HomeOP EDLigji për lobimin: licencë ligjore për pazaret e Ramës/Nga Bujar Leskaj

Ligji për lobimin: licencë ligjore për pazaret e Ramës/Nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

Nga Bujar Leskaj
Formula e lobimit transparent, sipas parimeve të OECD-së, është: (1) transparencë, (2)integritet, (3) evidencë, (4) përfshirje, (5) llogaridhënie, dhe (6) vlerësim. Këto quhen gjithashtu gjashtë parimet normative, të cilat formojnë bazën analitike për vlerësimin e praktikave të lobimit.

Lobimi, kur bëhet sipas rregullave, është praktikë e njohur. Por kur ai kalon përmes individëve të komprometuar, kanaleve jozyrtare, pagesave financiare jo transparente dhe marrëdhënieve personale të dyshimta, ai pushon së qeni diplomaci dhe shndërrohet në problem të mprehtë shtetëror.

Për mendimin tim, kjo mazhorancë nuk ka kreditet morale për të merituar votën “pro” për këtë projektligj. Votova kundër projektligjit “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”, pasi, sipas parimeve të qeverisjes së mirë të OECD-së, lobimi duhet të jetë transparent, i bazuar në evidencë dhe i nënshtruar mbikëqyrjes demokratike. OECD dhe BE e konsiderojnë rregullimin e lobimit si element kritik për integritetin e vendimmarrjes publike.

Tek ne, për fat të keq, duke parë abuzimet skandaloze me lobimin në këta 13 vite qeverisje të sektit Rama, të gjitha gjasat janë që të ndodhë e kundërta dhe ne, me kete ligj, ne nje gjuhe popullore t’ia varim melçitë në qafë autokratit Rama, permes sherbetoreve te tij, edhe komisionerin qe ju permendet.  

Në demokraci, lobimi është mjet. Në Shqipëri, nën qeverisjen Rama, ai është shndërruar në hije, në marrëdhënie të errëta dhe në skandale që kanë kaluar kufijtë e një shteti normal. Nga përpjekje për të ndërtuar imazh ndërkombëtar, aktiviteti lobues është degraduar në skandale dhe afera okulte, me pasoja serioze në dëm të kredibilitetin e vendit. 

Lobimi qeveritar në Shqipëri ka qenë i karakterizuar nga: centralizim politik, mungesë transparence, edhe në formën më të thjeshtë, deficit llogaridhënjeje, dhe mungesë vlerësimi sistematik, duke u distancuar nga parimet e lobimit të përgjegjshëm të promovuar nga OECD, BE apo Organizata e Kombeve të Bashkuara, si dhe duke kufizuar kredibilitetin institucional të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Janë shumë arsyet për të votuar kundër këtij projektligji. Po rendis ndër më kryesoret:

  1. Skandali i “lobimit” McGonigal: më i errti dhe i rrezikshmi i periudhës së tranzicionit në Shqipëri

Duke vepruar tërësisht në mënyrë jo transparente dhe pa pranuar asnjë kontroll, Rama e ka shndërruar aktivitetin lobues në afera të errta dhe të rrezikshme per shtetin shqiptar. Kulmi i kësaj rruge të rrezikshme është skandali McGonigal, i cili hodhi dritë mbi një sistem ndikimesh që operonte larg transparencës dhe llogaridhënies.

Skandali McGonigal, një ish-zyrtar i lartë i FBI-së, i dënuar nga gjykata në SHBA për shkelje të rënda etike dhe ligjore, ekspozoi pikërisht përdorimin e ndikimit informal të kryeministrit për interesa të errta politike të tij, për goditjen dhe dobësimin e opozitës, duke e futur Shqipërinë në një narrativë të rrezikshme ndërkombëtare.

Skandali McGonigal nuk është një episod periferik, as një keqkuptim teknik i marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai është një njollë e rëndë politike e Ramës, që ekspozoi një model qeverisjeje ku lobimi nuk kryhet përmes institucioneve, por përmes kanaleve okulte, individëve të komprometuar dhe marrëdhënieve personale dhe financiare të errëta. Në qendër të këtij modeli qëndron Edi Rama.

Një shtet serioz lobon përmes ambasadave, kontratave transparente dhe kanaleve zyrtare. Për të goditur pabesisht opozitën e vendit të tij, Rama zgjodhi një rrugë tjetër: lobimin personal, informal dhe të rrezikshëm, i cili kulmoi me përfshirjen e Charles McGonigal në nxitjen e hetimeve për demonizimin dhe denigrimin e opozitës së Partisë Demokratike.

Fakti që emri i Shqipërisë dhe i Kryeministrit Rama u përmend në këtë çështje penale amerikane nuk është rastësi. Është pasojë direkte e një filozofie pushteti që beson më shumë te pazaret në hije, se sa tek institucionet.

Skandali McGonigal u bë simbol i lobimit okult në Shqipëri. Rasti McGonigal ngriti pyetje thelbësore që ende nuk kanë marrë përgjigje: Pse një ish-zyrtar i FBI-së u shndërrua në hallkë ndikimi për interesa politike që preknin Shqipërinë? Çfarë marrëdhënieje reale ekzistonte mes tij dhe rrethit qeveritar, me në krye Ramën në Tiranë? Kush e autorizoi dhe kush përfitoi nga ky kanal jozyrtar lobimi?

Heshtja e Kryeministrit dhe mungesa e transparencës institucionale e bëjnë skandalin edhe më të rëndë. “Lobimi” McGonigal nuk u përdor për të forcuar shtetin ligjor, por për të ndërtuar narrativa goditëse ndaj opozitës jashtë vendit, duke anashkaluar dhe injoruar mekanizmat normalë diplomatikë.

Ky është lobim i rrezikshëm, sepse e lidh fatin e vendit me fatin e individëve të përfshirë në skandale. Dhe kur këta individë bien, bie edhe kredibiliteti i Shqipërisë.

Në çdo demokraci funksionale, një skandal i tillë do të shoqërohej me hetim parlamentar, me transparencë të plotë mbi kontaktet dhe marrëveshjet okulte, mbi fondet e kaluara dhe mbi përgjegjësitë politike në nivelin më të lartë.

Në Shqipëri ndodhi e kundërta: relativizim, sulme ndaj opozitës dhe mbyllje me dhunë e debatit parlamentar. Kjo heshtje dhe ky uzurpim nuk është rastësor. Është strategji për të shmangur llogaridhënien.

Ky lobim okult me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, të akuzuar dhe dënuar në SHBA, që supozohej të forconte lidhjet me SHBA-në, i ka dëmtuar ato. Shqipëria u shfaq në një proces penal amerikan jo si aleate serioze, por si vend me kryeministër të përmendur në një aferë okulte ndikimi.

Një shtet i vogël nuk ka luksin të luajë me besimin e partnerit të tij strategjik. Rama e bëri këtë pa iu tutur syri. Tani, me këtë projektligj të shndërruar në ligj, do t’i krijohen mekanizmat e duhur ligjorë për të vepruar akoma dhe më me pafytyrësi në të ardhmen, gjoja në emër të lobimit ligjor!

Skandali McGonigal nuk është i shkëputur. Ai përshtatet në një model më të gjerë, që ka në themel personalizimn e pushtetit, shmangien e institucioneve, përdorimin e rrjeteve informale dhe mungesën totale të transparencës.

  1. Rrjeti Soros: shoqëri civile, apo lobim okult për ndikim të thellë politik?!

Paralelisht, për të 13 vitet në qeverisje, sekti Rama ka ndërthurur pushtetin me një rrjet ndikimi të lidhur me fondacionet e manjatit financiar George Soros, të denoncuara nga Presidenti amerikan Donal Trump si organizatë për t’u hetuar, duke e shndërruar bashkëpunimin me shoqërinë civile në Shqipëri, në instrument politik.

Reforma në drejtësi, narrativa publike, qasja ndaj opozitës dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë kanë kaluar të filtruar përmes këtij rrjeti lobimi okult.

Në çdo demokraci, fondacionet dhe organizatat joqeveritare kanë rol këshillimor dhe kritik. Në Shqipëri, nën qeverisjen Rama, një pjesë e rrjetit Soros ka vepruar si pushtet paralel, duke ndikuar drejtpërdrejt në hartimin e reformave kyçe, në përzgjedhjen e elitave institucionale, në narrativën publike dhe mediatike, si dhe në delegjitimimin sistematik të kundërshtarëve politikë.

Kjo nuk është më shoqëri civile dhe lobim. Është ndërhyrje strukturore në shtet. Shembulli më i qartë i këtij ndikimi okult është reforma në drejtësi. E paraqitur si reformë historike, ajo u ndërtua dhe u mbrojt politikisht nga një rrjet aktorësh të lidhur drejtpërdrejt me fondacionet Soros. Problemi nuk është ideja e reformës, por monopolizimi i saj.

