Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur pozicionin vakant të anëtarit të Komisionit të Konkurrencës, që mban njëkohësisht edhe detyrën e Kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës.
Shpallja e vendit vakant është bërë në prag të përfundimit të mandatit të anëtarit dhe kryetarit aktual, Denar Biba.
Kriteret kryesore për kandidatët në proces është që të jenë shtetas shqiptarë, të kenë vjetërsi pune në profesion jo më pak se 15 vjet dhe të jenë, prej jo më pak se 5 vjetësh, pjesëtarë të trupit akademik universitar ose të mbajnë titullin apo gradë shkencore në fushën e ekonomisë ose të drejtësisë, në specialitetin “E drejtë civile/ administrative”, si edhe të mos jenë larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë disiplinore.
Sipas ligjit, anëtarët e Komisionit të Konkurrencës zgjidhen nga Kuvendi. Një anëtar propozohet nga Presidenti i Republikës, dy anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe dy anëtarë propozohen nga Kuvendi.
Ligji parashikon që anëtarët e Komisionit zgjidhen me shumicë votash, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për një periudhë 5-vjeçare. Kuvendi emëron edhe Kryetarin e Komisionit.
Kryetari aktual, Denar Biba, ka kryer një mandat si anëtar i Komisionit të Konkurrencës dhe ligjërisht ka të drejtën e rizgjedhjes.
Autoriteti i Konkurrencës është institucioni garant i konkurrencës së lirë dhe të ndershme në vend, sipas parashikimeve të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Autoriteti i Konkurrencës ka në proces hetimet në disa tregje të rëndësishme, si tregu me pakicë i shërbimeve celulare, tregu i sigurimit të jetës për kreditë dhe tregun e transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve. Gjithashtu, në muajin dhjetor ky institucion hap hetim paraprak për tregun e transportit urban në Bashkinë Kamëz.
Ndërkohë, vitin e kaluar ky institucion realizoi një hetim të thelluar në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë. Në përfundim të hetimit, Autoriteti gjobiti gjashtë ndërmarrje të tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve, për sjellje të bashkërenduar në përcaktimin e çmimeve të këtyre produkteve. Ndërmarrjet të fjalë u gjobitën në masën e 0.15% të xhiros së vitit paraardhës.
Ndërkohë, ky institucion mbylli hetimin e thelluar në tregun në tregun e ofrimit dhe aksesit të shërbimit të internetit ndaj tre kompanive të administrimit në rezidencat e banimit. Komisioni i Konkurrencës arriti në përfundimin se hetimi nuk provoi abuzimin me pozitën dominuese nga ndërmarrjet e hetuara.
Sipas informacionit ë deritanishëm, gatë vitit 2025 Autoriteti i Konkurrencës mori gjithsej 91 vendime. Shumica e tyre kishin të bënin me vlerësimin e përqendrimeve ose shit-blerjeve të ndërmarrjeve.
Kuvendi mbyll dëgjesat me kandidatët për
Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë
Komisioni Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, zhvilloi sot seancën e dytë dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Kandidati Elton Korbi në vizionin e tij për rolin e Këshillit Mbikëqyrës vendosi theksin te forcimi i qeverisjes së bankës qendrore, përmirësimi i mbikëqyrjes, rritja e cilësisë së burimeve njerëzore dhe një vëmendje më e shtuar për mbrojtjen konsumatore.
“Transformimi digjital dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë mënyrën e funksionimit të bankave qendrore në mbarë botën. Banka e Shqipërisë duhet të ndjekë në mënyrë aktive këto zhvillime, duke aplikuar teknologjitë e reja në analizën e të dhënave, mbikëqyrjen prudenciale, parashikimet makroekonomike dhe menaxhimin e riskut. Në këtë kuadër, mbikëqyrja financiare duhet të shoqërohet edhe me një vëmendje të shtuar ndaj sigurisë kibernetike, duke kërkuar nga bankat dhe institucionet financiare standarde gjithnjë e më të larta në mbrojtjen e sistemeve, të të dhënave dhe të infrastrukturës kritike. Banka e Shqipërisë duhet të luajë një rol më aktiv në mbrojtjen e konsumatorit financiar, në mbikëqyrjen e institucioneve bankare dhe jobankare – veçanërisht mikrokredisë – dhe në forcimin e kërkesave për transparencë,” tha z.Korbi.
