Presidenca qipriote e BE-së synon që të mbyllë deri në tre kapituj me Shqipërinë brenda muajit qershor. Paraprakisht po punohet për arritjen e konsensusit mbi raportin e vlerësimit të përkohshëm për grup kapitullin e parë, themeloret.
Kushti kryesor për të vijuar procesin e negociatave me vendin tonë është zbatimi i standarteve në sundimin e ligjit.
“Ne e përgëzojmë Shqipërinë për progresin mbresëlënës të arritur deri më tani. E inkurajojmë Shqipërinë për zbatimin e reformave në mënyrë intensive, sidomos në standardet e sundimit të ligjit.
Kjo do të lejonte mbylljen e kapitujve të parë negociues. Paraprakisht, qëllimi kryesor drejt të cilit po punojmë është arritja e konsensusit mbi raportin e vlerësimit të përkohshëm për grup-kapitullin e parë, themeloret, që më pas do të hapte rrugën për të mbyllur kapitujt e parë nën presidencën tonë. Ne shohim potencial për të mbyllur dy deri në tre kapituj me Shqipërinë deri në fund të muajit qershor gjatë presidencës qipriote”, u shpreh zv/ministja për Çështjet Evropiane e Qipros, Marilena Raouna.
Gjatë raportimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian për Malin e Zi, zv/ministja për Çështjet Evropiane e Qipros, Marilena Raouna, tha se parashikojnë të mbyllin rreth gjashtë kapituj, në varësi të procesit të reformave.
“Për Malin e Zi, të bëhet shteti i 28-të anëtar deri në vitin 2028 është një objektiv ambicioz, por realist, nëse ky shtet vijon rrugën e reformave.
Ngritja e grupit të punës ad hoc për hartimin e traktatit të pranimit të Malit të Zi është një përparësi e presidencës tonë. Ne parashikojmë që të jemi në gjendje të mbyllim rreth gjashtë kapituj, varësisht nga procesi i reformave. Po punojmë në mënyrë intensive për formimin e grupit punues ad hoc për traktatin e pranimit.
Kjo do të ishte hera e parë pas Kroacisë që ne, si BE, do të ngrinim një grup punues ad hoc për traktatin e pranimit me një shtet kandidat nga rajoni. Ky traktat do të jetë i rëndësishëm nga një këndvështrim simbolik për mesazhin që po u dërgojmë edhe shteteve të tjera kandidate të përfshira në procesin e zgjerimit”.
Raouna tha se duhet ecur shpejt me integrimin e shteteve ballkanike, pasi në këtë rajon ka aktorë të tjerë, përveç BE-së, që kanë politika neo-ekspansioniste.
“Ballkani Perëndimor është Evropë. E kemi thënë këtë për vite me radhë. Tani është momenti kur duhet të hapet më në fund dera. Aktorë që nuk ndajnë interesat tona, aktorë që kanë politika neo-ekspansioniste, janë tashmë në rajon, ndaj popujt e Ballkanit Perëndimor po shikojnë nga ne”.