Kur një reformë identifikohet me një rrjet ideologjik dhe politik, ajo humbet neutralitetin dhe kthehet në instrument pushteti. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur tek ne, drejtësia është perceptuar gjithnjë e më shumë si selektive, e politizuar dhe e përdorshme kundër kundërshtarëve politikë të pushtetit.

Qeveria Rama nuk ka sqaruar kurrë plotësisht çfarë marrëveshjesh konkrete ka pasur me fondacionet Soros, çfarë roli kanë pasur individë të lidhur me këtë rrjet në vendimmarrje, si janë përzgjedhur ekspertët dhe drejtuesit e institucioneve të reja dhe pse ky rrjet ka pasur akses të privilegjuar në proceset shtetërore.

Një nga tiparet më shqetësuese të këtij modeli është shndërrimi i aktivizmit politik në reformë “teknike”. Vendime thellësisht politike janë paketuar si domosdoshmëri profesionale, duke përjashtuar debatin demokratik dhe opozitën. Ky mekanizëm ka shërbyer për të justifikuar kapjen e institucioneve nën petkun e progresit dhe integrimit europian.

Ndryshe nga institucionet shtetërore, rrjeti Soros nuk i përgjigjet votës, parlamentit apo kontrollit publik. Megjithatë, nën qeverinë Rama, ai ka pasur ndikim më të madh se vetë mekanizmat kushtetues. Ky është paradoksi më i rrezikshëm: vendimmarrje publike e ndikuar nga aktorë privatë, pa mandat dhe pa përgjegjësi!

Kjo simbiozë mes pushtetit politik dhe rrjeteve okulte ka prodhuar pasoja të rënda, si (i) dobësim të pluralizmit, (ii) kapje të institucioneve, (iii) humbje të besimit publik dhe dhe delegjitimim të reformave reale.

Një demokraci nuk vdes gjithmonë me grusht shteti. Shpesh vdes nga kapja e butë, nga ndikimi i padukshëm, nga vendimmarrja pa dritë.

  1. Diplomaci personale, shtet i dobët

Politologu dhe kulturologu Ndricim Kulla, në artikullin “Pyetja nuk shtrohet pse Rama flet ne Izrael, por pse Shqipëria nuk flet më përmes institucioneve të saj? nënvizon, se: “Eseja e këtij udhëtimi nuk është diplomacia, por simulimi i saj. Por ky udhëtim ka edhe një dimension më të errët: interesin klientelist. Shqipëria nuk shfaqet si partner strategjik, por si territor mundësish për biznese të caktuara, si hapësirë për marrëveshje që nuk kalojnë përmes transparencës, por përmes marrëdhënieve personale. Rama nuk shkon si kryeministër i një republike, por si ndërmjetës i interesave, ku diplomacia përdoret si mbulesë për llogari të biznesmenëve të afërt me pushtetin, përfshirë edhe rrethin e kapitalit izraelit që kërkon akses, favore dhe privilegje. Këtu diplomacia humbet kuptimin e saj të vërtetë. Ajo nuk është më raport midis shteteve, por pazar midis klientëve. Nuk është përfaqësim i interesit publik, por menaxhim i interesave private. Dhe sa herë që ndodh kjo, shteti zvogëlohet, ndërsa pushteti personal fryhet.”

Duke kryer gjithnjë lobim okult, sekti Rama ka zgjedhur diplomacinë personale në vend të diplomacisë institucionale. Kontakte informale, ndërmjetës të errët, lobim përmes individëve dhe jo përmes ambasadave apo mekanizmave zyrtarë. Ky model mund të prodhojë foto dhe tituj afatshkurtër, por dëmton rëndë shtetin.

Kur një qeveri mbështetet te individë të dyshimtë për të ndërtuar imazh ndërkombëtar, ajo pranon në heshtje dobësinë e vet institucionale. Aferat e mësipërme nuk janë thjesht probleme etike. Ato kanë kosto konkrete, si cenim të besueshmërisë ndërkombëtare, dëmtim të marrëdhënieve strategjike, perceptim të Shqipërisë si shtet i kapur dhe delegjitimim të reformave.

Një vend i vogël nuk ka luksin të luajë me reputacionin e vet. Dhe pikërisht këtë ka bërë dhe do të vijojë ta bëjë më intensivisht me këtë projektligj të shndërruar në ligj, qeveria Rama.

xxx

Skandali McGonigal dhe hijet e tjera të lidhura me rrjetet e Sorosit nuk janë episode të shkëputura. Ato janë simptoma të një modeli qeverisjeje që ka deformuar lobimin në aferë, diplomacinë në marrëdhënie personale dhe shtetin në instrument pushteti.

