Me propozim të kreut të Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, Kuvendi ka vendosur të heqë nga rendi i ditës projektvendimin për ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale, për zhbërjen e formulës së barazisë mes opozitës dhe mazhorancës.
“Darka ka habere të mira, kërkoj një ndryshim në rendin e ditës për të mos shqyrtuar projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale. Besoj se ka dakordësi që kjo çështje të mos shqyrtohet, me shpresën që puna do rifillojë në komision,” tha Balla.
Nga ana tjetër, deputeti demokrat Luçiano Boçi, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Territoriale, kundërshtoi këtë qasje duke theksuar se opozita kërkon tërheqjen e ndryshimeve në Komisionin e Territoriales dhe jo thjesht mos shqyrtimin e projektvendimit.
“Kërkesa jonë ka qenë e qartë, jo të mos shqyrtohet sepse mos shqyrtimi ka brenda shqyrtimin dhe ndryshon vetëm çështja kohore. Kërkesa jonë është tërheqja e këtij vendimi. Tërheqja tregon vullnetin, shtyrja nuk tregon asgjë,” u shpreh Boçi, duke shtuar se opozita ka treguar gatishmërinë e saj, por nuk pranon të futet në komision “me spatë në qafë”.
Më herët gjatë ditës, Balla deklaroi se mazhoranca është e gatshme të vijojë punën e komisionit pa ndryshuar përbërjen, nëse opozita angazhohet të marrë pjesë rregullisht në mbledhje, duke i lënë afat deri në orët e mbrëmjes për një përgjigje.







