Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se Partia Demokratike është në tendencë rënëse.
“Grupi opozitar ka një parti të madhe që është Partia Demokratike. Por, e pamjaftueshme për të fituar zgjedhjet. E dyta, është në tendenca për rënie. Me zotin Basha morëm 650 000 vota. Me zotin Berisha kanë marrë 480 000 vota. Tregon që tendenca e ngritjes, vektori pozitiv brenda opozitës, është te këto grupet e reja, te kjo lloj alternative. Nuk është më kjo zgjidhja, se nëqoftëse për shembull PD-ja është e zonja vetë, e marrin vetë në dorë këtë punë. S’ka nevojë fare për ne, siç nuk kanë pasur dhe përpara ndoshta për ne”, tha Shehi.
“Duhet ta marrin vesh kush është trendi i ri i politikës. Pse është ky ngërç? Pse në vend që të shkojmë përpara vijmë mbrapsht, në një kohë që qeveri të korruptuar si kjo s’ka pasur Shqipëria. Por, nuk ikën vetë ky. Asnjë nuk ikën vetë. Atëherë, hajde të krijojmë ca kushte që opozita të marrë maksimumin e asaj që është humusi opozitar, që unë besoj që është i madh. Por, nuk përfaqësohet më. Atje te PD-ja ta thashë përfaqësohet deri në atë nivel. Të tjerët janë të rinj, janë në rritje. Të shikojmë, ndoshta dalin edhe të rinj të tjerë. Unë këtu e shoh këtë lloj dinamike të re, këtë lloj dialektike brenda frontit opozitar dhe këtu e shoh edhe shpresën unë. Te ata që mendojnë ndryshe, që po përballen… Edhe gjykoj që një pjesë e qytetarëve do t’i vijë nga mbrapa. Atyre që kanë qenë, qoftë edhe si puna ime, tregon që s’e paskan më këtë punë në dorë”, u shpreh Dashamir Shehi.
Berisha: PD i fitoi zgjedhjet në 2025, por ato u vodhën nga qeveria
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me qytetarët e njësive 1 dhe 3 në Tiranë sot në 4 shkurt, ku ka artikuluar akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se vendi ndodhet nën një regjim që, sipas tij, është më i rëndë se çdo diktaturë e mëparshme dhe se degradimi i shtetit ka arritur nivele të paprecedenta.
Berisha deklaroi se qeveria ka ndërtuar struktura kriminale brenda shtetit, duke shkuar deri aty sa të flasë për ekzistencën e një “zyre krimi” të drejtuar nga vetë kryeministri. “A mund ta imagjinoni ju që të ketë një zyrë krimi, ku organizohen krime nga më të ndryshmet?”, u shpreh ai.
Në vijim të fjalimit, kreu i PD-së përmendi edhe raste konkrete, duke akuzuar drejtpërdrejt Ramën për ngjarje të rënda. “Edhe ai krimineli Gilmando Dani u vra nga komandot e policisë. E vrau krimi, e vrau Rama”, tha Berisha.
Një tjetër akuzë e rëndë lidhej me korrupsionin. Berisha deklaroi se Rama ka përfituar për familjen e tij shuma të mëdha parash. “Ai ka përvetësuar për familjen e tij 500 deri në 600 milionë euro, e ndoshta edhe më shumë. Rama e ka mendjen vetëm të vjedhë e të vjedhë”, theksoi lideri demokrat.
Sipas Berishës, situata e medias dhe e lirisë së shprehjes në vend është përkeqësuar ndjeshëm. Ai u shpreh se censura sot është edhe më e ashpër se në vitet e diktaturës komuniste. “Bëhet gjithçka për të paraqitur si çështje atë që nuk është çështje dhe për të fshehur të vërtetën”, deklaroi ai, duke akuzuar mediat pranë qeverisë se manipulojnë opinionin publik. Berisha foli edhe për arenën ndërkombëtare, duke u ndalur te mungesa e kryeministrit Rama në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. “Vendi i Ramës ishte në Davos, por Davosi nuk e pranoi. Mediat e tij nuk e paraqitën kështu, por gjetën justifikime”, tha ai.
Duke bërë një krahasim me angazhimin e tij politik në fillim të viteve ’90, Berisha theksoi se ai kishte vepruar si idealist pa u trembur për pasojat personale apo familjare. “Unë në vitin 1991 nuk pyeta se çfarë mund të pësoja vetë ose familjarët e mi, qëndrova idealist. Kështu duhet të jenë gjithë shqiptarët sot”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së akuzoi qeverinë se mbijetesën e saj politike e ndërton mbi sulmet ndaj opozitës dhe se zgjedhjet janë shndërruar në farsë. “Një regjim që bën farsë zgjedhore dhe grusht shteti meriton çdo përgjigje”, tha Berisha, duke shtuar se qeveria, sipas tij, mbahet në këmbë nga “llum njerëzor” dhe deputetët socialistë “kanë marrë mandate krimi”.
Berisha u shpreh se PD i ka fituar zgjedhjet e 2025, por se ata janë vjedhur. “Partia Demokratike i fitoi zgjedhjet në 2025. Ato u vodhën nga Partia Socialiste, pasi Rama dhuroi 2 miliardë euro, pasi fali gjoba e kamata”, deklaroi Berisha.
Në fund të fjalës së tij, lideri i PD-së u shpreh se Shqipëria ka nevojë për idealistë. “Vendi ka nevojë për idealistë. Çdo njeri idealist ftojeni në Partinë Demokratike. Më datë 10 janë të ftuar qytetarët e vendit në Tiranë, për t’i dhënë leksionin e fundit Ramës dhe regjimit të tij. Jemi në kilometrin e fundit”, tha ai.







