HomeTe tjeraFaktet e reja që rrëzojnë mitin e themelimit të PKSH dhe rolin...

Faktet e reja që rrëzojnë mitin e themelimit të PKSH dhe rolin e Enver Hoxhës! Pse u vra Ramize Gjebrea dhe si u falsifikua historia

Advertismentspot_img

MEHMET ELEZI

– Dëshmitë dokumentare që sjell vepra e Vasfi Barutit tronditin ose shembin shtylla kryesore të ngrehinës historiografike zyrtare. Aty del se Partia Komuniste nuk është themeluar në Tiranë, nuk është themeluar më 8 nëntor, nuk është themeluar nga Enver Hoxha; se fytyra zyrtare e Konferencës së Pezës është një e vërtetë e përmbysur; se Kongresi i Përmetit është një copy paste e AVNOI-t të Jugosllavisë; se… –

Doktorin e shkencave Vasfi Baruti e sheh rrugës me cigare në buzë ose të përhumbur në arkiva. Gërmon galerive të historisë, në kërkim të të vërtetave të groposura. Në krye të librit të tij të ri “Diktatori E. H. Enciklopedi. Censura e vetëcensura komuniste shqiptare 1908 – 2020” (West Print, 2006), autori boton një letër të Ismail Kadaresë, ku shkrimtari i madh shkruan: “Fakti që ju po merreni përsëri me zbulimin e dokumenteve aq të domosdoshme, është për të gjithë… një lajm shumë i gëzuar. Zbulimi i së vërtetës është zakonisht tepër i lodhshëm, sidomos në vendet si i yni, ku mashtruesit kanë zënë vend njëri mbi tjetrin”.

Niçja thotë se, “të vërtetat që fshihen shndërrohen në katastrofa”. Tezën e filozofit të madh e vërteton edhe rasti Shqipëri. Libri i sipëpërmendur i dr. Vasfi Barutit sjell fakte therëse si është përdhunuar historia dhe përdhunimi i historisë është përdhunim i kombit. Ka hulumtuar me durim në arkivat e Tiranës, të Prishtinës e në burime të tjera. Këmbëngulës, me bindjen se komunizmi në Shqipëri s’ka vdekur, ai ka aftësinë me u përshtatë si viruset. Historianët, përfaqësues të komunizmit të përshtatur, nuk janë më pak të dëmshëm se censuruesit e falsifikatorët e komunizmit të mirëfilltë.

Dëshmitë dokumentare që sjell kjo “enciklopedi të vogël” trandin e shembin shtylla kryesore të ngrehinës historiografike zyrtare, që nga Lufta e Dytë Botërore. Aty del një Enver Hoxhë terrorist, pikë së pari ndaj shokëve të vet të luftës. Në letrat që i dërgon Nexhmijes gjenden porosi të përgjakshme për “dekorata”. “Të dekorohet”, është një eufemizëm mizor që përdor diktatori i ardhshëm, për të përcjellë urdhrin e vrasjes me plumb pas shpine herë të njërit, herë të tjetrit. Nëpër retorikën e tij kombëtariste nxin aty-këtu, si plagë që mahiset në fshehtësi, ndonjë fjalë për komunizmin dhe “diktaturën e proletariatit”.

BEFASI APO E PRITSHME?

Dokumentet e këtij libri tregojnë se Partia Komuniste Shqiptare nuk është themeluar në Tiranë, nuk është themeluar më 8 nëntor, nuk është themeluar nga Enver Hoxha. PKSH është themeluar në Pejë, saktësisht në Vitomiricë/Arbënesh.

Mbledhjen ku është marrë vendimi i themelimit e drejtonte Boris Vukmiroviç, sekretar i Partisë Komuniste Jugosllave për Kosovën. Katër prej vendimmarrësve përfaqësonin Partinë Komuniste Jugosllave, katër të tjerët vinin nga grupet komuniste shqiptare: Koço Tashko, Fadil Hoxha, Elami Nimani, Xhevdet Doda. Në procesverbalin e takimit thuhet: “Shokët nga Shqipëria në të gjitha drejtimet ishin dakord”.

Në dhjetor 1941 Miladin Popoviçi njofton Beogradin: “…unë dhe Dushani (Mugosha) filluam punën për krijimin e një partie të vetme komuniste… Krijuam me anë të emërimit udhëheqjen e përkohshme të Komitetit Qendror të PKSH”. Edhe Partinë, edhe udhëheqjen e Partisë e caktuan emisarët e Beogradit “me anë të emërimit”.

Mbledhja e 8 nëntorit në Tiranë ishte zgjatim i Vitomiricës. Autori boton faksimile nga “Biografi e shkurtër e Enver Hoxhës”, 1951, shkruar nga Misto Treska, redaktuar nga Nexhmije Hoxha. Aty thuhet se, “Në këtë konferencë nga do të delte Partia Komuniste Shqiptare… shoku Enver është dërguar si delegat i grupit komunist të Korçës”. Pranohet se Enveri është dërguar, nuk ka shkuar vetë. Pranohet se është dërguar në cilësinë e një delegati të thjeshtë. Si është e mundur që Nexhmija lejon të shkruhet kështu? Më 1951 Enveri dhe ajo u “frigohen themeluesve, ata ishin gjallë” e do të dëshmonin të vërtetën, shkruan Baruti. Dhe kështu ndodhi. Në prill 1955 Tuk Jakova deklaron: “Kur dëgjoja shprehjet se shoku Enver themeloi partinë etj., atëherë unë këtë e quaja të padrejtë historikisht”. Dokumentet zbulojnë sesi Enveri, me ta fuqizuar mjaftueshëm pushtetin vetjak, ia bën gjyqin politik Jakovës: “Pse the në plenum se Miladin Popoviçi është themelues i partisë?”. Jakova e pagoi me kokë “tradhtinë”.

2. Peza, një e vërtetë e përmbysur. Në procesverbalin e Konferencës, mbajtur bash nga Nexhmije Hoxha, shkruhet: “Presidiumi i Konferencës së Pezës: Ndoc Çoba, Kamber Qafmolla, Baba Faja Martaneshi, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi”. Emri i Enverit kurrkund. Edhe komunistë, vetëm një, Çitaku. Tërë të tjerët nacionalistë. Dokumentet arkivore në libër kallëzojnë se Konferenca u thirr nga Këshilli Iniciator për Mbledhjen e Konferencës për Çlirimin Kombëtar. Në libër botohet faksimilja e ftesës së Këshillit Iniciator, që mban datën 5 shtator 1942. Autori nënvizon imtësi, që flasin qartazi për dorën e nacionalistëve:

– ftesa fillon me fjalët “I ndershëm Zotni”;

– ftesa mbyllet me fjalët “Me përshëndetje shqiptare”;

– ftesa është shkruar gegnisht;

– parulla në mbyllje të Rezolucionit të Konferencës është “Rroftë Shqipëria e lirë, e pandashme”. Kjo parullë nuk del në asnjë dokument të hartuar prej komunistëve. Siç nuk dalin shprehjet “I ndershëm Zotni” dhe “Me përshëndetje shqiptare”.

Baruti thotë se në Pezë Enver Hoxha pati mision të kundërt nga ai që është propaganduar. Ai u përpoq me e shty për më vonë krijimin e Këshillit Antifashist, me argumentin se do të krijohet “gjatë luftës”.

3. Edhe në dokumentet për të quajturën Konferenca e Parë Nacionale e Partisë mars 1943, e njohur si Konferenca e Labinotit, del gjithçka cullak: Partia Komuniste Shqiptare rritet ashtu siç është lindur: si bebi epruvetë e Beogradit. Tharmi që e ka ngjizur është serb. Më 22 nëntor 1942 Titoja u shkruan “shokëve të KQ të PKSH” në emër të “Gjyshit”. “Gjyshi”, serbisht “Djedja”, quhej Internacionalja Komuniste, ku PKSH nuk ishte anëtare, pasi shihej thjesht si degë e Beogradit. “Detyrë themelore e Konferencës duhet të jetë krijimi i një udhëheqjeje të sigurt të Partisë…”, porosit Titoja. Thotë “krijimi”, nuk thotë zgjedhja e udhëheqjes. Dhe “udhëheqja e sigurt e Partisë” u krijua me njerëz të caktuar nga Dushan Mugosha. Siç del nga dokumentet që sjell Baruti, këtë e pranon vetë Enveri. “Enver Hoxha: – (në Konferencën e parë të vendit) as zgjedhjet s’janë bërë në rregull… këtu u caktuam, u muarëm prej Dushanit (Mugosha) dhe na tha ti je zgjedhur në plenum. U tha në këmbë”. Të njëjtën gjë pohojnë Tuk Jakova, Hysni Kapo, Nako Spiru dhe Ramadan Çitaku, kur tregojnë për veten e tyre si nga të dërguarit jugosllavë u njoftuan “në këmbë” se ishin emëruar në forumet e larta udhëheqëse të Partisë. Autori sjell faksimilet e deklarimeve të tyre. Siç pohon historiani i njohur britanik, akademiku Noel Malkolm(Malcolm), në një intervistë në T7 (2 nëntor 2023), Enver Hoxha “nuk ishte mendimtar i shquar politik apo aktivist… Dushan Mugosha e (Miladin) Popoviçi ishin thjesht agjentë që i jepnin atij udhëzimet…”. Ai nuk ishte tjetër veçse një “kukull e Moskës”. Në Labinot Enveri u kritikua ashpër nga figura kryesore të Partisë. Ai nuk gëzonte besimin e tyre. Në Konferencën e Labinotit nuk u zgjodh Enveri në krye të Partisë, aty nuk pati kurrfarë zgjedhjesh. Vetëm katër vjet pas përfundimit të luftës, në Kongresin e Parë (1948), ai ia del më në fund të marrë kreun e Partisë Komuniste.

4. Dokumentet që sjell libri hedhin dritë edhe mbi Kongresin e Përmetit. Lexuesi zbulon thelbin e tij: një copy paste e AVNOI-t të Jugosllavisë. Enveri me Nexhmijen e me besnikët e tyre nuk njihnin ideal. Ata ishin tregtarë flamujsh, siç thotë Koliqi. S’e kanë për gjë me kalue nga fashizmi te komunizmi, pasi u intereson vetëm pushteti. Në një mbledhje plenumi Spiro Pano e pyet Nexhmijen për anëtarësimin në partinë fashiste. Ajo përpiqet ta zvogëlojë rëndësinë, por faktin nuk e mohon dot. Thotë “jam regjistruar në xhioventu fashista (rinia fashiste), po këtu kam vetëm një herë kostumin, që e kam veshur një herë”. Sintaksa e ngatërruare përgjigjes tregon se përballë së vërtetës asaj i është marrë goja. Nexhmija ia pret për së dyti kryet Ramize Gjebresë. Herën e parë ia pret gjyqi partizan, kur e dënon me vdekje si “tradhtare të partisë, shkelëse të moralit proletar”. Arsyeja e dënimit është krejt tjetër. Dokumentet kallëzojnë se Gjebrea ka deklaruar “Kosova është Shqipëri”. Për këtë ka debatuar edhe me Dushan Mugoshën. Zbulohet, shkruan Baruti, se “vendimin për ekzekutim e shkroi e firmosi Dushan Mugosha”. Në një foto nga demonstrata kundërfashiste e 28 tetorit 1941, botuar në librin e N. Hoxhës “Një jetë me Enverin”, në vend të fytyrës së Ramizesë është fytyra e Nexhmijes. Ndonjë ngatërresë? Jo. Është kirurgjia e falsifikimeve. Nexhmija ka urdhëruar të pritet koka e Ramizesë me flamur e në vend të saj të montohet koka e Nexhmijes! “Ja, në ballë të demonstratës jam unë”! Falsifikimet për llogari të Enverit nuk numërohen. Ideuesi dhe jetësuesi i censurës e i shtrembërimit të zi të historisë ishte vetë ai. Në libër gjendet porosia që jep në mbledhjen e Byrosë Politike, 26 shkurt 1973: “…Listën e emrave që mendoni të vihen në tekstin e Historisë së Luftës Nacionale-çlirimtare mendoj t’ua jepni më parë shokëve anëtarë të Byrosë Politike, sepse secili prej nesh njeh mirë shumë shokë. Këtë ta kryeni me qëllim që anëtarët e Byrosë Politike të ndihmojnë për të bërë një seleksionim të drejtë. Pas kësaj pune, mundet që trekatër nga ne t’u japin dorën e fundit vërejtjeve që do të kenë shokët e Byrosë Politike”. Siç shihet, dalin jashtë loje arkivat. Jashtë loje Instituti i Historisë, katedrat, Akademia e Shkencave.

Të panevojshme. Punën e tyre do ta bëjnë “shokët e Partisë”! Faktet pamëshirshme të “enciklopedisë” së Barutit mungojnë edhe sot në botimet akademike, në tekstet shkollore e në tekste të tjera zyrtare. Ngjashëm, siç mungonin në botimet e diktaturës. “E marr me mend se sa nervozizëm mund të krijoni me punën tuaj tek ajo pjesë e zezë e Shqipërisë, që vite me radhë ngriti në sistem mashtrimin e madh, shkruan Kadareja në letrën e sipërpërmendur. Rrënimi kulm e themel i këtij mashtrimi do të krijojë mundësinë që Shqipëria të marrë frymë lirisht”. Komuniteti i akademikëve e i studiuesve, bota intelektuale, janë përballë përgjegjësisë me i zbulue të vërtetat. Për të mos u bërë bashkëfajtorë prapë, edhe në liri. Një popull që s’e njeh historinë e vet e u jep qasje përdhunuesve të saj, është i paracaktuar të rritë kopilët e përdhunuesve.

Autori, ish-ambasador

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular