Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar lidhur me debatin publik mbi gjykimin kushtetues për pagat e magjistratëve, duke theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
Në deklaratën e saj, shoqata vlerëson se diskutimet publike për çështje që lidhen me drejtësinë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme dhe të balancuar, me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Sipas saj, çdo retorikë që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve cenon besimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Shoqata e Prokurorëve shprehet se i bashkohet qëndrimeve dhe argumenteve të paraqitura nga shoqatat e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se çdo ndryshim ligjor që sjell regres në standardet ekzistuese dhe ulje të pagave të magjistratëve përbën shkelje të garancive kushtetuese.
Në deklaratë theksohet se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi është një parim themelor i shtetit demokratik dhe duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë, veçanërisht në faza të ndjeshme të procesit vendimmarrës.
Shoqata shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë vendimin përfundimtar dhe nënvizon se ky proces duhet të zhvillohet i pandikuar nga presione të jashtme apo instrumentalizime të opinionit publik.







