HomeKryesoreEMRAT/Prezantohen në Kuvend 10 kandidatët e parë për në Këshillin Mbikëqyrës të...

EMRAT/Prezantohen në Kuvend 10 kandidatët e parë për në Këshillin Mbikëqyrës të BSH. 10 të tjerët do dëgjohen të mërkurën. Tre i cakton qeveria

Advertismentspot_img

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat zhvilloi sot raundin e parë të dëgjesave publike me kandidatët e vetëofruar për plotësimin e tre vendeve vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pozicione që propozohen nga Kuvendi. Në garë janë gjithsej 20 kandidatë, ndërsa në seancën e kësaj të hëne, anëtarët e komisionit u njohën me platformat dhe vizionet e dhjetë prej tyre: Adela Karapici, Saimir Muçmataj, Arben Zibri, Matilda Shehu, Eni Xheko, Emis Cerava, Erjona Bejleri, Fatmira Kola, Frosela Filo dhe Aleksandër Cavo.

Gjatë dëgjesave, kandidatët prezantuan CV-të e tyre profesionale dhe iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve lidhur me përvojën, ekspertizën dhe qasjen e tyre ndaj rolit të Bankës së Shqipërisë dhe Këshillit Mbikëqyrës.

Erjona Bejleri ka një eksperiencë profesionale mbi 23-vjeçare, kryesisht në sektorin bankar. Ajo ka mbajtur pozicione drejtuese në Raiffeisen Bank dhe Alpha Bank, ku ka qenë edhe anëtare e Bordit Ekzekutiv. Aktualisht ushtron detyrën e Drejtores së Përgjithshme Ekzekutive të Agrokredit sh.a. Gjithashtu, nga muaji mars deri në tetor të vitit 2025, ka shërbyer si Zëvendësministre e Financave, me fokus në politikat makroekonomike, borxhin publik, menaxhimin e thesarit dhe planifikimin buxhetor.

Në fjalën e saj, znj. Bejleri theksoi se përvoja e gjatë në tregun bankar ka ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si ajo e koncepton rolin e Bankës së Shqipërisë dhe të Këshillit Mbikëqyrës, të cilin e sheh si strategjik, parandalues dhe sfidues, në funksion të stabilitetit financiar dhe besimit publik. Sipas saj, Banka Qendrore nuk kufizohet vetëm në përcaktimin e normave të interesit, por ka një rol kyç në garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të sistemit financiar, në qeverisjen e mirë të bankave, mbrojtjen e konsumatorëve dhe parandalimin e rreziqeve përpara se ato të materializohen. Ajo theksoi se ky rol është teknik, i pavarur dhe afatgjatë, në shërbim të interesit publik.

Adela Karapici ka mbi 15 vite përvojë akademike si pedagoge në Fakultetin Ekonomik, ku ka dhënë lëndë si Makroekonomia, Makroekonomia e Avancuar dhe Rritja Ekonomike. Prej vitit 2017, ajo mban edhe detyrën e Kryetares së Bordit të Administrimit të Universitetit të Tiranës, duke kontribuar në menaxhimin financiar dhe institucional të këtij institucioni. Krahas karrierës akademike, ka ushtruar edhe funksione ekzekutive, përfshirë atë të Zëvendësministres së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes gjatë periudhës shkurt 2016 – tetor 2017.

Aleksandër Cavo paraqet një përvojë të konsoliduar në administratën publike dhe menaxhimin financiar. Ai ka mbajtur disa poste drejtuese në Agjencinë Kombëtare të Trafikut Ajror, si Drejtor i Financës, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm Administrativ dhe Drejtor i Drejtorisë së Buxhetit dhe Ndjekjes së Kredive. Po ashtu, ka shërbyer si Këshilltar për Çështjet Ekonomike në Ministrinë e Brendshme dhe në periudha të ndryshme ka qenë Drejtor Kabineti në Ministrinë e Brendshme dhe më pas në Ministrinë e Drejtësisë. Aktualisht, që prej korrikut të këtij viti, ushtron detyrën e Drejtorit të Kabinetit të Kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Arben Zibri ka mbi 15 vite përvojë në tregjet financiare, përfshirë bankat tregtare, tregjet ndërkombëtare të kapitalit, vlerësimin e riskut, qeverisjen korporative dhe mbikëqyrjen financiare. Gjatë karrierës së tij ka punuar në institucione si Morgan Stanley, Alpha Bank dhe Cardo AI, ndërsa aktualisht është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të UBA Bank.

Emis Cerava ka qenë i angazhuar në sektorin bankar nga viti 2004 deri në shtator 2019, duke mbajtur pozicione të ndryshme, përfshirë edhe role drejtuese në ProCredit Bank, Credit Agricole Bank dhe ABI Bank. Më pas, nga dhjetori 2019 për më shumë se një vit, ka shërbyer si Drejtor i Departamentit të Kontrollit në FSDKSH. Nga maji 2020 deri në dhjetor ka ushtruar funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa aktualisht mban detyrën e Drejtorit të Kabinetit në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.

Eni Xheko aktualisht është Menaxhere e Përgjithshme e Xheko Imperial Hotel. Paralelisht me aktivitetin në sektorin privat, ajo ka kontribuar edhe në fushën akademike si pedagoge e lëndëve Menaxhim Biznesi dhe Marketing në Universitetin Luarasi dhe Universitetin e Tiranës.

Fatmira Kola ushtron aktualisht detyrën e Drejtueses së Departamentit të Shkencave Ekonomike në “Albanian University”. Karrierën profesionale e ka nisur në sektorin bankar, ku për pesë vite ka punuar në menaxhimin e riskut pranë Credins Bank. Që prej vitit 2018, ajo kontribuon në Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA) në fushat e investimeve publike, partneriteteve publike-private dhe koncesioneve, si dhe në hartimin e kurrikulave dhe zhvillimin e programeve trajnuese për administratën publike.

Frosela Filo, që nga janari i vitit 2022, mban pozicionin e Drejtoreshës Tregtare të Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve në Korçë. Më herët, ajo ka ushtruar disa funksione të ndryshme në të njëjtën shoqëri, ndërsa për një periudhë pesëvjeçare ka qenë e punësuar edhe në Credins Bank në pozicione të ndryshme.

Matilda Shehu ka një karrierë mbi 20-vjeçare në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës dhe në universitete private, si lektore dhe kërkuese shkencore. Ajo ka qenë gjithashtu anëtare e Bordit Drejtues të Postës Shqiptare sh.a., si dhe anëtare e Komitetit të Provimeve Profesionale të Kontabilitetit dhe Auditimit në Bordin e Mbikëqyrjes Publike.

Saimir Muçmataj aktualisht ushtron detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Konsumatorëve në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, ku mbulon çështje që lidhen me mbrojtjen e konsumatorëve dhe investitorëve, trajtimin e ankesave, licencimin dhe monitorimin e zbatimit të kërkesave rregullatore. Më herët, për më shumë se shtatë vite, ka mbajtur funksione drejtuese në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, duke u angazhuar në hartimin e akteve normative, procesin e integrimit evropian, bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe në zhvillimin e politikave dhe kuadrit rregullator financiar.

Dëgjesat do të vijojnë ditën e mërkurë me dhjetë kandidatët e tjerë: Ingrid Konomi, Liljana Mamadhaj, Luljeta Minxhozi, Elton Korbi, Artan Hoxha, Violeta Staka, Holta Zacaj, Pajtim Melani, Selami Xhepa dhe Merita Bejtja. Pas përfundimit të procesit, Komisioni do të përzgjedhë tre emra për t’ia përcjellë për votim seancës plenare të Kuvendit. Ndërkohë, priten edhe tre kandidaturat e tjera që do të paraqiten drejtpërdrejt nga Këshilli i Ministrave.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular