Qeveria ka bërë gati projektligjin për sigurimin e banesave me detyrim, një mekanizëm ligjor që sipas saj synon të mbulojë humbjet që mund të pësojnë pronarët e banesave nga tërmetet dhe përmbytjet.
Drafti i cili ka shkuar në Parlament parashikon kompensimin e shpejtë të tyre në rast të fatkeqësive.
“Modeli i sigurimit të detyrueshëm është frymëzuar nga praktikat e suksesshme ndërkombëtare, veçanërisht nga vendet si Turqia dhe Rumania, të cilat kanë arritur të reduktojnë ndjeshëm koston fiskale dhe ekonomike që shkaktojnë ngjarjet e tërmeteve dhe përmbytjeve. Implementimi i këtij ligji pritet të përmirësojë ndjeshëm sistemin e menaxhimit të riskut në Shqipëri, duke siguruar një mbrojtje më të mirë financiare për qytetarët dhe duke reduktuar barrën fiskale mbi buxhetin e shtetit pas ngjarjeve katastrofike”, thuhet në projektligj.
Shqipëria është goditur nga tërmete me magnitudë mbi 6 ballë, që nga viti 1900 janë regjistruar 12 tërmete të tilla. Më i fundit dhe më shkatërruesi ishte tërmeti i nëntorit 2019 me magnitudë 6.4 ballë, i cili preku mbi 200,000 njerëz në 11 bashki, përfshirë qytetet kryesore si Tirana dhe Durrësi.
“Përmbytjet gjithashtu janë një rrezik i përsëritur dhe me ndikim të lartë ekonomik, veçanërisht në zonat e ulëta pranë lumenjve dhe rajonet bregdetare. Ngjarjet e viteve 2010, 2015 dhe 2021 kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa, bujqësi dhe infrastrukturë, me humbje që arrijnë deri në qindra milionë euro. Vlerësimet e Bankës Botërore tregojnë se përmbytjet përbëjnë një barrë fiskale të konsiderueshme, duke rritur ekspozimin e familjeve ndaj varfërisë dhe duke krijuar kosto emergjente për buxhetin e shtetit. Këto rrethana imponojnë domosdoshmërinë e sigurimit të detyrueshëm të banesave si instrument ligjor për mbrojtjen financiare dhe reduktimin e pasojave socio-ekonomike”, thuhet më tej në relacion.
Neni 7
Shuma e sigurimit
- Kufiri maksimal i shumës së sigurimit të detyrueshëm përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat.
- Pjesa e zbritshme është në nivelin e 2 (dy) përqind të vlerës së dëmshpërblimit dhe mbulohet nga i siguruari për çdo dëm që shkaktohet nga ngjarjet e tërmetit apo përmbytjet të mbuluara nga sigurimi i detyrueshëm në zbatim të këtij ligji.
______________
Neni 8
Primi i sigurimit
- Primi i sigurimit për sigurimin e detyrueshëm të banesave paguhet nga personi i siguruar si pagesë e plotë.
- Metodologjia e përcaktimit të primit për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, termat, klasifikimi i banesave mbi bazë rreziku, llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat.







