HomeKultureShtëpia Botuese "URA", Prishtinë, botoi romanin "Marsi i Marrë", të shkrimtarit të...

Shtëpia Botuese “URA”, Prishtinë, botoi romanin “Marsi i Marrë”, të shkrimtarit të mirënjohur Bashkim Hoxha. Falenderimi dhe reagimi i autorit: Një ditë e bukur

Advertismentspot_img

SHkrimtari Bashkim Hoxha dhe Shtepia Botuese “Ura” ne Prshtine njoftojne botimin e Romanit “Ura”. Vet autori Hoxha e konsideroi te shtunën nje ditë e bukur teksa shkruan -” Xhemë Karadaku dhe Lumnie Thaçi Halili nga shtëpia botuese URA në Prishtinë njoftojnë botimin e romanit tim te ri MARSI I MARRË. Botuesit e URA, si të gjithë botuesit seriozë, nuk botojnë për miqësi, për emër, për pagesa apo rrethana të tjera jashtë letrare. Para se të marrin vendimin për botim analizojnë dorëshkrimin dhe vendimet i marrin për motive që kanë të bëjnë me letërsinë. Kjo mënyrë botimi më bën të ndihem i respektuar. Faleminderit“.
Shoqeruar me nje analize te Lumnie Thaçi-Halili Shtepia Botuese “Ura” njofton se -:
Romani “Marsi i Marrë” nuk shihet si pagëzim metaforik prej së jashtmi, por as si gjendje mendore e shoqërisë që përshkruhet brenda romanit. Marsi, si muaj i një stine të re në ardhje, si bulëzim shpërthyes, shënjon kohën e vendimeve të nxituara, të alarmit të pashpjeguar, të reagimeve të tepruara të pushtetit. “I marrë” nuk është epitet për individët e përzgjedhur në izolim, kryekreje është për terrinën logjike në të cilën vepron sistemi. Kjo zhvendosje semantike është mjaft goditëse në thelb, duke i dhënë romanit, veç tjerash, edhe dimensionin tërheqës simbolik që në titull.
Autorit i dëshirojmë suksese, kurse lexuesve lexim të këndshëm të një romani të mrekullueshëm e të veçantë.
Në vijim, për romanin, mund të lexoni një analizë të shkurtër, të redaktores Lumnie Thaçi-Halili

NORMALITETI QË LEGJITIMON PËRJASHTIMIN TE “MARSI I MARRË”

Lexuesi, që në fillim të leximit do të shohë që romani “Marsi i Marrë” nuk ndërtohet mbi dëshirën për të promovuar një tezë, por kryesisht ka të bëjë mbi nevojën për të zbërthyer një mekanizëm. Ai ndërtohet mbi funksionimin e një rendi që e ka zhvendosur moralin nga etika te procedura. Kjo është edhe një nga pikat themelore të tij, sepse këtu pushteti nuk demonizohet, vetëm analizohet prej mënyrës se si punon, prej mënyrës se si flet, prej mënyrës se si i rregullon pasojat e veta përmes gjuhës dhe rutinës.

Titulli “Marsi i Marrë” nuk shihet si pagëzim metaforik prej së jashtmi, por as si gjendje mendore e shoqërisë që përshkruhet brenda romanit. Marsi, si muaj i një stine të re në ardhje, si bulëzim shpërthyes, shënjon kohën e vendimeve të nxituara, të alarmit të pashpjeguar, të reagimeve të tepruara. “I marrë” nuk është epitet për individët e përzgjedhur në izolim, kryekreje është për terrinën logjike në të cilën vepron sistemi. Kjo zhvendosje semantike është mjaft goditëse në thelb, duke i dhënë romanit, veç tjerash, edhe dimensionin tërheqës simbolik që në titull.

Romani ngrihet mbi një rrethanë (situatë) që tingëllon e zakonshme dhe njëkohësisht shqetësuese, për të shmangur të papriturën, përzgjidhen individë që konsiderohen “të papërshtatshëm” dhe largohen përkohësisht nga qyteti: Do t’i mbanin larg për dy ditë, aq sa zgjaste përgatitja, vizita dhe përfundimi i vizitës që do të bënte në qytet kryeministri (f.9) (Nga këtu fillon edhe zbërthimi i romanit. Çuditërisht, ky akt nuk shfaqet me dhunë të hapur, por me kujdes, me masë parandaluese, me një gjuhë që synon qetësinë… Pikërisht këtu qëndron forca e këtij romani të veçantë: ai e vendos lexuesin përballë një pushteti të pazëshëm, i cili nuk kërcënon askënd, nuk shpall armiq, por e administron frikën duke e shndërruar atë në veprim normal. Madje, as frika nuk shfaqet si emocion individual, tërësisht në roman ajo funksionon si parim organizues, për secilin duke nisur si arsye premtuese për kthim: Do ta marrim vetëm për pak ditë, dhe do ta sjellim prapë, ju thashë (f.15).

Nga këndvështrimi im, “Marsi i Marrë” hyn në tipologjinë e romanit ekzistencial me ndërtim postmodern, pasi boshti i tij nuk i përket zhvillimit linear të ngjarjes, por përballjes së personazhit me mënyrën e të qenit (të ekzistuarit) ndryshe apo i dallueshëm nga të tjerët. Vendimet kyçe nuk synojnë zgjidhje, ato synojnë qëndrim, ndërsa kuptimi mbetet i hapur, pa përmbyllje sintetizuese. Romani refuzon rrjedhën e paracaktuar të pasojave, psikologjinë shpjeguese dhe moralin normativ, duke zgjedhur një narrativë të përmbajtur, ku heshtja, përsëritja dhe cikli i ekzistencës zëvendësojnë vijën e drejtë të rrëfimit. Në këtë kuptim, ai ndërtohet si roman postmodern në logjikë, por trashëgon një disiplinë narrative shumë të afërt me ndjeshmërinë moderniste, të cilën e zhvendos nga kriza ekzistenciale individuale drejt analizës së pushtetit procedural dhe mekanizmave të përjashtimit normal.

Përgjithësisht, krejt struktura korale e veprës shërben si instrument analitik, duke i shërbyer idesë. Personazhet nuk ndërtohen si subjekte me trajektore narrative autonome, por si pozicione diskursive brenda një sistemi që kategorizon një devijimin. Ato përfaqësojnë forma të ndryshme mospërputhjeje me rendin, secili prej tyre bart një devijim të vogël, një tepri nëse mund të quhet, një sjellje që nuk hyn në formular mirësjelljeje. Në mënyrë specifike, kjo i bën të dyshimtë. Në këtë kuptim romani nuk flet për “të çmendurit”, po për mënyrën se si shoqëria e trajton një kategori njerëzish për të mbrojtur veten nga ata që nuk e kuptojnë.

Drejtpërdrejtë te këta individë, pushteti zbulon procesin përmes të cilit shoqëria i formëson apo i krijon kategoritë e përjashtimit për të ruajtur iluzionin e stabilitetit. Pra, që i bie, se, parë nga ky aspekt, personazhet funksionojnë si simptoma, jo si raste klinike.

Prandaj, galeria e figurave funksionon si hartë simptomash shoqërore, jo si katalog patologjish që u tha dhe sipër, sepse personazhet e romanit nuk ndërtohen si individë të izoluar, por si skaje të një normaliteti të zhvendosur, edhe pse nuk janë rastet më ekstreme, por janë ata që sistemi i identifikon si të teprueshëm, kështu: Dani përfaqëson figurën e njeriut të mbrojtur nga komuniteti, por të pambrojtur nga shteti; Gjorgu dëshmon frikën që projekton vetveten dhe e kthen ëndrrën në faj; Harrabella shfaq trupin që del jashtë normës. Njëkohësisht nuk mund të quhet as figurë morale dhe as provokim i vetëdijshëm, thjesht ajo ekziston në një mënyrë që nuk administrohet lehtë. Përmes saj, romani tregon se pushteti nuk përjashton vetëm mendimin apo veprimin, por edhe prezencën trupore që nuk përputhet me pritshmërinë. Harrabella është prova se normaliteti social është gjithmonë edhe regjim trupash; Branko përfaqëson besimin e pafajshëm se e ardhmja mund të lexohet për të mirë, si një figurë e shpresës joinstitucionale që bie ndesh me logjikën shtetërore të parashikimit si kontroll; Armandi mishëron refuzimin e heshtur të rendit njerëzor.

Ai nuk rebelohet, nuk polemizon me askënd, nuk kërkon të ndryshojë sistemin, heshtazi përvidhet apo del prej tij. Vendosja e tij në pyll nuk është arratisje romantike, por thyerje e përkatësisë ekzistenciale, kthim në ciklin natyror, jashtë gjuhës, jashtë formularit, jashtë përgjegjësisë administrative. Armandi manifeston kufirin ku pushteti nuk arrin më të emërtojë njeriun; Mentori përfaqëson ndërgjegjen që e kupton padrejtësinë, por nuk e ndal dot veten ta zbatojë. Ai nuk është as cinik, as i verbër. E sheh devijimin moral, por zgjedh ta zbatojë përmes veprimit, thjesht si punë. Mentori është figura e njeriut që di, por që e shndërron dijen në heshtje, sepse sistemi kërkon bindje, jo reflektim. Tregues se përgjegjësia nuk zhduket, vetëm duhet të shtypet; Lisieni përfaqëson racionalitetin e ftohtë të sistemit. Flet me gjuhën e arsyes, të (pa)qetësisë, të shpjegimit. Shumë bindës. Funksioni i tij është ta bëjë përjashtimin të kuptueshëm, madje të pranueshëm. Me një fjalë, Lisieni është ai që e përkthen frikën në argument dhe dhunën në logjikë; Viola përfaqëson normalitetin e pambrojtur. Ajo nuk është pjesë e këtij mekanizmi. Është ajo, që përjeton lidhjen emocionale, jetën e zakonshme, nga e cila i pëson pasojat pa u pyetur. Përmes saj, romani tregon se pushteti nuk dëmton vetëm ata që përjashton, por edhe ata që janë brenda suazave të normales duke paguar çmimin, këtë rast, çmimin e mungesës; Gerond Lito (Mister Sharja) përfaqëson zërin e drejtpërdrejtë, instinktiv dhe të pakontrolluar të pakënaqësisë shoqërore. Kundërshton hapur, është më i zëshmi, sepse nuk e filtron veten, nuk e moderon fjalën dhe nuk e përshtat reagimin sipas përcaktimit kufizues të sistemit, sidomos rreth kryeministrit. Siç shihet, e përbashkëta e të gjithëve në roman nuk është “çmenduria”, por mënyra ndryshe, ngaqë sistemi i lexon si sinjale rreziku. Autori tregohet mjaft i kujdesshëm, duke mos i shndërruar personazhet e izoluara prapa malit në reduktime skematike groteske, pavarësisht që tipizimi i tyre është i fortë, ai shoqërohet me detaje që e mbajnë figurën e secilit brenda kufijve të besueshmërisë njerëzor.

Një nga nyjat qendrore konceptuale të romanit është edhe mënyra sesi shfaqet përgjegjësia. Ajo nuk mohohet, as nuk eliminohet, por shpërndahet. Nuk ekziston një subjekt i vetëm fajtor, krejt përgjegjësia shpërndahet në një zinxhir vendimesh të vogla, secila duket e arsyeshme brenda kompetencës së vet. Ky mekanizëm e zhvendos konfliktin nga morali individual te racionaliteti institucional dhe krijon tensionin themelor të veprës: përplasjen mes ndërgjegjes personale dhe funksionit administrativ. Pikërisht kjo e bën romanin të prekë nervin bashkëkohor, duke mos u marrë me figura madhore autoritare, por me aparatin e zakonshëm që vepron në emër të rregullit. Dukshëm vërehet që ky tension mes ndërgjegjes individuale dhe funksionit institucional ndërtohet nga ana autoriale pa retorikë moralizuese dhe, duke e lënë veprën të flasë përmes gjendjeve kontekstuale të ndryshme.

Më rezulton se diskursi narrativ kalon në regjistër poetik te kapitulli i katërt, pikërisht te Armandi, drejt fundit të librit, hipur mbi degën e një ahu. Figura e tij, merr formë radikale mospërputhshmërie ndaj pushtetit, jo përmes rebelimit po përmes tërheqjes, shmangies, duke e zhvendosur romanin nga satira politike në një metaforë më të thellë. Vendimi i Armandit për të mos u kthyer është pasojë e një vetëpërkufizimi të ri, duke e parë veten si pemë, ai heq dorë nga jeta njerëzore e ndërtuar mbi vijimësi dhe zgjedh një ekzistencë ciklike, ku qëndrimi në natyrë, në mal, zë vendin e lëvizjes dhe përsëritja zëvendëson kthimin: Është privilegj të jesh pemë. Merr frymë, jeton jetën tënde i heshtur. Kur vjen vjeshta, i heq gjethet e plakura; i reziston dimrit; ama kur vjen pranvera, çelin përsëri gjethet e reja (f.115).

Nga këndvështrimi kritik “Marsi i Marrë” vendoset në traditën e romaneve që kanë problematizuar absurditetin institucional si mekanizëm pushteti, duke krijuar analogji të qarta me vepra të letërsisë botërore, që nga “Procesi” deri te romani “Duke pritur barbarët” i J. M. Coetzee, ku figura e nëpunësit që kupton padrejtësinë e sistemit, por vazhdon të veprojë brenda urdhrit, e zhvendos konfliktin nga morali individual te përgjegjësia strukturore. “Ashtu sikurse te Kafka, që pushteti vepron përpara se të arsyetojë dhe shpjegimi mbetet i vonuar ose ironik, gjithashtu si te “Verbëria”, që masa kolektive justifikohet në emër të “sigurisë”, duke e kthyer kontrollin në normë, po ashtu edhe te “Mjeshtri dhe Margarita” dhe te “Shakaja”, grotesku dhe humori i zi shërbejnë për të çmontuar një rend të çuditshëm, i cili e ka normalizuar të pazakonshmen njerëzore. Megjithatë, më krijohet bindja që romani i Bashkim Hoxhës “Marsi i Marrë”, i përthith këto afri përmbajtësisht, me zëra ndërthurës, duke e zhvendosur theksin nga etika abstrakte e pushtetit te mekanika e tij e përditshme: përmes mënyrës se si frika kthehet në procedurë, procedura në alibi dhe alibia në normalitet! Prandaj, siç u shtjellua sipër, në këtë drejtim shfaqet dimensioni i tij më i fortë kritik, jo te dënimi i pushtetit si ide, por te zbërthimi i mënyrës se si ai vepron çdo ditë, pa zhurmë, përmes gjuhës, listave dhe vendimeve që duken gjithnjë të arsyeshme, thuajse të rëndomta.

Në përfundim, mbi bazë të disa këndvështrimeve analitike, “Marsi i Marrë” përbën një vepër me identitet të qartë dhe një zë të paimitueshëm estetik, konceptual dhe tematik, duke iu shmangur krejtësisht klisheve të deritashme të tranzicionit shqiptar, me potencial për t’u lexuar, e përjetuar kuptimisht si roman i rëndësishëm i kritikës ndaj pushtetit në prozën bashkëkohore shqiptare dhe përtej saj. Kurse sa i përket gjuhës së romanit, ajo është e matur, e përqendruar, e përmbajtur dhe e aftë të mbajë tensionin pa u mbingarkuar…

Analiza e plotë e këtij romani do të publikohet së shpejti.

Prishtinë, janar 2026

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular