimtarisë letrare dhe mbajtjes nën vëzhgim të vazhdueshëm të individit.
Në këtë kuptim, dokumenti nuk ka prodhuar ndëshkim, por sipas filozofes Hannan Arhend, të tilla dokumente e mbajnë individin në një gjendje pasigurie të përhershme, çka është një nga format më efikase të dominimit.
Në librin “Origjina e totalitarizmit”, Arendt shpjegon se regjimet totalitare nuk kanë nevojë të godasin të gjithë njëkohësisht; mjafton që të gjithë të jenë potencialisht të goditshëm.
Pikërisht kjo ndodh këtu: shkrimtari nuk dënohet, por regjistrohet, interpretohet, arkivohet dhe mbahet nën vëzhgim, një mënyrë për ta shndërruar lirinë krijuese në vetëkontroll.
Transkripti i deklarimeve të Fadil Paçramit
“Unë kam pasur pikëpamje në kundërshtim me vijën e Partisë në çështjen e trajtimit të konflikteve në fushën e letërsisë, artit dhe kulturës. Konfliktet në gjirin e popullit i kam nxjerrë më të mprehta se ç’duhej, veprim ky që shpinte në zgjidhje të padrejta, në kundërshtim me vijën e Partisë për konfliktet në gjirin e popullit.
“Me këto pikëpamje kam inkurajuar edhe krijues të tjerë për ta trajtuar çështjen e konflikteve në të njëjtën mënyrë. Biseda të tilla për këtë çështje kam zhvilluar me Ibrahim Uruçin, Kujtim Spahivoglin, Bardhyl Kosovën, Riza Hajrion, Qamil Buxhelin dhe Ismail Kadarenë.
“Me këto pikëpamje kam shtrembëruar realitetin tonë, duke e trajtuar burokratizmin si një fenomen që ka marrë përmasa të gjera tek ne, aparatet dhe administratat tona krejt të burokratizuara dhe drejtuesit si burokratë. Duke vepruar në këtë mënyrë, hapa shteg që edhe krijues të tjerë si Qamil Buxheli, Fadil Paçrami, Ismail Kadareja, Fatos Arapi, Sulejman Mato, Viktor Gjika etj., të veprojnë në të njëjtën mënyrë.
“Edhe në çështjet e folklorit kam mbajtur qëndrime që mohonin vlerat e folklorit dhe hapnin rrugë për shfaqje të huaja. Dua të theksoj këtu për pikëpamje të tilla një artikull të Ismail Kadaresë, që bënte fjalë kundër shfaqjeve të folklorizimit në disa shkrimtarë e poetë, si tek Kol Jakova në poemën “Kruja” etj., por që në fakt i bënte një goditje vetë folklorit.
“Mua më pëlqeu ky artikull sepse ishte i përafërt me pikëpamjet e mia në drejtim të çështjes së folklorit dhe të luftës kundër folklorizmit, por që në fakt luftohej vetë folklori.
“Një fenomen tjetër i dëmshëm në poezinë tonë ka qenë edhe krijimtaria që e shikon gjithçka me syrin kritik në realitetin shqiptar. Kjo lloj poezie në fakt mori karakterin e denigrimit të vetë jetës dhe të sistemit tonë. Këtu përfituan krijues që kishin qëllime jo të drejta, të cilët iu kundërvunë zhvillimit tonë.
“Kjo tendencë është dukur në poezitë e Fadil Halitit dhe tek Ismail Kadareja, të cilat i kam inkurajuar dhe kam dhënë mendimin se janë të botueshme, sepse këto poezi, në forma dhe mënyra të ndryshme, i janë kundërvënë realitetit tonë.”








