HomeKryesoreLejeqëndrimet për të huajt, drafti: Aplikimet online, kushtet e reja, “sitë” dëshmia...

Lejeqëndrimet për të huajt, drafti: Aplikimet online, kushtet e reja, “sitë” dëshmia e penalitetit

Advertismentspot_img

Një draft i nxjerrë për konsultim lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka sjellë një sërë ndryshimesh. Kështu së pari synohet që të bëhet një unifikim procedurash për aplikimin  për vizë apo lejeqëndrim duke e mundësuar atë online diçka që shihet si lehtësim.

“Këto ndryshime synojnë të rrisin transparencën, të shmangin paqartësitë dhe të ulin barrën administrative për subjektet që aplikojnë. Për të aplikuar për vizë, shtetasi i huaj aplikon online duke qenë jashtë territorit të RSH-së në sistemin elektronik të vizave ose paraqitet personalisht në Misionin Diplomatik apo Postin Konsullor” thuhet në relacionin e projektaktit.

Po kështu ralcioni nënvizon se është shtuar një parashikim i ri ligjor, sipas të cilit përjashtohen nga detyrimi për t’u pajisur me vizë për hyrje dhe qëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një periudhë deri në 90 ditë brenda 180 ditëve, për qëllime të barasvlershme me ato të vizës së tipit “C”, të parashikuara në ligjin Për të huajt, shtetasit e vendeve të treta që janë të pajisur me vizë të vlefshme me shumë hyrje-dalje ose me leje qëndrimi të vlefshme, të lëshuara nga një shtet anëtar i Bashkimit Europian. Ky parashikim synon lehtësimin e lëvizjes së ligjshme dhe harmonizimin e praktikave me standardet evropiane. Kategoria C është ajo e vizave turistike.

Në kuadër të dokumentacionit bazë të nevojshëm për të gjitha kategoritë e aplikuesve për pajisje me vizë, është shtuar si kërkesë paraqitja e lejes së qëndrimit mbi 12 muaj, të lëshuar nga shteti ku aplikuesi ka rezidencën e ligjshme, me vlefshmëri jo më pak se 3 muaj përtej afatit të vizës së kërkuar.

Në relacion nënvizohet se janë realizuar përmirësime dhe saktësime në kuadër të kategorive të vizës së tipit “D” dhe lejes unike për shtetasit që i nënshtrohen regjimit të vizave, me synim rritjen e qartësisë, plotësisë dhe efektivitetit të procedurave të aplikimit. Në këtë drejtim, është rishikuar dhe përditësuar dokumentacioni i përgjithshëm i kërkuar për këto kategori, duke garantuar një trajtim më të unifikuar dhe të standardizuar të aplikimeve.

“Një risi e rëndësishme e projektaktit është shtimi i një kategorie të veçantë të dokumentacionit shtesë për vizë të tipit “D” për punëtor shtëpie (D/PSH), e cila përcakton qartë kushtet, kriteret dhe dokumentet e nevojshme për këtë kategori aplikuesish, në funksion të formalizimit të marrëdhënieve të punës dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre.

Po ashtu, është shtuar dokumentacion shtesë për vizë të tipit “D” për sportistë (D/SP), konkretisht dokumenti që vërteton regjistrimin e shtetasit të huaj në federatën sportive përkatëse në vendin e origjinës. Ky parashikim qartëson më tej kategorinë e sportistëve që hyjnë në vend për këtë qëllim dhe ndihmon në parandalimin e keqpërdorimeve të kësaj kategorie vizash” thuhet në relacion.

Për vizat për motive studimi është sanksionuar nevoja për një garanci financiare në shumën e barazvlefshme me 300 mijë lekë.

Një tjetër element është ajo e shtimit të dëshmisë së penalitetit.

“Ndryshimet e propozuara adresojnë problematikat e evidentuara gjatë zbatimit praktik të procedurave dhe synojnë forcimin e sigurisë juridike, si për aplikuesit, ashtu edhe për autoritetet kompetente. Në këtë kuadër, është shtuar si kërkesë e përgjithshme paraqitja e certifikatës së gjendjes gjyqësore (dëshmi penaliteti), e cila duhet të jetë e lëshuar jo më përpara se 6 muaj nga data e aplikimit.

Kjo kërkesë aplikohet për të gjitha kategoritë e lejeve të qëndrimit, me përjashtim të aplikantëve nën moshën 16 vjeç dhe mbi moshën 75 vjeç, duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe duke marrë në konsideratë kategoritë vulnerabël. Ky parashikim synon rritjen e nivelit të verifikimit të integritetit dhe sigurisë, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare” thuhet në relacion.

I njëjti në lidhje me dokumentacionin shtesë për lejen unike si punëtor stinor, ka  shtuar kërkesa për paraqitjen e një dokumenti që vërteton se i huaji plotëson kushtet e përcaktuara në legjislacionin përkatës, në rastet kur aktiviteti që do të ushtrojë përfshihet në kategorinë e profesioneve të rregulluara. Ky dokumentacion mund të përfshijë diploma, certifikata profesionale ose referenca, dhe synon garantimin e ushtrimit të ligjshëm dhe cilësor të profesionit.

“Një risi e rëndësishme e projektaktit është përcaktimi i dokumentacionit shtesë për lejen unike si punëtor shtëpie, kategori e re e integruar në muajin qershor në ligjin “Për të huajt”. Ky përcaktim synon formalizimin e kësaj kategorie punësimi dhe mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.

Paralelisht, është përmirësuar dokumentacioni i kërkuar për ripërtëritjen e lejes së përkohshme të qëndrimit të tipit “B”, duke qartësuar kriteret dhe procedurat, në funksion të një procesi administrativ më efikas dhe transparent.

Projektakti saktëson dokumentacionin e kërkuar për pajisjen me leje qëndrimi për investitorë, duke synuar eliminimin e paqartësive ekzistuese dhe sigurimin e një procesi të qartë dhe të parashikueshëm për këtë kategori aplikuesish, në funksion të nxitjes së investimeve të huaja” thuhet në relacion.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular