Prej datës 9 deri në 15 shkurt, Shkodra pritet të kthehet në kryeqendrën e festimeve të Karnavaleve, që tashmë janë kthyer në një traditë të përvitshme artistike.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci zhvilloi sot në bashki një takim me strukturat organizative të këtij aktiviteti, ku u diskutua programi i zgjeruar i organizimeve artistike dhe kulturore.
“Po hyjmë në javën e fundit të përgatitjeve për një festë që e tejkalon të zakonshmen, një javë e tërë magjie, ngjyrash dhe fantazie, ku Shkodra vishet me shpirtin e karnavaleve dhe pulson ndryshe”, tha Beci.
Beci shtoi se do të ketë “butafori artistike, karro alegorike, parada plot energji, personazhe groteske dhe të animuara që dalin nga imagjinata, video mapping që e shndërrojnë qytetin në skenë, koncerte, performanca dhe shumë surpriza të tjera që do ta mbajnë publikun në lëvizje, ditë e natë”.
Karnavalet synojnë të tërheqin jo vetëm banorët e qytetit, por edhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni.
Ky organizim ruan traditën e hershme të karnavaleve shkodrane, duke i dhënë qytetit një dimension më modern dhe spektakolar, me synimin për ta kthyer Shkodrën në një destinacion të rëndësishëm kulturor dhe turistik gjatë kësaj periudhe.
Aktivitetet pritet të zhvillohen gjatë ditëve deri në mbrëmje, duke e vendosur qytetin në qendër të atmosferës festive për një javë.







