HomeAktualitetQeveria i propozon Jonida Priftin dhe Ervin Meten kandidatë për anëtarë të...

Qeveria i propozon Jonida Priftin dhe Ervin Meten kandidatë për anëtarë të rinj për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Advertismentspot_img

Qeveria i ka propozuar Kuvendit dy emra kandidatë për anëtarë të rinj për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Vendimi u mor sot në mbledhjen e radhës të këshillit të Ministrave. Dy emrat e propozuara, që i shtohen listës së kandidatëve janë Jonida Prifti dhe Ervin Metes. Ndonëse qeveria ka të drejtë të propozojë tre emra, ajo ka propozuar vetëm dy në mbledhjen e sotshme.

Në fund të dhjetorit 2025, përfundoi mandati i gjashtë prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke përfshirë zëvendësguvernatoren e parë, Luljeta Minxhozi dhe anëtarët Ridvan Bode, Suela Popa, Edlira Luçi, Artan Hoxha dhe Violeta Staka.
Zëvendësuesit nuk janë zgjedhur akoma, pasi ashtu siç kishte ndodhur edhe shtatë vjet më parë, dy institucionet që duhet të propozonin kandidaturat për plotësimin e vendeve vakante, Këshilli i Ministrave dhe Kryeministria, i kanë nisur procedurat ligjore me vonesë.

Kuvendi i Shqipërisë i nisi vetëm në fillim të muajit shkurt procedurat e përzgjedhjes së tre kandidatëve që duhet të propozojë për vendet vakante. Këtë javë u zhvilluan seancat dëgjimore me kandidatët, ndërsa vlerësohet se do të duhen minimalisht dy javë para se kandidatët të propozohen për votim në seancë plenare.
Në procedurën e hapur nga Kuvendi, për tre kandidatët që duhet të propozohen nga ky institucion aplikuan 20 kandidatë, nga të cilët 18 u paraqitën në seancën dëgjimore të zhvilluar nga Komisioni përgjegjës.

Ndërkohë, Këshilli i Ministrave vetëm sot ka depozituar dy nga tre propozimet e tij për vendet e tjera vakante, të cilët kalojnë për votim direkt në Kuvend.

Gjatë javëve të fundit kanë dështuar dy mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës, për shkak të përfundimit të mandatit të gjashtë prej anëtarëve dhe moszëvendësimit në kohë të tyre.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

“VENDIM PËR PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË DY ANËTARËVE PËR KËSHILLIN MBIKËQYRËS TË BANKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 44, të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të dy anëtarëve për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si më poshtë vijon:

– Znj. Jonida Prifti;

– Z. Ervin Mete.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA”.

kuvendi banka
Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular