Qeveria miratoi sot një paketë vendimesh për indeksimin me 2.5% të pagave për gjithë piramidën e institucioneve shtetërore.
Vendimet përfshijnë rritjen e pagës së Presidentit të Republikës dhe të pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, si edhe përditësimin e strukturave të pagave për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratë, si dhe personelin e sistemit shëndetësor.
Krahas indeksimit, në disa sektorë parashikohen edhe rregullime specifike të shtesave dhe kompensimeve.
Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026 dhe vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, me efekte financiare nga 1 janari 2026.
Vendimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave përcaktojnë se pas indeksimit, vlera e pagës së Presidentit bëhet 435,625 lekë në muaj.
Ndërsa vlera e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156 825 lekë në muaj.
Vendimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave:
NDEKSIMIN E PAGËS SË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga e Presidentit të Republikës indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës së Presidentit bëhet 435 625 (katërqind e tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e pesë) lekë në muaj.
2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionin e Presidentit të Republikës.
3. Ngarkohet institucioni i Presidentit të Republikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.
INDEKSIMIN E PAGËS REFERUESE BAZË PËR FUNKSIONET GJYQËSORE DHE TË PROKURORISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të pikës 5, të nenit 12, të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 (zero pikë tridhjetë e gjashtë) me pagën e Presidentit të Republikës, indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156 825 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e njëzet e pesë) lekë/muaj.
2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionet përkatëse.
3. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.321, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT TË AGJENCISË SË MBIKËQYRJES POLICORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, të pikave 1, shkronja “a”, dhe 3, të nenit 70, të ligjit nr.128/2021, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, dhe të shkronjës “h”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lidhja nr.1 e vendimit nr.321, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të personelit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, të ndryshuar, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat e elementit “paga për funksion”, në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave për funksionet organike me numra rendorë 1, 2 dhe 3 dhe rezultat i indeksimit në masën 2.5% për funksionet e tjera organike.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2026, përballohen nga buxheti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të miratuara në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.417, DATË 26.6.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E VLERAVE PËR SECILIN ELEMENT PËRBËRËS TË PAGËS BRUTO MUJORE TË PUNONJËSVE TË GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të pikave 1, shkronja “a”, e 2, të nenit 48, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lidhja nr.1, e vendimit nr.417, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë”, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat e elementit “paga për gradë”, në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave për punonjësit me gradën “Inspektor”, “Inspektor i dytë”, “Inspektor i parë” dhe “Nënkomisar” dhe rezultat i indeksimit në masën 2.5% për gradat e tjera.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i Gardës së Republikës së Shqipërisë, i miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.423, DATË 26.6.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E VLERAVE PËR SECILIN ELEMENT PËRBËRËS TË PAGËS BRUTO MUJORE, TË KOMPENSIMEVE TË TJERA FINANCIARE, QË PËRFITOJNË PUNONJËSIT E POLICISË SË BURGJEVE GJATË QËNDRIMIT NË PUNË, DHE PROCEDURAVE TË PËRFITIMIT TË KËTYRE KOMPENSIMEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lidhja nr.1, e vendimit nr.423, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore, të kompensimeve të tjera financiare, që përfitojnë punonjësit e Policisë së Burgjeve gjatë qëndrimit në punë, dhe procedurave të përfitimit të këtyre kompensimeve”, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat e elementit “paga për gradë”, në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave për punonjësit me gradën “Inspektor” dhe “Kryeinspektor” dhe rezultat i indeksimit në masën 2.5% për gradat e tjera.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”.
4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.484, DATË 24.7.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË POZICIONEVE “KOORDINATOR KUNDËR KORRUPSIONIT” NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.848, datë 24.7.2024, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Lidhja nr.2, e vendimit nr.484, datë 24.7.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagës dhe të niveleve të pagave të pozicioneve “koordinator kundër korrupsionit” në disa institucione të administratës shtetërore”, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Vlera e shtesës së nivelit të kualifikimit, e përcaktuar në lidhjen nr.2, të këtij vendimi, dhe shtesa për vjetërsi kanë të njëjtën vlerë dhe mënyrë llogaritjeje me atë të miratuar në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e personelit mjekësor dhe të punonjësve të tjerë me arsim të lartë në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.”.
2. Vlerat e elementit “paga e pozicionit”, në lidhjen nr.2, të këtij vendimi, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i institucioneve shëndetësore përkatëse, të miratuara në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”.
4. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.326, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE MBËSHTETËS DHE PUNONJËSVE TË TJERË TË SPECIALITETEVE TË NDRYSHME NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lidhjet nr.1 dhe nr.2, të vendimit nr.326, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës dhe punonjësve të tjerë të specialiteteve të ndryshme në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Vlerat e elementit “paga bazë për klasë”, në lidhjet nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave për punonjësit, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i institucioneve përkatëse, miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”.
4. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.