Shqipëria ka nevojë për transparencë, jo për kanale okulte, kësaj rradhe përmes neneve të një ligji. Ka nevojë për institucione, jo për ndërmjetës. Për diplomaci shtetërore, jo për pazare në hije. Dhe sa më gjatë të mohohen këto probleme, aq më e madhe do të jetë kosto për vendin.

Në fund të këtij diskutimi/shkrimi po përmend tagencialisht përsëri formulën e lobimit të përgjegjshëm: Transparencë+Integritet+Evidencë+Përfshirje+Llogaridhënie+Vlerësim, me pak sqarime:

  1. Transparenca: Ky indikator në OECD, në raportin për administratën publike në 2024, vlerëson transparencën dhe integritetin e aktiviteteve lobuese me “zero nga dhjete”. Pra, kuadri për transparencë është praktikisht inekzistent, megjithëse ekzistojnë tre ligje që duhet ta rregullonin këtë marrëdhënie. Natyrisht, ky ligj është më i plotë, por gjithsesi qëllimi është i keq. Është e vështirë të kuptohet kush lobon, për çfarë, me çfarë kostoje dhe çfarë rezultati.
  2. Integriteti: Problemi për integritetin e lobimit është kur krijohen ose perceptohen kanale jo transparente ndikimi jashtë vendit. Rasti i ish-zyrtarit të FBI-së, McGonigal, që kam cituar në diskutimin tim, përfshin mosdeklarim pagese, kontakte me zyrtarë shqiptarë, përfshirë edhe Kryeministrin. Standardet e integritetit kërkojnë të shmanget jo vetëm korrupsioni, por edhe perceptimi i ndikimit të paligjshëm, përmes distancimit nga ndërmjetës kanale jozyrtare, transparencës së takimeve dhe ndërveprimeve, rregullave të forta të konfliktit të interesit.
  3. Evidenca: Lobimi bëhet më shumë narrativ sesa i matshëm. Lobimi i përgjegjshëm sipas OECD-së nënkupton që qeveria të paraqesë pozita që lidhen me analiza, të dhëna, vlerësime ndikimi dhe jo vetëm PR/politikë. Komisioni Evropian në Raportin e Zgjerimit 2025 për Shqipërinë, theksoi nevojën për mekanizma konsultimi efektiv, një mjedis më të qëndrueshëm të qeverisjes dhe llogaridhënie (p.sh., përmes kufizimit të politikave të rishikimeve buxhetore me akte normative nga ekzekutivi).
  4. Përfshirja: Deficit konsultimi dhe hapësirë civile.

Impakti në lobim: Lobimi qeveritar bëhet më pak legjitim kur:

  • Politikat që “shiten” jashtë vendit nuk kanë kaluar konsultimin real brenda
  • Shoqëria civile nuk ka një mundësi të vërtetë për të kontribuar në proceset vendimmarrëse.
  • Llogaridhënia: Vështirësi për të gjykuar kostot, rezultatet dhe motivet. Standardi i llogaridhënies kërkon shpjegim publik: pse, sa, çfarë përfshin, çfarë reputacionesh janë të përfshira dhe si realizohet llogaridhënia për veprimet e ndërmarra. Edhe kur diçka është “ligjore”, standardi i llogaridhënies kërkon shpjegim publik: pse, sa, çfarë përfitimi, çfarë rreziku reputacional. Në një mjedis ku perceptimi për korrupsionin është ende problematik, mungesa e transparencës së lobimit e bën më të vështirë llogaridhënien për: shpenzimet (publike/indirekte), kontratat dhe ndërmjetësit, konfliktet e interesit dhe përfitimet konkrete për publikun.
  • Vlerësimi: për tu realizuar kjo nevojitet analizë kosto-përfitim, krahasim objektiv i alternativave, audit i performancës së kontratave/angazhimeve.

Bazuar në standardet e OECD dhe pritshmëritë e BE-së, dobësia kryesore e lobimit qeveritar në Shqipëri gjatë periudhës së fundit lidhet më pak me “aftësinë për të bërë PR jashtë”, dhe më shumë me mungesën e arkitekturës së transparencës, integritetit dhe vlerësimit (të matshëm e të kontrollueshëm). Në Shqipëri në cdo rast Lobimi është realuzar vetëm për interesat e KM Rama, për ineteresat e tij dhe vetëm për interesat e tij.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular