Kosova nuk do të paguajë për Bordin e Paqes, pasi nuk ka asnjë detyrim financiar përveç disa procedurave burokratike të nevojshme. Kurse koha i dha të drejtë kryeministrit Albin Kurti në lidhje me qëndrimet e tij për Veriun e Kosovës, teksa institucionet në Shqipëri ishin në rrugë të gabuar në qëndrimet ndaj tij.

Kështu u shpreh sot në studion e “News 24” ish-deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku, aktualisht këshilltar për Politikën e Jashtme të presidentes Vjosa Osmani në Kosovë.
Ish-ligjvënësi bëri një narrativë diplomatike dhe politike për aktualitetin më të fundit në të dy vendet dhe kryesisht zhvillimet në Kosovë dhe Bordin e Paqes. Ai tha gjithashtu se njohjet e reja për Kosovën janë në proces e sipër, teksa Siria ishte vendi i fundit.
“Njohjet nga shtetet e reja për Kosovën janë në proces, edhe Siria ishte një nga njohjet e fundit”, tha ai.
Në lidhje me aderimin e Kosovës në Bordin e Paqes, Çollaku tha se ishte zhvillim pozitiv, sikurse edhe për Shqipërinë dhe shpjegoi:
“Kosova nuk ka asnjë detyrim për të paguar në Bordin e Paqes, sigurisht asnjë nga vendet nuk ka. Ka praktika të caktuara si pagesa burokratike e procedurash. Bordi i Paqes është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe vendet e tjera. Kosova ka sens të lartë pjekurie shtetërore dhe kombëtare. Në mënyrë absolute nuk bëhet fjalë për asnjë pagesë. Pesha kryesore mbahet nga SHBA-të. Nuk ka asnjë të vërtetë për pagesën e Kosovës te Bordi. Ka gjëra për t’u përcaktuar ende, por drejtuesit dhe koordinuesit janë SHBA-të. Janë shenja pozitive lëvizjet me Bordin e Paqes”.
Çollaku pranoi se ka edhe skepticizëm, sikurse nga vendet e mëdha evropiane, por nënvizoi se Bordi do jetë afatgjatë dhe tashmë është aktiv.
“Por procesi është ende në vijim, madje dhe Gjermania është shprehur se po konsultohen 2-3 pika, po ashtu edhe vendet e tjera. Por Bordi mirëfilli ka filluar dhe po funksionon. Bordi nuk pret, ai quhet aktiv dhe i themeluar, projekt që do vazhdojë. Proces dinamik diplomatik, por shenjat janë optimiste. Marrëdhëniet mes SHBA dhe Kosovës janë shumë të mira dhe partneriteti i fortë. Madje edhe spektri politik kombëtar në Kosovë e ka mbështetur, madje edhe skeptikët. Bordi është përshëndetur nga të gjithë”, u shpreh ai.
I pyetur për një koment në lidhje me pozicionin e kryeministrit Rama që nuk shkoi për të firmosur Bordin e Paqes në Davos me presidentin Donald Trump, ai shmangu interpretimet politike në mënyrë diplomatike dhe tha:
“Në lidhje me Shqipërinë nuk mund të spekuloj, nuk kam asnjë dijeni për skena apo analiza dhe nuk kam asnjë ide përsa i përket rastit të kryeministrit Rama. Është një lajm shumë i mirë që edhe Shqipëria mori ftesë. Dy vende, dy shtete shqiptare me ftesë, është sinjal i qartë për rolin e tyre në rajon”.
Çollaku u pyet edhe në lidhje me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, nëse vijojnë të jenë diplomatikisht të ftohta, apo ka pasur qasje të re mes Prishtinës dhe Tiranës. Ai pranoi se diçka ka ndryshuar për mirë dhe presidentja Osmani ka punuar fortë në këtë pikë dhe aktualisht marrëdhëniet janë të mira.
Por shtoi se qasja e hershme e institucioneve në Shqipëri ndaj kryeministrit Kurti dhe Kosovës ka qenë e gabuar dhe koha e vërtetoi, duke i dhënë të drejtë kreut të LVV-së për Veriun.
“Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë të mira, janë të afruara. Edhe përpjekja e Presidentes së Kosovës është për t’i afruar sa më shumë vendet. Sigurisht ka pasur ftohje mes dy qeverive, madje edhe kur isha në Tiranë mendoja se faji ishte i Shqipërisë, por edhe tani e mendoj, sepse ka pasur një sjellje apo akte të institucioneve që kanë qenë të gabuara dhe nuk mund të them jo. Koha i dha të drejtë Albin Kurtit edhe për situatën në Veri, për zgjedhjet, për politikën dhe situatën aktuale, ku flamuri i Kosovës në veri është ngritur. Të gjitha këto i dhanë të drejtë Albin Kurtit, Historia tregoi se Kosova kishte të drejtë dhe mbronte të drejtën e vetë. Madje edhe Brukseli reagoi me heqjen e sanksioneve dhe kjo tregoi se qeveria e Kosovës kishte të drejtë”, tha Çollaku.
Duke folur për ambiciet ndërkombëtare të Prishtinës, ai theksoi se Kosova po punon intensivisht për anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me synimin për ta bërë të pamundur veton ruse.
“Është shumë ë rëndësishme prania e Kosovës. Vëmendja që iu kushtua Kosovës, ishte e jashtëzakonshme. Një lajm shumë i mirë ishte që mori dhe Shqipëria ftesë. Fakti që dy vende, dy shtete shqiptare kanë ftesë, është lajm i mirë që i shohin këto vende si faktorë strategjikë në Ballkan. Është një model që do të projektojë si shembull në botë, që do të reflektojë paqe pas një konflikti të armatosur. Kosova është shembull i tillë. Është shtet demokratik”, tha ai.
Dhe në fund shpjegoi se Kosova po synon edhe për njohjen nga OKB:
“Standardet demokratike dallohen në një vend se si zgjidhen ngërçet. Kur ka ngërç politik, shkohet në zgjedhje. Zgjedhjet janë zgjidhje. Të mos ia ulim këto vlera Kosovës. Kosova po punon për njohjen në OKB dhe do të bëjë të pamundur veton ruse Me të gjitha gjasat do t’ia mbërrijmë, Kosova nuk ka asnjë detyrim për të paguar për të qenë në Bordin e Paqes”.
Protesta e opozitës, situata politike në Shqipëri dhe integrimi në BE
Ish-deputeti demokrat u shpreh se edhe aktualisht larg Tiranës, pasi është i angazhuar në Kosovë si pjesë e kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, i ndjek zhvillimet politike në Shqipëri.
Duke i qëndruar “gjuhës së drunjtë dhe diplomatike” për shkak të pozicionit, ai qëndroi larg komenteve të drejtpërdrejta partiake, por këshilloi forcat politike që të kenë vetëm një prioritet, pavarësisht ndasive dhe përplasjeve. Dhe ai të jetë integrimi në BE, pasi Evropa tani na sheh me mikroskop.
Gjithashtu këshilloi PD-në dhe opozitën që të jetë më e bashkuar, më afër qytetarëve, të përzgjedhë me kujdes figurat drejtuese dhe të reformohet.
“Edhe pse jam aktivë në Kosovë, i ndjek edhe zhvillimet e rëndësishme në Shqipëri. I qëndroj mesazhit të fundit që kam dhënë kur kam qenë këtu, opozita ka nevojë të forcohet, të reformohet, të ketë qasje me njerëzit, të jetë më afër qytetarëve. Ka pasur probleme edhe me drejtësinë dhe me strukturat apo përzgjedhjet brenda saj. Prioriteti i opozitës dhe fokusi duhet të jetë integrimi i Shqipërisë në BE. Madje duhet të jetë fokusi i të gjithëve, sepse një dritë e kuqe atje në BE rrezikon jo vetëm Ramën dhe qeverinë. Kryesorja është integrimi sa më shpejt në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Në lidhje me pyetjen nëse opozita është forcuar, ai nënvizoi:
“Unë mendoj se opozitarizmi është i fortë kur merr mbështetjen e madhe të qytetarëve apo shoqërisë. Opozita në radhë të parë duhet të lexojë politikën e të tjerëve dhe i ka kapacitetet për ta bërë. Suksesi i një force politike qëndron te leximi i të tjerëve”.
Dhe në fund një këshillë për politikën e ashpër mes partive të Tiranës, ku dikur ishte edhe vetë pjesë. Ai tha se integrimi në BE arrihet vetëm duke bashkëpunuar forcat politike, pavarësisht debateve.
“Ju them se me hapjen e kapitujve, Shqipëria është në mikroskop për integrimin në BE dhe ku gjithçka vëzhgohet dhe shikohet. Sigurisht do ketë edhe debate, por synimi duhet të jetë integrimi në BE. Hapja e negociatave sjell akoma më shumë monitorim dhe nga distanca them se shpresoj që të dy palët të kenë këtë fokus kryesor, pavarësisht situatave të brendshme politike”, përfundoi Çollaku.







