Banka e Shqipërisë kishte planifikuar të mërkurën zhvillimin e mbledhjes së dytë të Këshillit Mbikëqyrës për vitin 2026.
Në mbledhje duhej të shqyrtohej dhe miratohej raporti i Politikës Monetare për tremujorin e parë të vitit, i shoqëruar me vendimmarrjen e radhës të politikës monetare për normat bazë të interesit.
Por, edhe mbledhja e dytë e Këshillit Mbikëqyrës ka dështuar, për shkak të përfundimit të mandatit të gjashtë prej anëtarëve dhe moszëvendësimit në kohë të tyre.
Mbledhja u reduktua në një takim informues mes tre anëtarëve të mbetur të Këshillit Mbikëqyrës, takim që nuk mundësonte marrjen e vendimeve, për shkak të mungesës së kuorumit ligjor.
Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, në këtë takim u diskutua mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare, si dhe u mor informacion mbi administrimin dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, zbatimin e politikës monetare, mbarëvajtjen e sistemit bankar dhe financiar dhe gjendjen e tregjeve të parasë dhe valutore.
Njoftimi saktëson se çështjet e planifikuara për vendimmarrje në mbledhjen e muajit shkurt do të trajtohen në mbledhjet e ardhshme, atëherë kur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të ketë numrin e nevojshëm të anëtarëve për zhvillimin e mbledhjeve dhe marrjen e vendimeve përkatëse.
Në fund të dhjetorit 2025, përfundoi mandati i gjashtë prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke përfshirë zëvendësguvernatoren e parë, Luljeta Minxhozi dhe anëtarët Ridvan Bode, Suela Popa, Edlira Luçi, Artan Hoxha dhe Violeta Staka.
Ashtu siç kishte ndodhur edhe shtatë vjet më parë, dy institucionet që duhet të propozonin kandidaturat për plotësimin e vendeve vakante, Këshilli i Ministrave dhe Kryeministria, i kanë nisur procedurat ligjore me vonesë.
Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre pas përfundimit të mandatit. Ligji “Për Bankën e Shqipërisë” kërkon që mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës zhvillohet me praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të emëruar, duke përfshirë praninë e kryetarit ose zëvendëskryetarit të Këshillit Mbikëqyrës.
Për këtë arsye, prej më shumë se një muaji, Këshilli Mbikëqyrës nuk ka më kuorum dhe vendimmarrja në të është faktikisht e paralizuar.
Kuvendi i Shqipërisë i nisi vetëm në fillim të muajit shkurt procedurat e përzgjedhjes së tre kandidatëve që duhet të propozojë për vendet vakante. Këtë javë u zhvilluan seancat dëgjimore me kandidatët, ndërsa vlerësohet se do të duhen minimalisht dy javë para se kandidatët të propozohen për votim në seancë plenare.
Ndërkohë, as Këshilli i Ministrave nuk i ka depozituar ende tre propozimet e tij për vendet e tjera vakante.
Në rastin më të mirë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mund të plotësohet për mbledhjen e ardhshme, të programuar për t’u zhvilluar më datë 4 mars 2026.
Kjo nuk është hera e parë që neglizhencat dhe vonesat në procesin e plotësimit të vakancave në institucionet rregullatore të tregut cenojnë funksionimin normal të institucioneve të pavarura. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u përball me një situatë të tillë pikërisht në vitin 2018, para zgjedhjes së anëtarëve që së afërmi u përfundon mandati. Edhe në atë rast, numri i mandateve të përfunduara ishte gjashtë. Mosplotësimi në kohë i vendeve vakante e bllokoi për një kohë të shkurtër vendimmarrjen në Këshillin Mbikëqyrës.







