Tregtarët e tregut industrial në Vlorë shkuan këtë të premte te Pallati i Kulturës, ku po zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak.
Kërkuan që të dinin se ku do ta vijojnë aktivitetin e tyre në një kohë kur po ndërtohet tregu i ri. Ata thonë se nuk janë kundër këtij projekti, por autoritetet lokale duhet t’u caktojnë një hapësirë të re ku mund të vijojnë punën.
Autoritetet po zbatojnë projektin për ndërtimin e tregut të ri, që synon përmirësimin e standardeve si të higjienës, ashtu edhe të tregtimit. Por derisa ndërtimi të përfundojë, tregtarët kërkojnë përcaktimin e një vendi ku mund të vijojnë tregtinë, pasi sipas tyre nuk mund të shesin në rrugë.







