Me afrim të Botërorit 2026, FIFA po gjendet gjithnjë e më shumë në një pozicion të vështirë ndaj tifozëve, të cilët duan të ndjekin ndeshjet live. Problemi kryesor që ka shkaktuar pakënaqësi të madhe lidhet me çmimet e biletave.
FIFA ka pranuar se nuk mund të pengojë rishitjen e biletave, pasi në Shtetet e Bashkuara e tillë aktivitet është e ligjshme. Kjo do të thotë se shumë tifozë mund të përballen me çmime shumë më të larta sesa ato fillestare, sidomos në tregjet e palëve të treta.
Një tjetër shqetësim që po dalë në pah ka të bëjë me transportin dhe aksesin në stadiume. Në SHBA, rrjeti i transportit publik nuk është aq i zhvilluar sa në Evropë, dhe shumica e stadiumeve mund të arrihen vetëm me automjet privat. Sipas Henry Bushnell nga “The Athletic”, FIFA po shet edhe vende parkimi pranë impianteve sportive, por këto kanë çmime të larta. Për shembull, një vend parkimi pranë “SoFi Stadium” në Los Angeles shitet nga 250 deri në 300 dollarë.
Përveç çmimit, tifozët janë ankuar edhe për vendndodhjen e parkingut, pasi për të arritur në stadium duhet të ecësh rreth 1.5 kilometra. Kjo e bën përvojën e ndjekjes së ndeshjes më të vështirë, veçanërisht për familjarët dhe personat me lëvizshmëri të kufizuar.
Në total, kombinimi i biletave të shtrenjta, kostos së parkimit dhe mungesës së transportit publik e bën për shumë tifozë ndjekjen e Botërorit në SHBA një sfidë serioze.







