Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar në fillim të këtij muaji një rregullore të re për zbatimin e portabilitetit të numrit, në kuadër të ligjit të ri “Për komunikimet elektronike”. Rregullorja synon të rrisë mbrojtjen e konsumatorëve dhe të përmirësojë funksionimin e një procesi që prej vitesh është shoqëruar me problematika.
Një nga risitë kryesore ka të bëjë me përdoruesit me parapagim të shërbimeve celulare, të cilëve u njihet e drejta për të kërkuar rimbursimin e krediteve të mbetura ose të papërdorura në momentin e portimit të numrit. Kërkesa për rimbursim duhet të paraqitet pranë operatorit dhënës, brenda një afati që nuk mund të jetë më i shkurtër se 14 ditë kalendarike nga data e portimit.
Operatorët janë të detyruar të ofrojnë mundësi të ndryshme për paraqitjen e kërkesës, si në pikat fizike të shitjes ashtu edhe përmes mjeteve elektronike online, përfshirë email-in apo platformat digjitale që përdorin për komunikimin me abonentët. Rimbursimi duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës, qoftë me pagesë cash ose me transfertë bankare, nëse kjo kërkohet nga konsumatori.
Rregullorja lejon aplikimin e një tarife administrative për procesimin e rimbursimit vetëm në rastet kur kjo tarifë është parashikuar në kontratën ekzistuese me konsumatorin. Tarifa duhet të jetë fikse, e arsyeshme dhe në përpjesëtim me kostot reale të operatorit, duke mos e kaluar kufirin maksimal prej 500 lekësh me TVSH.
Ligji i ri parashikon gjithashtu të drejtën e kompensimit për përdoruesit në rast vonesash ose abuzimesh gjatë procesit të portimit të numrit. Këto abuzime përfshijnë, ndër të tjera, portimin e numrit pa kërkesë të pajtimtarit, refuzimin e pajustifikuar të kërkesës për portim, si edhe tejkalimin e afateve ligjore nga operatorët dhënës apo marrës. Megjithatë, rregullorja nuk përcakton ende vlerën konkrete të kompensimit apo mënyrën e llogaritjes së tij.
Pavarësisht ndërhyrjeve rregullatore, portabiliteti i numrave vazhdon të shfaqë probleme serioze në praktikë. Sipas të dhënave të AKEP, gjatë vitit 2024 u portuan vetëm rreth 19.500 numra celularë, niveli më i ulët historik dhe rreth 50% më pak krahasuar me vitin paraardhës. Po ashtu, rreth gjysma e kërkesave për portim u refuzuan, ndonëse kjo shifër paraqet një përmirësim krahasuar me vitin 2023.
Ankesat e pajtimtarëve lidhen kryesisht me mospërputhje të të dhënave identifikuese për përdoruesit me parapagim, si edhe me detyrime kontraktore të papërfunduara për përdoruesit me paspagim. Në rast mosrespektimi të detyrimeve ligjore, operatorët rrezikojnë gjoba deri në 2% të të ardhurave vjetore, por jo më shumë se 50 milionë lekë.