Ai theksoi se asnjë bankë qendrore moderne nuk mund të funksionojë pa investuar në mënyrë të vazhdueshme në kapitalin e saj njerëzor, duke shtuar se Banka e Shqipërisë duhet të forcojë më tej politikat e rekrutimit konkurrues, zhvillimit profesional dhe motivimit afatgjatë të stafit, duke ndjekur shembujt e bankave qendrore europiane.
Kandidati Selami Xhepa, therksoi domosdoshmërinë e përshtatjes së rolit të Bankës Qendrore me zhvillimet e reja të lidhura sidomos me format e reja të parasë, që shtron sfida të reja për stabilitetin monetar dhe financiar. Kjo, sipas tij, shtron nevojën për një kuadër rregullator më dinamik.
Gjithashtu, ai theksoi nevojën që Banka e Shqipërisë të eksplorojë më thellë dhe më mirë misionin e mbrojtjes konsumatore, për të balancuar asimetrinë e fuqisë dhe informacionit mes qytetarit të zakonshëm dhe institucioneve financiare.
Kandidatja Holta Zaçaj, theksoi nevojën për të forcuar rolin e Këshillit Mbikëqyrës si garant i zbatimit të misionit ligjor të Bankës së Shqipërisë, duke balancuar pavarësinë e institucionit me një proces të besueshëm dhe transparent të llogaridhënies. Sipas saj, nevojitet forcim i transparencës lidhur me produktet dhe shërbimet financiare, si parakusht për rritjen e besimit të publikut te sistemi në tërësi. Ajo nënvizoi gjithashtu rolin e Bankës së Shqipërisë për të siguruar funksionimin e ndershme në treg, nëpërmjet një qasjeje mbikëqyrëse të paanshme dhe proporcionale.
Kandidati Pajtim Melani, theksoi rolin e Komitetit të Auditit brenda Këshillit Mbikëqyrës, si një organ që mund të ndihmojë në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së këtij institucioni.
Kandidatja Luljeta Minxhozi, theksoi nevojën për ta bërë plotësisht operacionale bazën e re ligjore dhe projektet e reja të lidhura me sistemet e pagesave. Sfidë tjetër për të ardhmen, sipas saj, është përmirësimi i hapjes dhe konkurrueshmërisë së sektorit bankar dhe financiar.
Kandidatja Violeta Staka, theksoi nevojën për forcimin e pavarësisë institucionale të bankës së Shqipërisë dhe nevojën për forcuar aftësinë e Bankës Qendrore për t’u përshtatur me ndryshimet teknologjike.
Kandidatja Merita Bejtja vendosi theksin tek eksperienca e saj si inspektore e përgjithshme e Bankës së Shqipërisë dhe kërkoi besimin e deputetëve për t’u angazhuar në nivel politikëbërjeje, si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të institucionit.
Kandidatja Liljana Mamadhaj, theksoi nevojën për të luftuar flukset e parasë nga ekonomia e paligjshme që kanalizohen në ekonominë e ligjshme. Ajo theksoi nevojën për të luftuar në mënyrë më efikase kanalizimin dhe pastrimin e këtyre flukseve në sektorin formal financiar. Sipas saj, kjo çështje duhet të trajtohet si çështje prioritare e lidhur me stabilitetin financiar.
Kandidatja Ingrid Konomi, theksoi se Banka e Shqipërisë ka nevojë të përmirësojë procesin e llogaridhënies, transparencës dhe një pune më aktive për përmirësimin e edukimit financiar. Gjithashtu, ajo shtroi domosodshmërinë e një procesi rrënjësor të modernizimit teknologjik të Bankës Qendrore.
Në fund të vitit 2025, përfundoi mandati i gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Tre prej anëtarëve të rinj, duhet të propozohen nga vetë Kuvendi i Shqipërisë ndërsa tre kandidatë të tjerë do të propozohen nga Këshilli i Ministrave.
Në procedurën e hapur nga Kuvendi, për tre kandidatët që duhet të propozohen nga ky institucion aplikuan 20 kandidatë, nga të cilët 18 u paraqitën në seancën dëgjimore të zhvilluar nga Komisioni përgjegjës.
Për t’iu propozuar zyrtarisht Kuvendit për votim, çdo kandidat duhet të mbledhë të paktën 28 vota të deputetëve. Ky proces pritet të mbyllet brenda 10 ditëve të ardhshme.







