Zona e Labërisë dhe konkretisht tre fshatra të saj Salaria, Gusmari dhe Progonati janë bërë pjesë e projektit për infrastrukturën dhe turizmin që po zbatohet në disa rajone në vend në funksion të lehtësimit të aksesit dhe fuqizimit të komuniteteve lokale.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ftoi kompanitë për t’u bërë pjesë e kësaj procedure duke nënvizuar se ajo është pjesë e projektit me një financim 40 milionë euro kombinuar si grante të Bashkimit Europian dhe një hua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Afati i mbylljes së procedurës është 12 marsi.
Projekti përfshin përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe të transportit, për të rritur aksesin në destinacionet turistike në fshatrat Gusmar, Salari dhe Progonat zona të njohura për trashëgiminë e tyre natyrore dhe historike.
Bëhet fjalë për atë që është pagëzuar si “Shtegu i Ali Pashës”.
Kjo nismë synon zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në zonën e Labërisë, dhe parashikon një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore që lidhin trashëgiminë historike të Ali Pashë Tepelenës me turizmin kulturor dhe natyror. Punimet janë të ndara në tre nënkomponentë kryesorë.
Nënkomponenti i parë përfshin rehabilitimin e qendrës së fshatit Gusmar dhe krijimin e një pike shërbimi për mobilitetin turistik, e cila do të funksionojë si ndalesë informacioni për turistët dhe si stacion transporti lokal. Projekti synon të krijojë një hapësirë multifunksionale për komunitetin, me ndriçim të përmirësuar, zona pushimi, gjelbërim dhe akses më të mirë në hapësirat publike, si dhe shërbime që mbështesin veçanërisht turizmin me biçikleta.
Nënkomponenti i dytë parashikon ndërtimin e një qendre mobiliteti turistik në Salari, duke transformuar një parkim informal në një hapësirë të organizuar dhe funksionale. Projekti përfshin shërbime për biçikleta (riparim, qira dhe karikim për biçikleta elektrike), krijimin e një pikë panoramike mbi kanionet, si dhe sistemim të parkimit dhe gjelbërim me bimësi vendase, me fokus në qëndrueshmëri mjedisore.
Nënkomponenti i tretë synon rigjenerimin urban të qendrës së fshatit Progonat, duke krijuar për herë të parë një shesh qendror funksional për banorët dhe vizitorët. Ndërhyrjet përfshijnë shtrimin e rrugëve dhe shesheve me materiale tradicionale si guri natyror, integrimin e blloqeve për këmbësorët, si dhe elementë gjelbërimi dhe lëvizshmërie urbane, për ta kthyer zonën në një pikë referimi sociale dhe turistike./ Monitor







